Hajdaraj: Nuk ishte shumë e vështirë për ta mposhtur klubin serb

Volejboll

Hajdaraj: Nuk ishte shumë e vështirë për ta mposhtur klubin serb

Nga: Kemajl Goca Më: 22 dhjetor 2016 Në ora: 12:58
Hajdaraj në aksion

Pa dyshim se është një fitore për t’u mbajtur mend e klubit të volejbollit Peja. Ata nga humbja me rezultat 0:2, e shndërruan në fitore me 3:2 (22:25, 21:25, 25:20, 25:18 e 15:12) kundër ekipit nga Republika Srpska, Mlladosti nga Brçko. Pejanët nuk u dorëzuan për asnjë moment, gjetën forcë dhe përmbysën rezultatin e kundërshtarit. Volejbollisti më përvojë, Bardhyl Hajdaraj, komplimenton bashkëlojtarët për maksimumin që dhanë kundër ekipit serb dhe sikurse të ishte zhvilluar edhe sfida e parë në Brçko, ai është i bindur se edhe do të kualifikoheshin. Por, siç dihet sfidën e parë Peja e humbi me rezultat zyrtar 3:0, pasi që nuk u lejuan me pasaportat e Republikës së Kosovës të futen në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Andaj, çuditërisht Federata Europiane e Volejbollit vendosi rezultatin zyrtar 3:0 në favor të Mlladosti, për çka edhe i kushtoi shtrenjtë klubit të Pejës. “Nuk ishte shumë e vështirë, realisht ne i humbëm edhe dy setet e para ngushtë, edhe kur ishim ne epërsi 20:18 por rëndësi ka fitorja, morali i klubit, edhe ndeshja u fitua me lojë”, tha Hajdaraj për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Sikurse të zhvillohej edhe ndeshja e parë, a mendoni se kishit mundur të shkoni më tutje në garat e CEV Cup? “Sigurisht që e kishim njohur më mirë skuadrën kundërshtare nëse e kishim zhvilluar, se derisa ne e njoftuam edhe bëmë gabimet tona. Ata te veten e kryen edhe bënë çka dëshiruan. Nuk ka faj federata këtu, por shteti”, shprehet i zemëruar Hajdaraj. Kjo fitore ia zbardhi fytyrën jo vetëm volejbollit për në përgjithësi sportit të Kosovës. Sepse ishte një fitore e vlefshme në garat evropiane, ani se u eliminuan. A është një fitore që dëshmon se Kosova ka volejboll? “Nuk mund të them kështu, por mund të them që jemi në rrugën e duhur edhe nëse punohet ne do të paraqitemi edhe më mirë se sa parmbrëmë. Mos të harrojmë se ishim me vendorë ndaj klubit nga Republika Srpska, kjo më bënë me besuar edhe më shumë. Moldavët njëri luajti pak, tjetri kishte probleme të mëdha me dorën. Unë besoj në federatë por edhe në aftësi tona”, përgjigjet Hajdaraj.  E keni parë nivelin e garave europiane, çfarë i duhet këtij sporti për të ardhmen? “I duhet organizim më i mirë, në fakt mundësi organizimi se s’
kemi mundur asgjë me bë qysh duhet përkundër mundit të klubit. Pamundësia ka ardhur nga mungesa e mjeteve edhe i arsyetoj deri në pikën e fundit”, thotë Hajdaraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat