Abazi: Shkojmë në Strumicë vetëm për fitore

Volejboll

Abazi: Shkojmë në Strumicë vetëm për fitore

Nga: Kemajl Goca Më: 6 mars 2018 Në ora: 15:45
Laureta Abazi

Volejbollistet e Universitetit të Tetovës nesër synojnë fitore në Strumicë kundër Viktori Volej, në ndeshjen e vlefshme të Kupës së Maqedonisë (femrat). Vashat tetovarë synojnë të gjitha trofetë në Maqedoni. Universiteti së bashku me Planet nga Shkupi prinë me nga 24 pikë pas 11 jave në Superligë dhe janë kandidatë kryesorë për titull. Trajnerja e palodhshme e Universitetit Laureta Abazi tha se do të kanë mjaftë të vështirë të triumfojmë kundër disa ekipeve duke e pasur parasysh edhe referimin jo të drejtë të gjyqtarëve.

“Bota sot”: KV Planet nga Shkupi kryeson me 24 pikë, sa ka edhe Universiteti në vend të dytë, Kumanova është në pozitën e tretë dhe Jahta Volej i katërti me 23 pikë. Një luftë e madhe për titull, ku i sheh përparësitë e Universitetit?

Laureta Abazi: Me të vërtetë do të jetë një luftë e padiskutueshme mes 4 ekipeve të para që kryesojnë tabelën, do të kemi mjaftë të vështirë të triumfojmë kundër tyre duke e pasur parasysh edhe referimin jo të drejtë të gjyqtarëve, por unë shpresoj dhe mbështetem në vajzat e mia se ato do të bëjnë të pamundurën që të kenë paraqitje shumë të mira, të jenë jo 6 po 12 në fushë sepse veç me angazhim maksimal do të triumfojmë.

“Bota sot”: Tri pikë i morët në Kumanovë, duke mposhtur rivalen kryesore, Kumanovën me rezultat 3:1. Një ndeshje, sipas jush pa drita e me referim tendencioz, ku ishte arma e kësaj fitore?

Laureta Abazi: Lojë maratone do të kisha thënë, në setin e dytë kur avanconte kundërshtari 1:0 në sete, dhe 2:0 për ne seti i dytë duke u zhvilluar u fikën dritat për 1 orë të plotë, ndeshje të cilën me çdo kusht kundërshtari donte me marr momentin që ne lëshonim fushën, por ne duruam edhe pse bënte ftohtë pasi e deshëm fitoren më shumë se kundërshtari. Kualiteti dhe angazhimi maksimal i gjithë vajzave solli këtë fitore dhe automatikisht zbritëm poshtë neve KV Kumanovën. Tash duhet të mendojmë për ndeshjet në vijim dhe shpresojmë në fitore të reja edhe pse në play-off vendoset gjithçka kush do të merr trofeun këtë sezon, ku besoj dhe shpresoj që sivjet ky trofe i takon KV Universitetit.

“Bota sot”: Të mërkurën (nesër) sfidoheni nga Viktori Volej e Strumicës,  ndeshje për Kupë, si e sheh Universitetin dhe ku është rreziku më i madh nga rivalja?

Laureta Abazi: Të mërkurën udhëtojmë për Strumicë, ndeshje ku duhet patjetër me triumfuar pa marrë parasysh setet sepse të mërkurën që vjen luajmë lojën e kthimit dhe me dy fitore shkojmë në gjysmëfinale, andaj mendoj se nuk do ta kemi lehtë, na pret një betejë tepër e vështirë por nuk vendoset gjithçka të mërkurën pavarësisht rezultatit. Ne e njohim ekipin në fjalë dhe pa diskutim shkojmë në Strumicë vetëm për fitore.

“Bota sot”: Pothuajse pesë ekipe në garë për titull, cilën e sheh rivalen më të madhe?

Laureta Abazi: Katër ekipe do luajnë në play-off por besoj se rivale të vetme dhe shumë serioze është Planet Voley nga Shkupi, ekip shumë profesionist dhe me ambicie të mëdha por shpresoj që edhe këtë ta fitojmë dhe kalojmë pengesën që të rrëmbejmë titullin. Dëshiroj që mos kemi lojtare të lënduara sepse një hendikep i tillë na ndodhi ndeshjen e parë dhe si rrjedhojë humbëm ndeshjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat