U çertifikuan 21 trajnerë të volejbollit

Volejboll

U çertifikuan 21 trajnerë të volejbollit

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 16:04
Trajnerët e volejbollit

Organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, sot janë çertifikuar 21 trajnerë të volejbollit, të cilët për pesë ditë vijuan trajnimin e mbajtur në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit.

Trajnerët patën rastin të mësojnë në teori dhe praktikë nga eksperti ndërkombëtar i Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit, rumuni z.Dan Ilie Girleanu. Ai ligjëroi kryesisht për grupmosha të reja.

Në ndarjen e çertifikatave, të pranishëm ishin drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti z. Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm, z.Shasivar Haxhijaj dhe kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, z.Abedin Ibrahimi, të cilët bashkë me ligjëruesin ndanë çertifikatat.

“Kemi pasur pesë ditë pune të vështira nga tetë orë në ditë. Jam i kënaqur me numrin e pjesëmarrësve, moshën e tyre dhe me ato që kanë mësuar. Po të ekzistonte ndonjë diplomë gjenerale do t’jua ndaja sot, pasi ata kanë njohuri të mjaftueshme për volejbollin. Volejbolli juaj është në duar të sigurta”, tha z.Girleanu.

Të lumtur me atë çfarë mësuan u shprehën edhe trajnerët, të cilët shpresonin që trajnime të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.

Për qëllimin e organizimit të këtij trajnimi, që është vazhdimësi e trajnimit të administratorëve të sportit të organizuara nga KOK-u, folën z.Besim Hasani, i cili edhe uroi trajnerët për çertifikimin dhe kryetari i FVK-s, z.Abedin Ibrahimi.

Trajnimet për trajnerë mbështetën nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, derisa javën e kaluar u mbajt trajnimi i boksit. Deri në fund të vitit do të organizohen edhe nëntë trajnime të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat