Kriza te Vllaznia, 5 lojtare largohen nga Shkodra

Volejboll

Kriza te Vllaznia, 5 lojtare largohen nga Shkodra

Më: 16 gusht 2020 Në ora: 23:24
Kriza te Vllaznia, 5 lojtare largohen nga Shkodra

Vllaznia në volejboll për femra pothuajse është një skuadër që është shpërbërë totalisht. Pesë volejbolliste të këtij ekipi i kanë dhënë lamtumirën Vllaznisë duke firmosur për dy ekipe të tjera. Problemet e krijuara mes trajnerëve të kuqebluve, por edhe me Bashkinë Shkodër kanë bërë që lojtaret të mos durojnë më dhe të largohen në ekipe të tjera.

Ndërkohë që nga Vllaznia është larguar edhe trajneri Besnik Lisha, i cili po ashtu është pjesë e një ekipi tjetër. Trajneri Lisha, i cili erdhi me disa ide të mëdha duke lënë Amerikën ku jetonte prej vitesh për Vllazninë, pas përplasjeve në skuadër brenda stafit teknik ka vendosur që të mos ketë më këtë stres duke zgjedhur që të jetë pjesë e Skënderbeut për sezonin e ardhshëm.

Mesa duket, tekniku Lisha idenë dhe projektin e tij për të ndërtuar një skuadër pretendente që brenda një kohe të shkurtër mund të sillte titullin kampion për të vijuar me pretendime edhe në kompeticione europiane e ka zhvendosur në Korçë te ekipi i Skënderbeut, me të cilin ka gjetur akordin.

Trajneri Lisha nuk ka kohë për të humbur dhe për të pritur në Shkodër bashkinë se si do ta zgjidhë çështjen e trajnerit, duke gjetur qetësinë dhe gjithçka tjetër në Korçë. Ndërkohë tashmë te Skënderbeu janë larguar edhe tri volejbolliste të Vllaznisë nga pesë në total, të cilat nuk do të jenë më pjesë e kuqebluve. Kështu, sipas burimeve, me Skënderbeun sezonin e ardhshëm do të luajë Klavia Petëza, e cila më përpara mbante shiritin e kapitenes te Vllaznia. Petëza nuk është e vetmja, sepse me Skënderbeun ka firmosur edhe lojtarja “libero” që ishte pjesë e Vllaznisë, Stela Kiri.

Ndërkohë, në Korçë sezonin e ardhshëm do të jetë edhe Leda Preçetaj. Një treshe volejbollistesh shkodrane që bashkë me trajnerin Besnik Lisha duket se do të bëjnë që Skënderbeu të jetë një ekip ndryshe dhe me pretendime shumë më të mëdha se sezonet e kaluara. Ndërkohë, nga Vllaznia janë larguar edhe lojtaret Xhesika Kaçi dhe Antoneta Molla që kanë firmosur për Barleti Volej. Në këtë mënyrë, deri më tani janë pesë volejbolliste nga Vllaznia dhe trajneri Lisha duke e boshatisur ekipin kuqeblu.

Tashmë nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për Vllazninë sa u përket volejbollisteve për të plotësuar lojtaret e larguara, por me shumë gjasa, mund të jenë volejbolliste me një moshë tejet të re dhe pa asnjë eksperiencë, duke mos pasur kështu asnjë pretendim, ndryshe nga më përpara. Kjo shpërbërje e Vllaznisë natyrshëm që është një humbje e madhe për volejbollin shkodran pas shumë vitesh përpjekje për ta sjellë deri në këtë pikë dhe tani kur shpresat ishin të mëdha, skuadra shpërbëhet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat