A i duhet volejbollit të Kosovës një kryetare femër, që do t’i shpëtonte me fytyrë!

Volejboll

A i duhet volejbollit të Kosovës një kryetare femër, që do t’i shpëtonte me fytyrë!

Nga: Kemajl Goca Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 13:52
Logo e FVK-së

Debate

Lëmshi në volejboll ka vitet që nuk po zgjidhet! Probleme të mëdha dhe të pazgjidhura! Pothuajse që ka pas lufta, nga koha kur Fejzullah Ademi bie si kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, më rehati nuk ka pasur! Ka pasur fërkime të mëdha, akuza të rënda dhe asnjë kryetar nuk iu ka rënë siç thonë në popull: Tamam! Federata e Volejbollit e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur qetësi, gjithmonë ka vluar nga mospajtimet e ndryshme. Plot 18 vite me zhurmë, i provuan të gjithë, por asnjëri nuk ua mbushi syrin.

Disa u akuzuan edhe për keqpërdorime dhe falsifikime, por të gjitha këto akuza mbeten akuza dhe asnjë nuk kishte përfunduar në prokurori. Sa janë bindëse akuzat që iu bënë ish kryetarëve të ndryshëm? Sipas kësaj deri me tash asnjë! Sepse akuzat duhet të argumentohen fije e për pe dhe nëse ka fakte të bollshme pse mos të dërgohen edhe në Prokurori, nëse del ashtu le të përfundojë prapa grilave pavarësisht kush është.  Zhurma e vazhdueshme në volejbollin me traditë, ka ndikuar për të keq edhe në nivelin e klubeve.

Sepse disa nga klubet më shumë janë marrë me politikën e federatës sesa me çështje të brendshme të tyre. E çuditshme është se në volejboll, shpejt ka ndryshime sidomos në aspektin e të menduarit. Nga një kryetar fenomenal bie në një kryetar të dështuar dhe më keqpërdoruesit. Por, pyetja shtrohet: Pse ata që e votojnë apo që e propozojnë kandidatin për t’i përfaqësuar asnjëherë nuk e shoshitin mirë se ia vlen apo jo që ai apo ky ta drejtojë federatën! Pasi e zgjedhin, e duartrokasin, pinë kafe, i vardisen, e puthin, e përqafojnë, e ledhatojnë kryetarin e ri dhe me kalimin e muajve gjërat ndryshojnë. Pastaj kryetari i ri iu del i “dobët apo i padijshëm”! Në këtë gjendje të mjerueshme një periudhë ka qenë edhe Federata e Çiklizmit e Kosovës dhe ajo e Pingpongut, por fatmirësisht në vitet e fundit kanë gjetur një stabilitet dhe nuk ka shtyrje me bërryla!  

Një njohës i volejbollit, në kushte anonimiteti, tha: “Ndoshta volejbollit i duhet një femër kryetare dhe që të gjejnë një rehati apo do t‘i shpëtonte me fytyrë”. A do të ishte mirë që disa nga ish volejbollistet e mirënjohura,  ta marrin drejtimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës? A do të ishte e rrugës që të jenë kandidate për kryetare të FVK-së, si ish volejbollistet Mimoza Shkodra, Feime Shala, Kadrije Tosuni, Vildane Jashari, Afërdita Sadiku, Ganimete Gërbovci, Makfire Brestovci etj.

Nëse njëra nga to ka fuqinë apo guximin ta shpreh kandidaturën për kryetare, sigurisht se do të ishte trimëreshë, sepse ende ekziston mentaliteti te disa, se femra është poshtërsi me udhëheq një federatë, se bie katundi poshtë, sepse ende konsiderohet si dorë e dytë! Nëse me meshkuj nuk jemi dakord, janë të dështuar, FVK le ta gjej një femër me dorë të hekurt dhe që i fut në udhë të Zotit! Të paktën ta provojnë edhe të gjinia e kundërt, sepse kështu si shkojnë, deshëm apo nuk deshëm u bën gaz i botës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat