Drejtuesit e FVK-së janë trembur në Buenos Aires

Volejboll

Drejtuesit e FVK-së janë trembur në Buenos Aires

Nga: Kemajl Goca Më: 10 tetor 2016 Në ora: 15:35
Pamje nga konferenca

Drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës e cilësojnë si fitore të madhe pranimin me të drejta të plota në asociacionin më të lartë botëror të volejbollit, FIVB.  Anëtarësimi fuqiplotë në FIVB gjithsesi se i hapë të gjitha rrugët volejbollit në rrafshin ndërkombëtar. Abedin Ibrahimi, kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, në konferencë për shtyp, tha se pjesëmarrja në Kongresin e 35-të të FIVB në Buenos Aires të Argjentinë, kishte emocionet e tija, për faktin se ishin paksa të trembur se mund të mos pranohen me të drejta të plota. Pavarësisht kësaj, Ibrahimi thotë se FVK u pranua dhe tani mendojnë për shtigje afatgjate veçmas kanë planin zhvillimor për katër vjetët e ardhshme.   Ai tha se popullata e Kosovës dominohet nga rinia dhe do të kenë volejbollistë e volejbolliste të dëshmuara shumë të mira në të ardhmen. “Kjo derë u hap me 5 tetor për volejbollin në të gjitha aktivitetet, që të marrin pjesë që nga garat ballkanike e deri te ato botërore”, ka thënë Ibrahimi. Anëtarësimi me të drejta të plota në FIVB, pa dyshim se do të fitojnë të gjithë, që nga trajnerët, gjyqtarët, klubet dhe deri te kombëtarja e Kosovës. Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, përgëzoi drejtuesit e FVK-së për anëtarësim me të drejta të plota, ndërsa nënkryetari i FVK-së, Blerim Gërguri, tha se së shpejti pritet të jenë me të drejta të plota në CEV dhe në Federatën Ballkanike të Volejbollit. Kongresi i Konfederatës së Volejbollit Evropian (CEV) do të zhvillohet me 10 dhjetor të këtij viti dhe pas një kohe edhe ajo e Asamblesë Ballkanike, ku volejbolli i Kosovës pritet të jetë pjesë e këtyre familjeve me drejta të plota.

Gërguri tregon se nga 178 delegatë në Kongresin e FIVB vetëm Serbia abstenoi, të gjithë votuan pro. Sipas tij, synimi i volejbollit të Kosovës është që të jenë në nivelin mesatar me klubet e shteteve evropiane. Në fund, nga drejtuesit e FVK-së u tha se kombëtarja e Kosovës për seniorë (meshkuj e femra) do të përgatitet për eliminatoret e Kampionatin Botëror – ‘Tokio 2018”. Ibrahimi shprehet se kanë strategjinë e tyre zhvillimore për katër vitet e ardhshme dhe gradualisht  pretendon të rritet niveli i këtij sporti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat