Një amerikano-latine te Partizani

Volejboll

Një amerikano-latine te Partizani

Më: 29 janar 2018 Në ora: 19:25
Gisel Medina Chacoa

Skuadra e Partizanit të Tiranës në volejboll për femra është përforcuar orët e fundit me një lojtare nga Amerika Latine. Bëhet fjalë për 19-vjeçaren Winderlys Gisel Medina Chacoa, e cila vjen nga Venezuela, anëtare e ekipit kombëtar U-20 të këtij vendi, e cila për herë të parë luan në Europë. Volejbollistja 1.85 metra e gjatë ka mbërritur dje në Tiranë dhe sot ka nisur menjëherë stërvitjen me skuadrën e kuqe, nën drejtimin e trajnerit Roland Tarja. Volejbollistja Winderlys Medina është një shutere (luan në pozicionin 4) dhe është gjithashtu një pritëse e mirë e topit të parë, raporton telesport.

Një përforcim me shumë vlera për skuadrën e “kuqe”, aktualisht në vendin e tretë të Grupit A1 në Kampionatin Kombëtar, në kuotën e 14 pikëve, me 5 fitore dhe 2 humbje. Medina pritet ta rritë ndjeshëm forcën sulmuese të Partizanit, që këtë sezon synon titullin kampion në kampionat. Lojtarja ka kohën e mjaftueshme për t’u ambientuar me skuadrën e re, duke qenë se faza e dytë e kampionatit për femra do të nisë më datën 10 shkurt. Për momentin, ajo është lojtarja e vetme e konfirmuar si transferim në merkaton e dimrit në volejbollin shqiptar, merkato që do të përfundojë më datën 31 janar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat