FSHV kundër vendimit të Ministrisë: Volejbolli nuk është sport i rrezikshëm

Volejboll

FSHV kundër vendimit të Ministrisë: Volejbolli nuk është sport i rrezikshëm

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 12:38
FSHV kundër vendimit të Ministrisë: Volejbolli nuk është sport i rrezikshëm

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale (MSHMS), për të mos lejuar fillimin e aktiviteteve të volejbollit, pasi e konsideron këtë sport me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirus, ka ardhur reagimi i Federatës Shqiptare të Volejbollit, shkruan telesport.

Ajo e quan si absurd vendimin e MSHMS, pasi ky është një sport ku nuk ka kontakt fizik dhe i bën apel komisionit teknik të ngritur pranë qeverisë të rishikojë vendimin. FSHV sqaron se në mjaft vende të rajonit dhe në botë ky sport luhet rregullisht, madje edhe me tifozë, që respektojnë distancimin social

Ja reagimi i FSHV-së…

Deklaratë për shtyp e Bordit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Volejbollit

Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) shpreh keqardhjen dhe indinjatën e saj për për vendimin e datës 19 tetor 2020, që refuzon rifillimin e sportit tonë. Pas shumë kërkesave të përsëritura prej një periudhe 7-mujore nga FSHV-ja, dhe në momentin kur mendonim se do t’i riktheheshim fushës së lojës, vjen dhe përgjigja më e pakuptimtë e Ministrisë së Shëndetsisë e cila vazhdon të ndalojë aktivitete në mjedise të mbyllura të kampionateve kombëtare të volejbollit.

Ndërkohë që janë hapur e funksionojnë palestrat e “fitness”-it, qendrat tregtare, transporti publik, baret, restorantet, shkollat, kinematë, etj., Ministria e Shëndetsisë e konsideron sportin e volejbollit me rrezikshmëri të lartë në përhapjen e virusit “Covid-19”! Një gjë e tillë vjen teksa ekspertët e mjekësisë dhe shëndetit anembanë botës e kanë ulur nivelin e perceptimit të rrezikut për shumicën e sporteve në përgjithësi dhe volejbollit në veçanti.

Ajo që duhet theksuar është se kjo përgjigje e Ministrisë së Shëndetsisë nuk merr parasysh as faktin se volejbolli ka një veçanti, që ekipet janë të ndarë nga njëri-tjetri dhe lojtaret luajne ne nje fushe 162 m2 e cila ndodhet ne nje hapesire 800 m2 minimumi. Edhe elementet e tjerë që përbëjnë lojën e volejbollit zhvillohen në fraksione të sekondës, gjë që e bën të pamundur transmetimin e “Covid-19”.

Duke marrë parasysh këto fakte, është shqetesuese që Ministria e Shëndetsisë nuk thellohet, pavarsisht informacioneve të shumta që i kemi dërguar se si po menaxhohet ky sport në rajon e më gjerë. Kjo nënkupton se Komiteti i Ekspertëve nuk është thelluar fare në këto specifika, duhet përcjellë një përgjigje shabllon.

Kjo është në kontrast të plotë me atë që në të gjithë Evropën po luhet volejboll, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, etj, e për të kulmuar me Italinë, që është edhe epiqendra e “Covid-19” në kontinent. Ndeshjet e Ligës së Volejbollit atje i ndjekin dhe spektatorët e distancuar.

Së fundmi, por jo më së paku, duke patur parasysh edhe faktin se i kemi dërguar autoriteteve përkatëse një protokoll shëndetsor anti-Covid-19 të bazuar në modelet më të mira anembanë Evropës, por dhe ai që po përdoret në Kosove e Maqedoninë e Veriut, ku rastet janë më të shumta, por volejboll luhet. Federata Shqiptare e Volejbollit e cilëson përgjigjen e Ministrisë së Shëndetsisë, në rastin më të mirë, një vlerësim të bazuar në paaftësi për të gjykuar mbi arsyetim të shëndoshë, dhe, shpreh gatishmërinë e saj të riulet me ekspertët për të bërë të mundur të luhet sport.

Ndërkohë, i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Rinisë e Sportit të zgjohet nga “gjumi letargjik” si ministria pergjegjëse për mbarëvajtjen e sportit në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat