Shqiptarja rrëfehet nga Izraeli

Volejboll

Shqiptarja rrëfehet nga Izraeli

Më: 29 mars 2020 Në ora: 13:03
Shqiptarja rrëfehet nga Izraeli

Shumë larg Shqipërisë, por me mendje e zemër është këtu. Volejbollistja e Kombëtares kuqezi të vajzave, Sava Thaka luan në Izrael me ekipin e Maccabi Aov Ashdod. Karrierën e nisi me Skënderbeun, por ka qënë pjesë edhe e Partizanit e Tiranës. Në një intervistë për Newsport.al, Sava Thaka rrëfen eksperiencën e saj në Izrael dhe situatën atje. Kur flet për ëndrra, ajo ka në mëndje Kombëtaren shqiptare

Fillimisht uroj të jesh mirë, si është gjendja në Izrael? Besoj se jeni në karantinë…

Këtu jemi në karantinë, ashtu si kudo. Nuk lejohen daljet nëpër qytet, mund të shkosh vetëm në supermarket. Nga vendbanimi mund të largohesh vetëm 100m. Parqet dhe palestrat janë mbyllur.

Çfarë masash janë marrë atje për sportistët?

Prej datës 10 mars janë ndërprerë të gjitha aktivitetet, të çdo lloj sporti.

Jeni pjesë e Maccabi Aov Ashdod, si ka shkuar eksperienca me këtë skuadër deri në ndërprerjen e detyrueshme? Po objektivat?

Ne pretendojmë për titull kampion, por gjithashtu duam dhe kupën. Kemi punuar dhe jemi stërvitur shumë. Por, ja që koronavirus doli surpriza e çdo kampionati.

Sa e vështirë ka qënë përshtatja me skuadrën e re?!

Këtu jam ndjerë më mirë se kudo, pra më mirë se në ato ekipe ku kam qënë. Ka pasur një atmosferë të shkëlqyer midis gocave, stafit dhe trajnerëve. Ky sezon ka qënë i paharrueshëm për mua, e kjo gjë bënte që mos t’a ndjenim lodhjen dhe ngarkesen e tepërt në stërvitje.

Pavarësisht se je larg, e keni ndjekur volejbollin shqiptar?

Unë jam munduar t’a ndjek me aq sa mundem nëpërmjet rrjeteve sociale. Di që Barleti Volley fitoi kupën e Shqipërisë.

Cila është ëndrra më e madhe e juaja?

Do doja të fitonim ndonjë trofe me ekipin Kombëtar te Shqiperisë. Kemi fituar medaljen e bronxit para dy vitesh por do doja të arrija më shumë me kombëtaren.

Ju mungon Shqipëria?

Më mungon shoqëria, Shqipëria dhe familja. Ky është profesioni që kam zgjedhur dhe ka sakrificat e veta.

Për fund, një mesazh për gjithë shqiptarët në këto ditë të vështira?

Unë dua të ju them që  të kenë durim, të qëndrojnë në shtëpi dhe të kenë kujdes. Të gjithë duhet të qëndrojnë pozitiv. Kjo periudhë është e pabesueshme për të gjithë, përtej normale Ne do ja dalim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat