Butrint Bytyçi: Konkurrenca është rritur me ardhjen e lojtarëve të huaj

Volejboll

Butrint Bytyçi: Konkurrenca është rritur me ardhjen e lojtarëve të huaj

Nga: Kemajl Goca Më: 14 qershor 2022 Në ora: 12:03
Butrint Bytyçi: Konkurrenca është rritur me ardhjen e lojtarëve të huaj

Në vitet e fundit është bërë jashtëzakonisht interesant elita e volejbollit e Kosovës, po ashtu edhe me fillimin e garave në Ligën “Gjergj Kastrioti” Kosovë – Shqipëri, i ka dhënë edhe me shumë shije sportit skofiar.

Butrint Bytyçi, prej volejbollistëve më të mirë në Kosovë, luan me sukses në petkun e Ferizajt, tha se edicionin që e lamë pas ka qenë ndër më të mirët deri me tash. 

Rivaliteti është më i madh mes ekipeve, cilësia është rritur dhe po ashtu edhe shikueshmëria. 

Bytyçi është një luftëtar në fushën e lojës dhe sa e sa herë edhe vendimtar në ndeshjet derbi. 

Djaloshin Ferizaj e veçon qetësia në lojë po ashtu ka edhe një teknik të përsosur.

Volejbolli është trashëgimi familjare e Butrintit, pasi babai i tij, i ndjeri Jusuf Bytyçi, ka qenë trajner dhe themelues i klubit të Ferizajt, trajner i sakrificës në vitet e 90-ta, në rezistencë kundër regjimit serb.   

Butrinti është kapiten dhe ushtron detyrën e drejtorit në klub. Një djalosh punëtor dhe motivues për ekipin, shembull edhe për klubet tjera se si punohet e veprohet në shërbim të klubit.

“Bota sot”: Si iu mishëruat me volejbollin?
Butrint Bytyçi:
 Me volejbollin merrem që nga mosha 10 vjeçare dhe kur ke një familje sportistësh të volejbollit s’ke si të mos mishërohesh me të, përkundër edhe faktit që ky sport më ka përcjellur gjithë kohën.

“Bota sot”: Si vlerësoni edicionin që e lamë pas?
Butrint Bytyçi:
Për mua personalisht edicioni që e lamë pas ishte njëri ndër edicionet më të mira që kisha kohët e fundit, kisha paraqitje tejet të mira në çdo ndeshje. Sa i përket klubit kishim kërkuar diçka më shumë këtë edicion, mirëpo kishim shumë mungesa si me lëndime po ashtu edhe me arsye familjare.

“Bota sot”: A do të mbeteni besnik i Ferizajt?
Butrint Bytyçi:
Besnik i KV Ferizajt do të jem deri kur do të mbaroj karrierën time si volejbollist, pasi që në këtë klub ushtroj edhe detyrën e drejtorit dhe kapitenit të klubit.

“Bota sot”: A është rritur konkurrenca edhe më e fortë me ardhjen e lojtarëve të huaj?
Butrint Bytyçi:
 Po konkurrenca është rritur me ardhjen e lojtarëve të huaj, janë zhvilluar ndeshje derbi, shpresoj që këtë edicion të kemi përforcime më kualitative.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Butrint Bytyçi:
 Synimet e mia dhe të KV Ferizajt për edicionin e ri janë që të kemi klubin e mirë organizuar si dhe të kemi paraqitje të mira në të gjitha garat që na presin.

 “Bota sot”: Çfarë iu ka lënë mbresa gjatë këtij edicioni që lamë pas dhe çfarë iu ka dëshpëruar?
Butrint Bytyçi:
Gjatë këtij edicioni mbresa më ka lënë niveli i organizimit të garave e sidomos Final 4 i Kupës së Kosovës, ndërsa jam pak i dëshpëruar që nuk arritëm që ndeshjen finale të Kupës së Kosovës ta mbyllim me fitore pasi që kishim paraqitje të jashtëzakonshme, me lëndimin e dy përforcimeve tona ishte e pamundur kjo.

“Bota sot”: A mendoni se Liga “Gjergj Kastrioti” është edhe një mundësi e mirë jo vetëm për afirmim të talenteve por edhe për rritje të cilësisë?
Butrint Bytyçi:
 Liga “Gjergj Kastrioti” është mundësi shumë e mirë që të afirmohen lojtarët dhe ekipet në përgjithësi, ku në ndeshjet rivalizuese tregohej më së miri edhe ngritja e cilësisë.

“Bota sot”: Përveç me si lojtar aktiv në sportin skofiar, me çfarë merret më shumë në jetën private Butrinti?  
Butrint Bytyç
i:  Në jetën private përveç sportit, punoj dhe në të njëjtën kohë jam duke kryer masterin tim të dytë.

“Bota sot”: Çfarë iu ka mbetur pikë në zemër që nuk e keni realizuar deri me tash?

Butrint Bytyçi:  Nuk kam diçka që më ka mbetur peng, sepse jam duke i realizuar synimet që ia kam parashtruar vetës time, ku shpresoj që edhe në këtë edicion të paraqitem sa më mirë që ti ndihmoj klubit dhe bashkëlojtarëve të mi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat