Prenga: Dinamo, përvoja ime më e vlefshme në karrierë - Bota Sot
Prenga: Dinamo, përvoja ime më e vlefshme në karrierë

Volejboll

E premte, 19 tetor 2018

Prenga: Dinamo, përvoja ime më e vlefshme në karrierë

Më: 30 janar 2018 Në ora: 12:37
Arjola Prenga

Arjola Prenga, volejbollistja e Kombëtares Shqiptare, nga Norvegjia ku vazhdon karrierën, shpjegon arsyet pse volejbolli ynë ka mbetur pas të gjitha vendeve të tjera të rajonit

Karriera tek ekipi i Dinamos, me profesor Kreshnik Tartarin, dhe vite më vonë, me profesor Vangjel Kojën, mendoj se mbetet eksperienca më e vlefshme për mua,” - thotë Arjola Prenga, një ndër volejbollistet më të dalluara shqiptare, gjatë dy dekadave të fundit, e cila është edhe simbol i atyre sportisteve që nuk dorëzohen lehtë. Kur të gjithë menduan se Arjola i ka dhënë fund karrierës së saj si volejbolliste, ajo është rikthyer ndonëse jo e përkushtuar 100 për qind, në një vend të largët e të ftohtë, të kontinentit.

“Adrenalina për të luajtur me kombëtaren në Ligën Europiane, më riktheu përsëri në parket, duke spostuar planet e mia për t’u rikthyer në Norvegji,” – thotë Arjola, në një intervistë për “Albanian Free Press”, ku zbulon arsyet e këtij rikthimi, si dhe përvojën e saj të gjatë si volejbolliste.

Arjola, karriera juaj ka kaluar në disa klube, brenda dhe jashtë vendit. A mund të veçoni se cila ka qenë përvoja juaj më e mirë?

Është shumë e vështirë të veçoj apo të bëj diferencën, sepse çdo sezon dhe çdo klub, ka qenë një përvojë shumë e bukur. Megjithatë, të filloja karrierën tek ekipi i Dinamos, me profesor Kreshnik Tartarin, dhe vite më vonë me profesor Vangjel Kojën, mendoj se kjo mbetet përvoja më e vlefshme për mua! Ndërsa jashtë, nuk do harroj asnjëherë përvojën në SHBA, me trajner Glen Conley.

Vendosët të riktheheshit sërish në Norvegji ... E kënaqur me eksperiencën tuaj të re?

Fakti që vendosa të rikthehesha, do të thotë se me të vërtetë jam e lumtur këtu. Megjithatë, ndryshe nga herë të tjera, volejbolli është në plan të dytë momentalisht.

Norvegjia është një ndër vendet më të ftohta të Europës, sidomos në këtë periudhë, por është edhe ndër vendet më të zhvilluara me infrastrukturë e sporte të zhvilluara. Ju mungon sërish Tirana?

Norvegjia, ashtu si shumë shtete të tjera në Europë, sigurisht që bën diferencë me Shqipërinë, në infrastrukturën sportive. Por kjo nuk do të thotë se mua nuk më ka munguar Shqipëria, apo nuk më mungon. Sigurisht, gjithkujt i mungon vendlindja. Kushtet që na plotësohen jashtë Shqipërisë, do të donim t’i kishim atje, në mënyrë që mos të largoheshim nga familjarët apo shoqëria, dhe rezultatet sportive, pse jo, t’i përjetonim në vendin tonë.

Patët një pauzë, para se të riktheheshit sërish në vendin nordik? Pse u shkëputët gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar nga volejbolli?

Faktikisht, kisha menduar që sezoni i kaluar do të ishte i fundit për mua, por adrenalina për të luajtur me kombëtaren në Ligën Europiane, më riktheu përsëri në parket, duke spostuar planet e mia për t’u rikthyer në Norvegji. Megjithatë, momentalisht po stërvitem dhe po luaj për ekipin e Liernës, këtu ne Norvegji, por jo ashtu siç më keni parë gjithmonë, e përfshirë profesionalisht 100% . Por fakti që po ndihmoj sportistet e reja me eksperiencën time, më bën të ndihem shumë mirë, edhe pse nuk i dihet asnjëherë si do të jetë e ardhmja.

Ndërkohë, a besoni se ka politika të mjaftueshme shtetërore në vendin tonë, për t’i ardhur në ndihmë volejbollit si sport masiv e i zhvilluar që ka qenë, e vazhdon të jetë në vendet e rajonit e të Europës?

Kjo çështje ka kohë që qarkullon mes nesh, në mesin e të gjithëve, dhe do të thotë që asgjë nuk ka avancuar. Të gjithë themi duhet të ndryshojë kjo apo ajo, por asgjë nuk po ndryshon. Megjithatë, kur flas për volejbollin, një dritë jeshile po shikojmë. Me ardhjen e presidentit, Erli Pëllumbi, kemi parë edhe ndjerë ndryshimin, si në ekipet kombëtare të të gjitha moshave, ashtu edhe në garat e kampionatit. Por sigurisht që duhet kohë edhe shumë punë nga të gjithë, për rezultate pozitive. Dhe për sa kohë drejtuesit e Federatës së Volejbollit po punojnë me seriozitet, shpresoj dhe uroj që volejbolli të rikthehet me po të njëjtat emocione dhe mbështetje si dikur, edhe pse janë kohë të tjera.

Jeni prej shumë vitesh, pjesë e Kombëtares. A keni pasur ndonjëherë shqetësimin se në Kombëtaren tonë, nuk zgjidhen më të mirët?  

Përgjigje të tillë, nuk jam as e para edhe as e fundit që po e jap, por mbase jam ajo që ka pasur guximin për të ngritur zërin. Sigurisht që, ka pasur (gjithmonë sipas mendimit tim), megjithatë vendimet i marrin trajnerët. Edhe të jesh në vendin e trajnerit, nuk është e lehtë. Dikush mund të veprojë me koshiencë, dikush jo, por në fund gjithmonë dikush është lënduar. E rëndësishme për sportistët, ashtu si për çdo person tjetër, është që mos të lejojnë asnjëherë askënd dhe asgjë që të ndërhyjë tek ëndrrat apo pasioni tyre. Përgjegjësinë e përzgjedhjes ndershmërisht apo jo, le ta mbajnë ata që përcaktohen për të bërë më të mirën për Kombëtaren Shqiptare, si në volejboll, ashtu edhe në sportet e tjera në Shqipëri.

Kombëtarja e Volejbollit të femrave e Serbisë, u shpall kampione e Europës pak kohë më parë. Çfarë mendoni se i dallon ekipet e dy vendeve tona?

Kampione Europës edhe finaliste në Lojërat Olimpike. Kam ndjekur edhe ndjek gjithmonë, thuajse të gjitha kampionatet më të forta në botë apo edhe garat që zhvillohen nga Federata Botërore edhe ajo Europiane. Jo vetëm Serbia, por të gjitha shtetet e Ballkanit që na rrethojnë, janë disa hapa para nesh. Kjo sepse ato kanë vite e vite që punojnë për të arritur rezultate, me një perspektivë për 5 apo 10 vite. Uroj të jemi edhe ne tani, në rrugë të mbarë dhe të punojmë të gjithë që, edhe kombi ynë të arrijë një rezultat të tillë në të ardhmen!

Të rinjtë dhe të rejat sot në Tiranë e Shqipëri, humbin shumë kohë nëpër rrjetet sociale apo kafene. Nga përvoja juaj jashtë, ky fenomen haset kudo?

Është shumë e vërtetë, ky fenomen po haset gjithkund. Është e trishtueshme të shikosh se në çfarë pike jemi. Fëmijët me telefona dhe çdo lloj mjeti elektronik nëpër duar dhe shumë pak fizikisht aktivë. Po të rikthehem në fëmijërinë time, unë e kaloja kohën duke luajtur, çdo lloj loje që më mbante fizikisht aktive. E di që shumë nga ata që po lexojnë, do t’u rikthehen kujtimeve njësoj si unë apo edhe të tjerë që nuk do e kuptojnë. Por më lejoni t’ju them se, bashkë me motrat e mia, sa herë që bëhemi bashkë, luajmë të njëjtat lojëra dhe përsëri rikthehemi tek rrjetet sociale, sepse do të postojmë video apo foto nga momentet kur po luanim. Kështu që, duam apo jo sot, të gjithë jemi të varur nga telefonat. Ajo që duhet bërë, është t’i përdorim sa më pak. Personalisht, u bë kohë që nuk jam aq aktive sa më parë. Sa për shpenzimin e kohës dhe të parave nëpër kafene, asnjëherë nuk e kam kuptuar fenomenin në fjalë e madje nuk kam qenë fanse e kafeneve, kur ato frekuentohen thuajse çdo ditë.

Mendoni se mungojnë mjediset që ata të edukohen më mirë për t’u marrë me sport, ka mungesë vullneti nga ana e tyre, apo jemi e tërë si shoqëri përballë një orientimi të gabuar?

Kjo pikë është shumë delikate, sepse të gjithë e dimë që çdokush sot zotëron një telefon për të kontrolluar rrjetet sociale. Mund të kemi edhe rregulla që, në orarin e punës nuk lejohet telefoni, por ama të gjithë e përdorin, sikurse në çerdhe dhe kopshte edukatoret, në shkolla apo universitete profesorët. Prandaj, kjo duam apo s’duam na mban larg komunikimit apo orientimit se çfarë është më e mira për fëmijët dhe të rinjtë. Por jo më pak rëndësi kanë prindërit, sepse pikë së pari përgjegjësinë më të madhe e ka prindi. Për këtë temë mund të flitet pa fund, por le të veprojmë të gjithë për ta ndryshuar sadopak!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test