Tetovaret që bëjnë krenarë shqiptarët - Bota Sot
Tetovaret që bëjnë krenarë shqiptarët

Volejboll

Tetovaret që bëjnë krenarë shqiptarët

Nga: Kemajl Goca Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 18:00
Laureta Abazi

Qyteti i Tetovës pa dyshim se është qytet që jeton me sukseset e klubeve në disiplinat e ndryshme sportive. Përveç klubit të futbollit Shkëndija nga Tetova, kampione vjeshtore, KF Renova synon Kupën e Maqedonisë, ndërsa në volejboll Universiteti po mahnit të gjithë dhe janë kampione vjeshtore në konkurrencën e femrave. Volejbollistet “universitare” dëshmuan angazhim, lojë kolektive dhe shtangën të gjithë me suksesin e madh, stolisen me titullin e kampiones vjeshtore.

Kryetrajnerja e Universitetit, Laureta Abazi, me punën e saj profesionale e të palodhshme ndërtoi ekip të jashtëzakonshme e të frikshme për të gjithat rivalet. Ajo punon me entuziazëm të pashoq dhe shënon rezultatet të shkëlqyeshme me vajzat, që të gjitha janë shqiptare. Tetovarët janë krenaria e qytetit dhe skuadra e parë shqiptare në konkurrencën e femrave, që stoliset me titullin e vjeshtës. Laureta mburret me lojtaret që ka, me lojën që bëjnë dhe shpirtin luftarakë në secilën sfidë, sidomos është e lumtur për fitoren e fundi në Manastir me rezultat 3:0 kundër Pelisterit Volej.    

“Bota sot”:  Për herë të parë në historinë e volejbollit në Maqedoni (femrat), një ekipe shqiptare si Universiteti i Tetovës sundon ndaj atyre maqedone. Cili është çelësi i këtij suksesit?

Laureta Abazi: Skuadra e volejbollit Universiteti i Tetovës në elitën e volejbollit në Maqedoni, këtë sezon garon me sukses duke mposht kampionin dhe nënkampionin e kampionatit të kaluar dhe është shumë e vërtet që një skuadër shqiptare në kategorinë e femrave ngjitet në piedestalin më të lartë, aty ku edhe synojmë dhe meritojmë të jemi edhe në pjesën tjetër të kampionatit. Ky rezultat dhe sukses erdhi nga puna e palodhshme, mundi, djersa e gjithë skuadrës dhe dëshira e madhe për fitore.

“Bota sot”:  A e keni pritur se Universiteti do të jetë kampione vjeshtore?

Laureta Abazi: Gjithsesi se pritjet tona ishin të ngritemi lart e më lart aty ku edhe jemi pozicionuar, sepse parasegjithash kjo gjeneratë e artë do ta quaja meriton të jetë kampion, gjeneratë e cila ka ambicie të mëdha dhe po ec me hapa të sigurt, po ashtu të prezantoj volejbollin edhe në elitën ndërkombëtare. Në qoftë se ndeshjet në sezonin pranverorë do të jenë të zhvilluara fer-play dhe nuk do të dëmtohet loja jonë nga gjyqtarët të cilët me ndërgjegje nuk e kryejnë detyrën, atëherë gjithsesi se ne do të vulosim titullin kampion i Maqedonisë.

Image

“Bota sot”:  Më shumë se dy vjet funksionon KV Universiteti,  shquhet për organizim e rezultate të jashtëzakonshme, kush është më meritori?

Laureta Abazi: Ky është kampionati i dytë i funksionimit dhe garimit tonë në ligë si skuadër, vitin e kaluar meritonim te jemi të tretët në ligë, por përfunduam të katërtit. Merita i takon gjithë skuadrës sepse kjo parasegjithash është lojë kolektive dhe që të gjithë japin kontribut për sukseset e skuadrës, andaj lirisht mund të them se gjithë duhet të funksionojmë si një trup i vetëm për të realizuar detyrat.

“Bota sot”:  Fitorja e fundit në Manastir me rezultat 3:0 kundër Pelisterit Volejt të Manastirit, a është edhe kapaku i objektivave për stinorin vjeshtor?

Laureta Abazi: Me fitoren kundër Pelister Volej në Manastir ne arkëtuam edhe tre pikë mjaft të vlefshme dhe të rëndësishme, që me një fjalë siguruam diferencën e nevojshme që na siguron titullin kampion vjeshtorë.

“Bota sot”: Në fundjavë kundër "Planet", a besoni në tri pikë të lehta?

Laureta Abazi: Ndeshja e fundit që do të zhvillohet kundër ‘Planetit’, do të jetë vula e fundit për këtë stinor, shpresoj në paraqitjen sa më të mirë të vajzave dhe fitoren tonë, pasi vlerësoj se presioni do të jetë në anën e kundërshtarit.

“Bota sot”:  Cilat rivale i llogaritë si të papërshtatshme apo që e ndjeni presionin në luftë për titull?

Laureta Abazi: Do ta kisha veçuar skuadrën e Kumanovës e cila është skuadër më serioze dhe konkurrente e jona, po në këtë sezon e gjunjëzuam lehtë dhe shpresoj se do të vazhdojmë me dominimin tonë ndaj tyre pa asnjë problem.

“Bota sot”:  Sa është vështirë për një trajnere femër të ndërtojë një ekip (keni hasur në pengesa) dhe ta ngritë në maje të volejbollit të Maqedonisë?

Laureta Abazi: Vështirësitë janë të natyrave të ndryshme me plot obligime e ngarkesa, por kur ka vullnet dhe dëshirë kalohen të gjitha, e veçanërisht kur afër teje ke sportiste të cilat nuk lodhen asnjëherë dhe janë të përpikta në detyra. Ata më japin vullnet që mos ta ndiej as unë lodhjen përkundër shumë ngarkesave që kam.

“Bota sot”:  Me kushtet në përgjithësi si qëndroni si klub?

Laureta Abazi: Të them të drejtën me suksesin që kemi nuk jemi të trajtuar si duhet, mungojnë edhe shumë kushte, nevoja elementare të klubit të cilat janë të patjetërsueshme që të funksionojë një skuadër ashtu si duhet dhe të vazhdoj me suksese, por do të kisha thënë se çdo fillim është i vështirë, por edhe vazhdim.

“Bota sot”: Cilat lojtaret mund t'i veçoni që e kanë bërë diferencën?

Laureta Abazi: Sikur ta kisha dalluar ndonjërën atëherë sigurisht se do të gaboja, kontributi i të gjithave dhe sakrifica e tyre, pasi pjesa dërmuese e vajzave janë studente solli në një rezultat të këtillë. Unë respektoj sakrificën që bëjnë çdo ditë për të ardhë dhe për të harxhuar kohën e çmuar të tyre, sepse si prioritet i tyre janë studimet andaj gjithmonë krenohem me to.

Lista e volejbollisteve të Universitetit:

Erjona Jonuzi, Erza Jumniu, Besa Xhemaili, Qëndresa Baftijari, Yllzana Berzati, Arnisa Dehari, Sara Shehu, Niagar Xhemaili, Florida Xhemaili, Elinda Jonuzi, Venesa Esati, Mirela Memeti dhe Toska Salija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test