Kajtazi: Kundërshtarin e finales e njohim shumë mirë - Bota Sot
Kajtazi: Kundërshtarin e finales e njohim shumë mirë

Volejboll

E enjte, 18 tetor 2018

Kajtazi: Kundërshtarin e finales e njohim shumë mirë

Nga: Kemajl Goca Më: 13 prill 2018 Në ora: 12:02
Xhavit Kajtazi

Prishtina Volley është në finalen e madhe të garave përfundimtare të Kampionatit të Kosovës në volejboll (meshkujt). Djelmoshat e Prishtinës dëshmuan cilësitë e tyre përballë Therandës, duke i eliminuar (në ndeshjen e gjysmëfinales) me rezultat të përgjithshëm 6:0, pasi që fituan të dyja takimet me 3:0. Kryetrajneri i Prishtina Volley-t, Xhavit Kajtazi, tha se gjasat janë 50 me 50 në luftë për titullin e kampionit. 

“Gjithçka që kemi arritur deri më tash ka qenë rezultat i punës që kemi bërë së bashku dhe më vjen shumë mirë që kemi tejkaluar pritshmëritë e një skuadre që ka nisur kampionatin fillimisht për të siguruar mbijetesën, së dyti për, nëse na jepet rasti ta zëmë hapin me katërshen e gjysmëfinales së përfundimtares dhe së treti të konkurrojmë edhe për titull. Kjo tashmë është bërë realitet dh tash e them pa mëdyshje. Do të këmbëngulim të fitojmë  edhe titullin e kampionit. Lojtarë tanë tashmë janë bindur se kanë potencial, cilësi dhe mundësi që t'ia mësyjnë edhe titullit”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Kajtazi. Në finale kundër Pejës, ku janë përparësitë e Prishtina Volley-t? “Këtu gjasat janë 50 me 50. Por përparësia jonë është në harmoninë e grupit dhe në respektin që kanë të gjithë lojtarët për njëri-tjetrin. Kundërshtarin e finales e njohim shumë mirë, i dijmë përparësitë dhe cilësinë që kanë.

Kjo ne na motivon shumë për të bërë lojë angazhuese, cilësore dhe pse jo edhe të fitojmë. Mirëpo këtë po ia lëmë fushës. Le te flet loja. Një gjë e di dhe po e them. Asnjëherë nuk jemi dorëzuar para vështirësive. Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi as kësaj radhe. Aq sa e donë titullin kundërshtarët tanë, po kaq, në mos më shumë e duam dhe e synojmë me të drejtë edhe ne. Nuk jemi rastësisht në finale, apo jo?”, përgjigjet kryetrajneri i Prishtina Volley.  Më tutje tha se janë të kompletuar dhe të motivuar deri në pikën e fundit.

“Ne jemi një grup i kompletuar dhe i gatshëm dyqind për qind për lojë të rendimentit të lartë. Vetë finalja është motiv i madh për ne. Kemi arritur deri këtu fal punës dhe vetëm punës. Derisa të tjerët kanë bërë kalkulime dhe  matematike gjithfarësh, ne nuk e kemi bërë këtë dhe me vetëm një humbje e mbyllëm edicionin 2017/2018 si kampion i Superligës. Dy fitoret ndaj Therandës na mbushën me bindjen për të thënë hapur. Prishtina Volley e kërkon titullin. Është njerëzore të mendojmë kështu,, apo jo?”, thotë Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test