Partizani fiton Kupën e Shqipërisë

Volejboll

Partizani fiton Kupën e Shqipërisë

Më: 4 mars 2017 Në ora: 01:04
Partizani

Ylli i Partizanit nis të ndricojë me volejbollin. Klubi i kuq në vitin e rikthimit në sportin e rrjetës fitoi pas 23 vitesh Kupën e Shqipërisë në një finale drithëruese ndaj Vllaznisë. Në këtë superpërballje të zhvilluar në “Asllan Rusi” djemtë që drejtohen nga i mirënjohuri Ylli Tomorri triumfuan 3-2 me sete, ndaj një rivali të denjë, që do ta kishte merituar plotësisht këtë trofe nëse fati do të ishtë në anën e tij. Fituan kupën e tyre edhe ata qindra tifozëve të zjarrtë të Partizanit që e mbajtën të ndezur atmosferën e kësaj finalaje, duke mos rreshtur së përkrahuri skuadrën e zemrës.

Sfida nisi me avantazhin e lehtë të Partizanit, me Vllazninë që arriti ta barazonte rezultatin 19 – 19 në setin e parë, por në pikët e fundit të kuqtë falë ekspertiencës arritën të fitonin 25-23.

Vllaznia u kundërpërgjigj duke e fituar setin e dytë 22- 25, e udhëhequr nga Djodjevic me shërbimet e tij të forta, ndërsa Partizani nuk mundi ta ruante qetësinë as në setin e tretë që e humbi 20 – 25.

Tomori e shkundi ekipin e tij në pauzën e shkurtër mes seteve, dhe efektet  u ndjenë menjëherë në setin e katërt që u mbyllur me një diferencë të thellë 25-15 në favor të Partizanit.

Seti final ishte për ata që e kanë zemrën të fortë. Para se të ndërroheshin fushat, Partizani kryesonte 8-5, por Vllaznia mund të rikuperonte diferencën dhe të kryesonte madje 15 – 14, por atëherë kur edhe një pikë kishte vlerën e një trofeu Partizani, ndoshta edhe me pak fat, arriti ta mbyllte setin e pestë 17-15 me tifozët që pushtuan parketin e “Asllan Rusit” duke festuar bashkë me voljebollistët e kuq.

Trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri u shpreh pas këtij seuksesi  se skuadra e tij vuajti ngërcin psikologjik dhe se ky trofe është për emrin e Partizanit dhe për ata tifozë që i dhuruan emocione të vecanta kësaj finaleje.

Pasi përgëzoi lojtarët e të dyja skuadrave për spektaklin që dhuruan në Asllan Rusi, trajneri i Vllaznisë, Mark Kroqi u shpreh se fituesi u vendos vetëm nga fati.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat