Liga e Europës, Shqipëria nesër sfida gjysmëfinale ndaj Suedisë

Volejboll

Liga e Europës, Shqipëria nesër sfida gjysmëfinale ndaj Suedisë

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 18:30
Shqipëria

Nesër pasdite, në Nykoping të Suedisë, do të luhen ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Europës në volejboll për femra, divizioni i Argjendtë. Në fazën finale është kualifikuar edhe Shqipëria, e cila në fazën e grupeve u rendit e dyta (Grupi B), duke siguruar të drejtën për të shkuar në “final four” së bashku me Austrinë (e para në grupin B), Suedinë dhe Estoninë (këto të dyja vijnë nga Grupi A).

Sipas shortit, Shqipëria do të luajë më Suedinë organizatore të kësaj faze, ndeshyje e cila do të luhet në orën 16:00, ndërsa në orën 19:00 do të luhet gjysmëfinalja tjetër midis Austrisë dhe Estonisë. Kombëtarja kuqezi e drejtuar nga trajneri Altin Martiri ka mbërritur sot në Suedi dhe është gati për përballjen ndaj kombëtares vendase, në një takim të vështirë për vajzat shqiptare.

Në fazën e grupeve, Shqipëria arriti 5 fitore dhe 1 humbje, duke bërë një paraqitje të mirë dhe për herë të parë pas tri sezonesh radhazi, arrin të kualifikohet për në fazën finale. Grupi i vajzave dhe stafi kanë arritur objektivin për të shkuar në fazën finale, por Shqipëria do të tentojë të bëjë surprizën në këtë event, duke tentuar fitoren e kupës dhe kualifikimin në Divizionin e Artë sezonin tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat