Lojtari i Kombëtares ndryshon ekip në Finlandë

Volejboll

Lojtari i Kombëtares ndryshon ekip në Finlandë

Më: 8 janar 2018 Në ora: 19:44
Redi Koçi

Paraqitja mjaft e mirë që ka bërë në gjysmën e parë të sezonit në vazhdim, ka bërë që volejbollistit të Kombëtares sonë kuqezi të meshkujve, Redi Koçit, t’i vijë një ofertë e re sipas mediave finlandeze. Skuadra e tij aktuale, Leka Volej, pritet që të shkrihet me atë të Sampo Volejit duke krijuar së bashku një skuadër të re gjatë sezonit të ardhshëm, Savo Volejin. Kjo skuadër do të përbëhet nga lojtarët më të mirë të të dyja ekipeve dhe Koçi do të jetë njëri prej tyre.

Sipas mediave vendëse pritet që Koçit t’i bëhet edhe një ofertë akoma më e mirë financiare. Kanë mjaftuar vetëm 6 muaj për lojtarin shtatlartë të Kombëtares kuqezi të volejbollit për meshkuj, Redi Koçin, për t’i ardhur një ofertë e re për sezonin e ardhshëm. Në fakt, viti 2017 është mbyllur me një vend të 4-t në renditje, me 10 fitore dhe 6 humbje për skuadrën e tij, por edhe me një paraqitje të jashtëzakonshme personale, në atë që për shuterin 2 metra e 3 centimetra të lartë ka qenë sezoni fillestar në kampionatin finlandez të volejbollit të meshkujve.

Koçi u largua në shtetin finlandez në qershor duke u bërë pjesë e skuadrës së Leka Volej dhe ka qenë titullar thuajse në çdo ndeshje. Ai ka krijuar së bashku me shokun e tij të skuadrës, Samuli Kaislasalo, dyshen më rezultative të kësaj veprimtarie.

Ndërkohë që finlandezi Kaislasalo është dhe shënuesi më i mirë, me 338 pikë të realizuara në 16 ndeshje, ndërsa volejbollisti kuqezi është në 6-shen e parë, me 231 pikë, duke nënkuptuar se të dy së bashkë kanë realizuar plot 569 pikë, nga 1,384 që ka realizuar gjithsej skuadra e tyre.

23-vjeçari nga Tirana ka një mesatare prej 14.4 pikësh të realizuara për çdo ndeshje, ndërsa duhet theksuar se nga këto 231 pikë, 194 ai i ka realizuar në sulm, 18 pikë i ka realizuar në bllok dhe 19 direkt nga shërbimi, që është edhe një nga aspektet e spikatura të lojës së tij. E gjithë kjo paraqitje ka bërë që, sipas mediave finlandeze, atij t’i vijë një ofertë e re. Skuadra e tij aktuale, Leka Volej, mban vendin e 4-t në renditje me 30 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat