Fejzullah Ademi: Volejbolli të udhëhiqet nga njerëz të cilët e dojnë sportin e jo profiterët!

Volejboll

Fejzullah Ademi: Volejbolli të udhëhiqet nga njerëz të cilët e dojnë sportin e jo profiterët!

Nga: Kemajl Goca Më: 21 qershor 2022 Në ora: 13:29
Fejzullah Ademi

Volejbolli nuk është në atë nivelin që e duan dashamirët e volejbollit. Paraqitja në garat ndërkombëtare me ekipe deri me tani nuk i ka arsyetuar me rezultate por edhe me Kombëtare është e njëjta situatë.

Njohësi i volejbollit, Fejzullah Ademi, ish volejbollisti i spikatur, ish gjyqtari federativ, ish kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, aktualisht sekretar i KV Prishtina femrat, shprehet kritikë në shumë aspekte që po kalon sporti skofiar. 

Ademi, kontribues i madh i volejbollit apo siç njihet si “enciklopedi” e këtij sporti, tha se pas pranimit të FVK-së në FVIB dhe CEV, është subvencionu nga MKRS, DS, më shumë se një milion euro.

“Bota sot”: Si e sheh volejbollin në vitet e fundit, a ka rritje apo stagnim?

Fejzullah Ademi: Sot, kushtet në të cilat veprojnë sportet në Kosovë kanë ndryshuar shumë. 

Sidomos pas pranimit të KOK-ut dhe të Federatave sportive të Kosovës, në institucionet dhe asociacionet ndërkombëtare (FIFA, UEFA, FVIB, CEV. ABV, AIBA etj.).

Tretmani i tyre nga MKRS dhe DKRS, komunale ka ndryshuar shumë. Subvencionet janë rritur, infrastruktura sportive është përmirësuar, (ndërtimi i palestrave) etj.

Volejbolli si shembull, vetëm në pesë gjashte vitet  2015-2021, pas pranimit në FVIB dhe CEV, është subvencionu nga MKRS, DS, më shumë se  një milion euro, të cilat përveç, pjesëmarrjeve në garat   e ndryshme për “histori” , nuk e kanë  pasur ndonjë përparim në cilësi apo  ndonjë sukses të spikatur.

Tash FVK është me udhëheqje të re, (2021)  dhe besojë dhe shpresojë se do të ketë ndryshime pozitive dhe sigurisht pasi që aty janë zgjedhur njerëz të kualifikuar  dhe profesional. 

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë?

Fejzullah Ademi: Volejbolli, para se gjithash duhet të udhëhiqet nga  njerëz të cilët e dojnë sportin e jo profiterët dhe ata që mendojnë të shfrytëzojnë sportin e volejbollit  për interesa të ngushta.

“Bota sot”: A mendoni se pjesëmarrja në garat evropiane vetëm me një ekip është më mirë apo duhet të rritet numri?

Fejzullah Ademi: Pjesëmarrja në garat Europiane, mendoj se nuk është e domosdoshme me u paraqitë në çdo garë të mundshme, pjesëmarrja sa për të marrë pjesë pa kualitet të caktuar nuk është mirë pasi që nuk fiton asgjë volejbolli me këtë. Gara pa rezultate konkrete sportive nuk ka efekt.

Për t’u paraqitur në gara  Europiane, paraprakisht është dashur dhe duhet  me u përgatit seriozisht duke zgjedhur nivelin e përafërt të  kualitetit të lojës të cilin e posedojmë ne në Kosovë.

Ka ndodhur që të paraqitemi në gara europiane dhe Ballkanike  me disa ditë përgatitje, pa asnjë ndeshje kontrollues dhe atë në kualifikime për Kampionat Evropian kundër ekipeve  me renome Europiane e Botërore.

 “Bota sot”: Cila është gjendja në klubin më të vjetër në kryeqytet, Prishtina F?

Fejzullah Ademi: Gjendja në klubin Prishtina-F , është jo e mirë, edicionin e fundit kemi pasur problem material dhe kadrovike, pandemia e ka bërë të veten dhe kemi pasura problem me lëndime të lojtareve të formacionit bazë (5 lojtare të lënduar) gjatë edicionit të fundit si dhe mungesa e mjeteve financiare ka ndikuar ne largimin edhe të lojtareve.

KV Prishtina –F , është duke u munduar të rikuperohet për edicionin e ri, na është premtuar ndihma nga drejtoria për Kulture dhe Rini të KK Prishtina.

Natyrisht se klubi është duke bërë përpjekje për sigurimin e sponzorëve pa të cilët është vështirë me arritur rezultate të dëshiruara...

“Bota sot”: Çfarë po bën Fejzullah Ademi?

Fejzullah Ademi: Fejzullah Ademi është duke shijuar pensionin dhe si gjithmonë është në dispozicion për të mirën e volejbollit të Kosovës dhe të klubit për çfarëdo që ka nevojë.

“Bota sot”: A po anashkalohen emrat e mëdhenj të sportit skofiar dhe ish volejbollistët dhe ish volejbollistet apo janë mirë të përfshirë në strukturat e Federatës dhe në Kombëtare?

Fejzullah Ademi: Po, mendoj ka edhe anashkalime të njerëzve të cilët kanë kontribuar në sportin e Kosovës dhe kjo  arsyetohet në mënyra të ndryshme.

Por sidoqoftë nëse nuk ka nevojë për eksperiencën  e tyre, nuk janë të obliguar të merren me ta. “Ndoshta të gjitha mundë të blihen, por eksperienca nuk blihet” .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat