Gjinovci: Shpresojmë për një Kosovë më ndryshe në vitin tjetër

Volejboll

Gjinovci: Shpresojmë për një Kosovë më ndryshe në vitin tjetër

Nga: Kemajl Goca Më: 8 qershor 2018 Në ora: 17:43
Bahri Gjinovci

Kombëtarja e Kosovës në volejboll (meshkujt) pa asnjë fitore në Ligën e Argjendtë të Evropës!  Vetëm një set e fituan, në humbjen si vendas me 3:1 nga Maqedonia, ndërsa përballjet me Austrinë dhe Letoninë i humbën me rezultat maksimal (3:0). Pavarësisht rezultateve gjithsesi se ka qenë përvojë e mirë për djelmoshat e kombëtares së Kosovës. Ata u angazhuan me të gjitha forcat por vështirë të arrihej më shumë ndaj rivalëve me përvojë. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Bahri Gjinovci, tha se sikur t’i ishin të kompletuar me disa nga volejbollistët e shquar, që iu pamundësua paraqitja në Kombëtare padrejtësisht, gjithsesi se rezultatet do të ishin më ndryshe dhe në favor të tyre.    

“Bota sot”: Kosova pa fitore ne Ligën e Argjendtë të Evropës, a është pritur një bilanc negativ?

Bahri Gjinovci: Kosova për herë të parë mori pjesë në gara të këtij niveli, sipas meje nuk kemi mundur të bëjmë ndonjë befasi që ndoshta shumë kush e ka pritur. Vet fakti që na mungon përvoja ndërkombëtare përveç pjesëmarrjes dinjitoze nuk kemi mundur të arrijmë më shumë. Por sikur t'i kishim disa volejbollist që luajnë jashtë Kosovës rezultatet do të ishin ndryshe.

“Bota sot”: Në grup me Austrinë, Maqedoninë e Letoninë, rival shumë të fortë?

Bahri Gjinovci: Për në çdo nivel ka qenë i fortë, pra edhe shtetet që i përmendet ju. Ato kanë traditë, kontinuitet dhe natyrisht cilësi më të madhe se ne. Sikur këto shtete ta kishin fatin e Kosovës, jam i bindur se do ta kishin të njëjtin fat sikur ne, ku dihet që më shumë se 30 vite kemi qenë të privuar nga e drejta për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.

“Bota sot”: A ishte një përvojë e mirë?

Bahri Gjinovci: Sigurisht që po. Tash ne na mbetet që t’i analizojmë një nga një të gjitha paraqitjet tona dhe të mësojmë nga këto përvoja. Çdo ndeshje për ne ka qenë një histori, po shpresojmë vitin tjetër do të jetë një Kosovë më ndryshe.

“Bota sot”: Çfarë mësuat nga këto kualifikueset të meshkujt dhe çka u duhet në të ardhmen?

Bahri Gjinovci: Mësuam shumëçka, në radhë të parë, identifikuam nivelin e cilësisë së volejbollit me një pjesë të Evropës dhe pamë praktikisht nga afër. Dhe ne po synojmë të transformohemi dhe të jem pjesë e kësaj loje moderne.

“Bota sot”: A ka shpresë Gazmend Husaj e Adriatik Kajtazi t’i bashkohen kombëtares së Kosovës?

Bahri Gjinovci: Po! Përveç këtyre ka edhe disa emra që mundë të jenë pjesë e kombëtares tonë. Ne do të lobojmë që t’i kemi në radhët tona, si Husajn, Kajtazin, Lushtakun, Tashollin e disa të tjerë. Do të kishim dëshirë t’i kemi në kombëtare të Kosovës, sepse ata janë nga Kosova dhe kanë dalur nga Kosova.

“Bota sot”: Kombëtares i mungon shtatlartësia, fondi i lojtarëve cilësorë apo ndikon edhe liga e dobët në vendin tonë?

Bahri Gjinovci: Nuk dua të paragjykojë nga asnjëra prej tyre, nga secila mungesë ka shtegdalje, vetëm duhet të punojmë, t’i vërtetojmë  shembujt e mirë, dhe shtatlartësinë e munguar ta kompensojmë me zhdërvjelltësinë e lojtarëve që zakonisht është në traditën tonë, por ka mundësi që edhe  shtatlartësin të kemi në nivelin Evropian. Paramendoni sikur ti kishim Gazmend Husajn, që luan në Francë, Adriatik Kajtazin ndër pasuesit më të mirë, Bardhyl Hajdarin që pa të drejtë ju pamundësua paraqitja për Kosovën dhe u vërejt mungesa e tij në loje, Dardan Lushtaku që aktualisht luan për kombëtaren e Suedisë, Fation Tasholli që luan në Itali etj. Me këta djem që po luajnë jashtë vendit dhe më shumë të tjerë që janë pjese e Superligës së Kosovës, sukseset do të ishin më të mira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat