Luboteni kërcënon me pezullim të komunikimit me FVK-ën

Volejboll

Luboteni kërcënon me pezullim të komunikimit me FVK-ën

Nga: K. G. Më: 18 qershor 2018 Në ora: 14:24
Ilustrim

Klubi i volejbollit Luboteni nga Ferizaj, reagon përmes një komunikate, duke kërcënuar se edhe mund të pezullojnë aktivitetin me Federatën e Volejbollit të Kosovës.

“Kryesia e KV “LUBOTENI”, mbajti mbledhje për të analizuar veprimet mospërfillëse të Federatës së Volejbollit të Kosovës – FVK ndaj Klubit të Volejbollit “LUBOTENI” dhe për këtë qëllim, mori vendim për aktivizëm social–sportiv, e konkretisht:

Reagim publik në media;
Bojkotim të aktiviteteve të FVK;

Sqarim:

Asnjë anëtar i KV “LUBOTENI nuk është ftuar për të qenë pjesë e komisioneve apo trupave punues, në Bord, komisione, këshilla profesionale apo trajner në grupmosha.

Kryesia e Klubit të Volejbollit “LUBOTENI”, sqaron të gjithë sportdashësit dhe opinionin e gjerë publik se KV “LUBOTENI”, ka afër pesë (5) vite që po hedh themelet e historisë moderne të volejbollit kosovar, me organizim dhe rezultate.

Për këtë çështje, jemi të hapur të presim çdo person fizik apo juridik ose çdo institucion privat apo shtetëror për t‘i raportuar për punën e KV “LUBOTENI” dhe mbi të gjitha raportet financiare, në bazë dhe për zbatim të normimit pozitiv sportiv dhe financiar të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Kemi krijuar dhe mirëmbajmë një bazë legale të funksionimit të klubit si një klub serioz ku kryesia e klubit funksionon si ekip me role të ndarë. Familjarizmi, dembelët, të pa aftit profesionalisht dhe mediokriteti apo diletantizmi nuk kanë vend në klubin tonë.

Mospërfshirja dhe mos angazhimi i përfaqësuesve të KV “LUBOTENI”, në FVK nuk mund të kuptohet ndryshe veç një hakmarrje nga ana e kryetarit aktual të FVK, Abedin IBRAHIMI, për shkak se KV “LUBOTENI”, nuk e ka përkrahur kandidimin e tij dhe vazhdon në mënyrë objektive të mos e përkrahë një menaxhment jo profesional dhe diskriminues të klanizimit të FVK, për të shantazhuar dhe zhveshur nga çdo vendim marrje  racionale, siç po vazhdojnë te bëjnë gjatë dy viteve të fundit.

Ne kemi shumë vërejtje në menaxhimin e federatës nga ky kryetar i kontestuar, jo vetëm një herë dhe jo vetëm nga ana jonë, si dhe bordit aktual, për menaxhimin apo procedurat që ndjek në vendim marrje.

Kjo është si rezultat i moralit, njohurive dhe vullnetit të munguar nga ana e pjesëtarëve të FVK dhe nuk pritet më mirë nga kjo kllapë njerëzish që synim kryesor kanë personalizimin e çdo gjëje në FVK dhe nënshtrimit të interesave të nepotizmit, jo profesionalizmit dhe shpërblimit kundër moralit dhe ligjit të vartëseve dhe vasalëve të tij që janë shitur për pak send në dëm të interesave objektive sportive, morale, bazës legale-procedurale  dhe kombëtare të FVK.

Së fundmi, FVK ka dërguar një e–mail në drejtim të KV “LUBOTENI”, ku njofton për Vendimin e datës 13 qershor 2018, se është bërë përzgjedhja e trajnerëve të grupmoshës U–20, të ekipit të meshkujve. Trajnerët e përzgjedhur nuk janë nga KV “LUBOTENI”, armiku imagjinar i FVK, por është zgjedhur Xhavit Kajtazi nga KV “Prishtina Volley”, për të cilin dorën në zemër kemi respekt, por nuk është korrekte, objektive apo e drejtë që edhe Selektori i seniorëve të jetë nga KV “Prishtina Volley” (Bahri XHINOVCI). Edhe ky te U–20.

Shkelja esenciale e Bordit të FVK në këtë rast është se në bazë dhe për zbatim të Statutit të FVK, Parashtrimin e propozimeve për emërim dhe shkarkim të trajnerëve të reprezentacioneve të Federatës për Bordin e bën Këshilli Profesional. Bordi i përcakton kriteret per emërimin e trajnerëve dhe reprezacioneve[1].

Kjo gjë nuk ka ndodhur fare, por Bordi duke anashkaluar të gjitha normat morale dhe ligjore ka marrë vendim më vete, pa u konsultuar me asnjë strukturë tjetër.

Për të treguar joprofesinalizmin e tyre Bordi dhe trajnerët e zgjedhur në të njejtën shkresë kërkojnë nga Kryesia e KV “LUBOTENI”, që t‘ju dërgojnë emrat e tre lojtarëve nga KV “LUBOTENI”, për Përfaqësuesen e Kosovës U–20, që nënkupton se FVK, Bordi dhe trajnerët respektiv, nuk dijnë se kush dhe çfarë luan dhe për çfarë pozitash të lojtarëve kanë nevojë, d.m.th., duan të bëjnë një grumbull lojtarësh pa asnjë filtrim dhe pozicionim. Pra, trajnerët nuk kanë fare njohuri për këtë grupmoshë e kështu ju mbetet klubeve të vendosin se kë të dërgojnë sipas qefeve të tyre.

Ne mendojmë se trajneri i KV “LUBOTENI”, Z. Arsim LOHAJ, është më se i merituar dhe më profesionali për të udhëhequr jo vetëm këtë grupmoshë, por edhe të jetë pjesë e trajnerëve të përfaqësueses së seniorëve të Kosovës.

Ai ka dëshmuar rezultate të jashtëzakonshme përgjatë këtyre pesë (5) viteve të fundit duke menaxhuar KV “LUBOTENI” në Ligën e Kampionëve – CEV Cup dhe Challenge Cup gjithsej në gjashtë (6) ndeshje ndërkombëtare ku skuadra jonë ka rivalizuar me ekipe shumë herë më të forta. Po ashtu, në rrafshin e brendshëm ai ka menaxhuar ekipin e parë të KV “LUBOTENI” gati çdo vit në finale të Kupës dhe play Off. Po ashtu, ka arritur të shpallet katër (4) herë Kampion me grupmoshat U–14 (FVK nuk organizon gara për këtë grupmoshë), U–16 dhe U–18. Ai menaxhon me sukses shkollën e volejbollit “LUBOTENI”, shkollë me numrin më të madh të nxënësve të të gjitha grupmoshave në Kosovë – afërsisht 50 nxënës.

Një çështje tjetër ku klubi po jone po diskriminohet është edhe projekti i shkollave të Volejbollit ,qe FVK po mbështet gjithandej Kosovës , por nuk e ka pare te arsyeshëm te përzgjedh shkollën e klubit tonë, edhe pse për të njëjtin  projekt shkolla jone plotëson të gjitha kriteret  si për nga numri i nxënësve qe ndjekin stërvitjet tek ne , ashtu edhe për nga grup moshat, siç u cek me herët , ne kemi grup moshë (U14) për të cilën FVK akoma nuk organizon gara .

Andaj, kërkojmë nga Bordi i FVK që të rishqyrtojë caktimin e trajnerëve të kësaj grup moshe dhe të marrë parasysh caktimin e trajnerit Arsim LOHAJ. Përndryshe ne jemi të detyruar të pezullojmë komunikimin me FVK dhe nuk do të caktojmë asnjë lojtar nga klubi jonë në shërbim të FVK së”, thuhet nga KV Luboteni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat