Kadriu: Kemi sulm të fuqishëm

Volejboll

Kadriu: Kemi sulm të fuqishëm

Nga: Kemajl Goca Më: 17 mars 2017 Në ora: 11:53
KV Skenderaj

Volejbollistet e Skenderajt shpresojnë të përfundojnë misionin me sukses, t’i mbledhin të gjitha trofetë e mundshme gjatë këtij viti. KV Skenderaj është në finalen e Kupës së Kosovës, ku do të ballafaqohen me Dritën, kampione në fuqi. Trajneri i Skenderajt, Ylli Kadriu, tha se e kanë ekipin e mirë, me gjithë që ballafaqohen me mungesa e lëndime. “Është shumë e rëndësishme për ne që kemi arritur në finale të Kupës së Kosovës, madje kjo për të tretën herë radhazi dhe shumë besoj që kjo do të jetë e treta e vërteta për klubin tonë. Edhe pse ne si klub këtë sezon patëm shumë mungesa me lëndine dhe pothuajse asnjëherë nuk po arrijmë të jemi të kompletuar, por kjo nuk e zbeh lojën dhe suksesin e ekipit”, tha Kadriu për gazetën kombëtare “Bota sot”. Skenderaj falë lojës më të mirë triumfoi me rezultat 3:0 kundër Grykës.

Kadriu tha se skuadrën e tij e veçon edhe sulmi i mirë: “Ajo që më së shumti e veçon skuadrën tonë janë lojërat e mira të vajzave të reja, mbi 80 për qind në formacionin bazë të ekipi janë nën moshën 17-vjeçare, dhe i zëvendësojnë lojtaret e lënduara në mënyrë të përkryer. Pra lojtaret tona të reja kane minutazh të madhe në parket dhe kjo na veçon si ekip.  Gjithashtu jemi ekip mirë i përgatitur fizikisht dhe kemi një sulm të fuqishëm në të gjitha pozicionet, për dallim nga skuadrat tjera të Kosovës që kanë me pak opsione”. A konsideroni se përveç në Kupë, edhe në kampionat Drita do të jetë rivali kryesor i skuadrës tuaj? “Për Kupë tashmë dihet se në finale e presim Dritën, ndërsa në play-off do të shohim si do të rrjedhin gjërat dhe se kush do të shkoj në finale, mirëpo në bazë të kësaj situate momentale mendoj që do të përsëritet finalja e vitit të kaluar në mes KV Skenderajt dhe KV Dritës”, thotë Kadriu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat