Shkodra: Kush më mirë se femrat mund t’i udhëheqin klubet!

Volejboll

Shkodra: Kush më mirë se femrat mund t’i udhëheqin klubet!

Nga: Kemajl Goca Më: 14 mars 2018 Në ora: 13:37
Mimoza Shkodra

Volejbolli gradualisht po rritet në cilësi dhe më së miri e dëshmon edhe me kategorizimin e sporteve nga ana e MKRS-së dhe e KOK-ut, ku sporti skofiar është në grupin A apo siç thuhet në zhargonin sportiv në ‘Ligën e Parë’. Ish volejbollistja e mirënjohur, Mimoza Shkodra, aktualisht nënkryetare e Federatës së Volejbollit të Kosovës, në intervistën për gazetën kombëtare ”Bota sot”, tregon për peripecitë që ballafaqohen dhe për projektet që kanë si federatë, si dhe për të arriturat në vitet e fundit.

“Bota sot”: A e vlerësoni se volejbolli ka rritje në përgjithësi?

Mimoza Shkodra: Nëse bëhet fjalë për rritje të cilësisë, nuk mund të themi që jemi në nivelin që ne mund të jemi të kënaqur, por rritje prapë ka, edhe pse me hapa të ngadalshëm, ngaqë volejbolli kërkon kohë dhe vite që të arrijmë në nivelin që ne e kërkojmë. Ndryshe ne si FVK jemi duke u munduar që fokusin ta kemi tek moshat e vogla, të cilat sjellin volejbollistë dhe volejbolliste më cilësore të ardhmen dhe ky është një projekt afatgjatë por që është i mundur,  tani kemi fituar një projekt nga CEV, Federata Evropiane e Volejbollit për shkolla që do të ndihmoj shumë në masovizim më të theksuar të fëmijëve që të merren me volejbollin, dhe gjithashtu klubet e volejbollit që deri tani nuk kanë patur të themeluar shkollat, tani vetëm se kanë i kanë formuar si Vllaznia e Gjakovës dhe Besa e Pejës.

“Bota sot”: Sa i kushtohet rëndësi volejbollit femëror?

Mimoza Shkodra: Volejbolli femëror në Kosovë është me e mira ndër të gjitha ligat tjera sportive, psh. U-18 nga Komiteti Olimpik është shpallur përfaqësuesja më e mirë në nivelin e Kosovës dhe është e vetmja kategori e sporteve kolektive me medalje të bronztë në nivelin ballkanik. Kjo është për të ju falënderuar në radhë të parë skuadrave dhe trajnerëve të tyre që punojnë me vajzat pa ndërpre. Ndërsa ne si FVK ju kushtojmë rëndësi të gjitha kategorive të dy gjinive njëjtë dhe këtë e kemi obligim të mos bëjmë ndasi gjinore.

Mua më vjen keq një gjë tjetër për femrat në volejboll, ngaqë  jemi vetëm dy femra në bordin drejtues të FVK- së, ndërsa ligat e femrave i kemi më të mira se ato të meshkujve në të gjitha kategoritë, por shfrytëzoj rastin që të apeloj skuadrat që të dërgojnë delegate femra në zgjedhjet e federatës çdo herë që ndodhin ato dhe përfaqësimi të jetë i mjaftueshëm.

Image

Mimoza gjatë një mbledhje

“Bota sot”: Cili është plani konkret për zhvillimin e sportit skofiar?

Mimoza Shkodra: Ne si FVK kemi disa plane të cilat edhe po mundohemi çdo ditë që të bëjmë punë dhe të ngrisim kapacitetet për zhvillimin e volejbollit, por nuk është aspak e lehtë. Unë tani më kryesoj komisionin për zhvillim të volejbollit dhe po presim që të aplikojmë për projekte të reja në dy federatat ndërkombëtare, mirëpo vetëm duhet pritur kohën që të bëjmë aplikimet sepse ato kanë kohët e caktuara për ti bërë dhe nuk lejohet që të aplikojmë kur të duam ne. Por ne si komision i kemi vënë fokus të veçantë shkollat apo të grup-moshave të reja të cilat duhet kohë të presim por jam e sigurtë që na sjellin cilësi të ardhmen për përfaqësim më të mirë në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: A duhet klubet të organizohen më mirë, të kenë sa më shumë femra në kryesi?

Mimoza Shkodra: Po, patjetër. Këtë e thash edhe më herët. Përderisa kemi skuadra të femrave të organizuara mirë, kush më mirë se femrat mund edhe ti udhëheqin ato.  Unë jam shumë për ti përkrahur femrat, shumë.

“Bota sot”: Ku stagnon më shumë volejbolli?

Mimoza Shkodra: Unë mendoj se në periudhën e fundit pak kemi prodhuar lojtarë të mirë, dhe kjo na hakmerret për një periudhë më të gjatë në përfaqësim në arenën ndërkombëtare. Dhe kjo nuk varet vetëm nga FVK. Për t’u bërë një lojtarë i cilësisë së lartë në volejboll duhet së paku të presim 12 vite, dhe kjo është një periudhë që kërkon vullnet, durim, punë, sfidë, sakrificë dhe financa të mira,  gjë që disa skuadra këtë të fundit nuk e posedojnë dhe për këtë më vjen shumë keq dhe mendoj se lëngon volejbolli në përgjithësi.

“Bota sot”: Tash e disa vite marrin pjesë klubet në garat evropiane, mungojnë rezultatet, por çfarë duhet ndryshuar?

Mimoza Shkodra: Duhet patur parasysh që ne jemi vetëm nga viti 2015 të pranuar në CEV dhe FIVB. Që do të thotë se pak kohë kemi dhe nuk mund të presim suksesin maksimal duke e ditur që çfarë shtete të mirëorganizuara me vite kemi përball. Por ne prapë kështu të vonshëm kemi medalje në BVA, dhe jemi përfaqësuesja e parë në sportet kolektive.  Por nuk është për t’u vetëkënaqë sepse kemi shumë punë përpara nga i gjithë komuniteti i volejbollit bashkë.

“Bota sot”: Si i sheh kombëtaret, më të organizuara, me nivel më të mirë se vitet paraprake?

Mimoza Shkodra: Me të thënë të drejtën ngaqë unë kam qenë lojtare e përfaqësueses ndoshta nuk më bije të flas, dhe s’dua aspak të injoroj, por përfaqësuesja në të kaluarën merrte pjesë në disa turne ku  një prej tyre quhej “Turneu i Adriatikut” dhe organizohej në Itali. Aty ne kemi fituar vendin e tretë si përfaqësuese duke e mundur edhe kombëtaren e Shqipërisë në atëkohë. Ajo gjeneratë nuk është më, por besoj shumë që të rejat dhe të rinjtë janë në ardhje. Çka më mundon mua më së shumti është që skuadrat nuk kanë financat e mjaftuara për t’u mbajt, dhe kjo mendoj se është pengesa kryesore. Ne menduam se me Ligjin mbi sponsorizim do të ketë sponsor që do të ofrohen nga sporti, dhe sado pak do te filloj të ecë puna më mirë, por ende nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim.

Image

Organet e FVK-së

“Bota sot”: A është FVK më e organizuar se viteve tjera?

Mimoza Shkodra: Pa dashur të ironizoj aspak, dhe përherë duke e kuptuar se cilat kanë qenë mundësitë e FVK- së në të kaluarën, mendoj se tash është më mirë e organizuar, përgjithësisht ka qëllim të mirë nga i gjithë komuniteti. Tash për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kishim një organizim dyditorë që u cilësua i suksesshëm dhe gjithçka shkoi sipas planifikimit, po ashtu edhe kampionati po vazhdon mirë dhe me të gjitha planifikimet e bëra pa vonesa në kohë. Por ka ende për të bërë përherë, të paktën unë jam shumë entuziaste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat