Jashari: Femrat çdoherë janë dëshmuar...

Volejboll

Jashari: Femrat çdoherë janë dëshmuar...

Nga: Kemajl Goca Më: 12 janar 2017 Në ora: 11:13
Vildane Jashari

Vildane Jashari mendon se ta udhëheqësh një ekip në Superligë dhe të bësh edhe një punë tjetër krahas kësaj, me të vërtetë kërkon angazhim të madh, sidomos në Kosovë ku ekipet përballen me shumë probleme në aspekte të ndryshme.  Ajo është kryetrajnere e Kastriotit të Ferizajt dhe sipas saj, mbajnë rekordin për trajnerë si femra që punojnë në këtë sport. “Ekipi ynë Kastrioti, përballet me një gjendje të vështirë në infrastrukturë, sepse dihet që në Ferizaj kemi numër të madh të ekipeve të cilat garojnë po në të njëjtën kategori dhe sigurimi i termineve është shumë i vështirë. Ne kemi vetëm tri stërvitje në palestrën ‘Bill Clinton’ që është e pamjaftueshme, kështu që detyrohemi të gjejmë alternativa tjera si psh: sallat e shkollave por edhe numri i tyre në Ferizaj është shumë i vogël. Megjithatë ne po mbijetojmë por punojmë dhe po ia dalim mbarë me gjithë këto vështirësi dhe rezultatet që kemi janë mjaft të kënaqshme.

Natyrisht po të mos kisha edhe ndihmësin Edon Ibrahimi, sigurisht që nuk do ia kisha dalë dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj publikisht për ndihmën që me bën. Krahas punës në klub, punoj edhe në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në Kolegjin Universi, këto kanë qenë pasionet e mia që nga fëmijëria edukimi i brezave të rinj dhe një gjë të tillë e bëjë me përkushtim. Është e ditur se në Kosovë puna ne sport nuk paguhet mjaftueshëm, për mos të thënë fare, andaj jemi të detyruara të punojmë edhe punë tjetër. Sporti i volejbollit është një prej sporteve që ndoshta mban rekordin për trajnere femra si në Superligë, ligën e parë, kategoritë e reja, po ashtu edhe në kombëtare, ne në volejboll nuk kemi një brengë të tillë, brenga jonë është të avancohemi më shumë, që të përgatitemi për gara ndërkombëtare”, thotë Jashari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat