Peja, gati për sfidën me kampionin e Zvicrës

Volejboll

Peja, gati për sfidën me kampionin e Zvicrës

Nga: Kemajl Goca Më: 1 nëntor 2016 Në ora: 15:48
KV Peja

Kampioni i Kosovës, Peja, është përgatitur në çdo aspekt që të ketë një paraqitje sa më të denjë ndaj kampionit të Zvicrës, Volley Amriswil, në ndeshjen e parë të rrethit të parë të Champions League në volejboll (meshkujt). Pejanët luajnë në konak të vetin dhe shpresojnë të jetë një numër sa më i madh i shikuesve në palestrën e sportit ‘Karagaçi’. Ndeshja do të zhvillohet nesër (në orën 18.00) dhe që do të jetë shumë e vështirë për kampionin e Kosovës. Volejbollisti me përvojë, Bardhyl Hajdaraj, është optimist se do të bëjnë paraqitje të mirë dhe aq me tepër se është ndeshja e parë e garës me prestigjioze që do të luajnë para shikuesve pejan. “Është ndeshja e parë e rrethit të parë në Champions League, njëkohësisht edhe hera e parë që një ligë si kjo mund të shfaqet para syve të publikut tonë në Pejë”, thotë Hajdaraj. Sa keni njohuri për ekipin nga Zvicra, çfarë prisni?  “Ekipi nga Zvicra është edhe kampion aktual i Zvicrës, njëkohësisht edhe fitues i Superkupës së Zvicrës të luajtur para një jave, ndeshje të cilën kemi pasur mundësi ta ndjekim përmes një videoje në you-tube dhe që ka përfunduar me rezultat 4:0. (rregulla të reja me 4 të fituara me pikë maksimale 20 për një set)”, përgjigjet Hajdaraj për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Ai më tutje premton një lojë që asnjëherë nuk është shfaqur në palestrat tona:

“Presim të bëjmë lojën tonë dhe të shfaqim diçka që nuk është shfaqur nëpër palestrat tona deri më tash. Organizimi është në përfundim e sipër, palestra po merr pamje krejt tjetër, pse të mungoj edhe shfaqja jonë e mirë”.  Pejanët janë të kompletuar dhe synojnë rezultat sa më të mirë që jenë më të qetë për takimin e kthimit që luhet me 6 nëntor (në orën 16.00) në terren të ekipit zviceran. “Kuptohet që besojmë shumë në rezultat pozitiv dhe nuk kënaqemi vetëm me të marrë pjesë. Motivi është në nivel, ndërsa jemi të kompletuar më në fund me përjashtime të disa dëmtimeve që po na përcjellin gjatë kampionatit sidomos lojtarëve bartës të lojës dhe pjesë e gjashtëshes së parë, me një fjalë mua, Skënder Lajçi dhe Agron Nikçi. Nëse gjithçka do të jetë mirë ditën e ndeshjes edhe rezultati i mirë nuk do të mungoj”, shpreh bindjen volejbollisti nga Peja. A jeni në emocione, pasi është ndeshja e parë e nivelit më të lartë dhe sa janë gjasat për një kualifikim të mundshëm? “Kuptohet që edhe emocione ka, por shpresoj që mos të pengojnë asnjërin që ta jap maksimumin e tij.  Për gjasat e kualifikimit do të ia lëmë fushës dhe t’i shohim nga afër mundësitë tona dhe të luajmë me to!”, ka thënë Hajdaraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat