A do të jetë volejbolli më i qetë në pranverë?

Volejboll

A do të jetë volejbolli më i qetë në pranverë?

Nga: Kemajl Goca Më: 26 janar 2018 Në ora: 14:14
Ilustrim

Debate

Volejbolli është prej sporteve që ka vite që përplasen mes vete sidomos ka pakënaqësi të shumta për punën që bëhet brenda institucionit të Federatës së Volejbollit të Kosovës. A do të jetë viti 2018 një vit i qetë dhe të lihen anash inatet njëri me tjetrin!  Është interesant se, nga viti 2001 e këndej vazhdimisht ka pasur pakënaqësi dhe asnjë kryetar nuk iu ka ardhur tamam deri në fund të mandatit. Është e dhimbshme që sporti skofiar ka probleme e probleme që një periudhë dhe asnjëherë nuk iu sosen. Cila do të ishte formula më e mirë? Klubet të gjejnë sponsorë, të investojnë në rritjen e cilësisë dhe sidomos të luftohet që të kemi sa më shumë akademi të këtij sporti të respektuar. Volejbolli është sport me traditë dhe assesi nuk duhet ta lejojnë veten që të vazhdojnë edhe më tej me mjegulli, akuza e kundërakuza si në vitin 2017. Është fakt që janë emëruar apo janë zgjedhur anëtarët e rinj të bordit në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Kryetar ka mbetur Abedin Ibrahimi, ndërsa anëtarë të rinj janë sipas faqes së FVK-së: Visar Alimehaj, nënkryetar i parë, Mimoza Shkodra, nënkryetare e dytë, anëtarë Pakize Kosova, Milot Syla, Kemajl Luzha, Asllan Nimani dhe Mursel Igrishta. Këta emra e lartpërmendur së bashku me klubet sportive, do të ishte mirë të organizojnë një tryezë dhe të diskutojnë se si të ecin përpara. Se si të veprojnë në vitin 2018 dhe për të ardhmen dhe ta rrisin nivelin e këtij  sporti. Të shpenzojnë energjinë për të avancuar këtë sport. Sepse Kosova ka volejbolliste e volejbollistë të talentuar që mund të arrijnë shumë, por mjerisht u mungojnë kushtet. Pse nëpër komunat e ndryshme apo edhe nëpër fshatrat më të mëdha, mos të organizohen e të punojnë me të reja e të rinj. Kemi shumë trajnerë e trajnere që kanë potencial për të dhënë maksimumin.

Ose pse mos të kemi sa më shumë femra trajnere e t’i paguajnë për punën profesionale. Kemi trajnere mjaft të mira, si Vildane Jashari, Ganimete Gërbovci, Afërdita Sadiku, Olta Kalludra etj. Prandaj, arma e më e fortë do të ishte që klubet të organizohen fije e për pe dhe të kenë strukturë të fuqishme sidomos anën e mirë financiare, për faktin  se kur rritet cilësia shtohet shikueshmëria dhe pa dyshim se Federata do të mbetet nën hije.  Shikuesi do cilësi dhe për t’u kënaqur me lojën e bukur dhe fare ose hiq nuk intereson se kush udhëheq apo administron me FVK-në. Sepse FVK janë argatë që duhet të punojnë në organizimin e garave, por nëse aty ka parregullsi dhe fakte shumë të forta për keqpërdorime, duhet të gjitha të dërgohen në prokurori të shtetit. Shpresojmë se në vitin 2018 do të kemi rritje të cilësisë dhe klubet të jenë më të organizuara e përforcuara!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat