Ibrahimi: Ferizaj është pretendent i denjë për titull

Volejboll

Ibrahimi: Ferizaj është pretendent i denjë për titull

Nga: Kemajl Goca Më: 1 mars 2020 Në ora: 18:44
Ibrahimi: Ferizaj është pretendent i denjë për titull

Skuadra e Ferizajt ka fituar përballjen me rezultat 3:2 ndaj rivalit të qytetit dhe kryesor në luftë për titullin e kampionit, Lubotenit.

Dy pikë shumë të mëdha dhe që e përforcojnë në kreun e tabelës, duke krijuar një epërsi katër pikë karshi Lubotenit.

Ferizaj kryeson renditjen me 29 pikë dhe hiqe si favoritë jo vetëm për ta ruajtur kreun por edhe për të fituar titullin e kampionit në histori të ekzistimit të këtij klubit. Kryetrajneri i kësaj skuadre, Arlind Ibrahimi, për nga mosha më i riu nga trajnerët tjerë në elitë, e tha hapur se janë kandidatë i denjë për titullin e kampionit.

Image

“Në një ndeshje mjaft dramatike edhe pse në temperatura mjaft të ulëta, të dy ekipet mendoj se treguam një ndeshje mjaft cilësore, si ekipi ynë po ashtu edhe ekipi kundërshtar luftuam deri në pikën e fundit. Dua të shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj lojtarët e mi për shpirtin luftarak të treguar!”, thotë Ibrahimi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Kryetrajneri ferizajas tha se është ende herët të flitet për vend të parë, por sipas tij ka një ekip goxha të mirë e luftarake. “Mendoj që është herët të flasim për vendin e parë kjo ishte vetëm ndeshja e dytë në këtë stinor dhe besoj që kampionati do të jetë mjaft i luftuar deri në fund, por gjithsesi mendoj që jemi ndër pretendentët kryesorë për titull!”, theksoi ai.

Ibrahimi flet se cila është arma më e fortë e ekipit të tij: “Cila është arma më e fortë? E ceka edhe më herët, është shpirti luftarak i ekipit, si fondi i lojtarëve ku dihet se në këtë stinor kemi shtuar në organiken tonë edhe dy lojtarë, Artan Lumi - organizator, si dhe Wilton Rodrigues - pranues i ardhur nga Brazili. Do të shtoja këtu edhe punën që po bëhet në klub ku mbretëron një atmosferë shumë e mirë për punë!”. Përveç Ferizajt në luftë për titull janë edhe Luboteni e Prishtina Volley. Ibrahimi tregon se cilët janë rivalët më të mëdhenj të ekipit të tij.

“Rivalët kryesorë? Mendoj që do të jetë një luftë e vështirë dhe vështirë të jepet një parashikim përfundimtar për titull tash, por mendoj që përveç nesh, në lufte janë edhe Luboteni, Prishtina Volley, pa dashur të nënvlerësoj ekipet tjera, mendoj që këto janë rivalët kryesorë”, nënvizoi Ibrahimi. A mendoni se keni ekipin më të mirë dhe jeni favoritë?

“Nënkuptohet që jemi pretendent i denjë për titull, po ashtu mendoj që kam një ekip të kompletuar dhe me ardhjet e reja në klub është shtuar konkurrenca brenda ekipit. Besoj që ky fond i lojtarëve ka potencialin e nevojshëm që të dal kampion në fund!”, tha Ibrahimi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat