Kajtazi: Rikthimi me një histori prapa

Volejboll

Kajtazi: Rikthimi me një histori prapa

Nga: Kemajl Goca Më: 15 korrik 2018 Në ora: 13:09
Xhavit Kajtazi

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës U-20 (meshkujt), Xhavit Kajtazi, thotë troç se pa klube të forta, nuk do të kemi as përfaqësuese të fortë. Kajtazi është prej trajnerëve më të vyeshëm e profesionist në vendin tonë, që zbulon e formon emra të rinj të sportit skofiar. Së fundi me Kosovë U-20 morën pjesë në Kampionatin Ballkanik U-20, që u mbajt në Bjelinë të Bosnjës dhe Hercegovinës.  

Ai në një letër të hapur për opinionin sportiv, përshkruan në detaje emocionet e tija duke kujtuar edhe periudhën e viteve të 80-ta. “Pas plot 33 vjetësh më rikthyen në postin që e kisha ushtruar me zell. Më saktë, Federata e volejbollit e Kosovës iu rikthye rrënjëve që për shumëçka mund të quhen historike, por edhe më shumë se kaq.

Nga viti i largët 1981 e deri më 1986 isha përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës (U20), dhe për kaq vite në këtë post ia dolëm të jemi fuqia e katërt në mesin e tetë shteteve të një krijese e cila nuk ekziston më. Kosova ia doli të ishte e denjë për çdo rival, duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina dhe Vojvodina. Vitin 1985 do ta kujtojmë posaçërisht për faktin se Kosova, asokohe, luajti për vendin e tretë, por nuk kishe gjasa praktike të fitonte ndaj Serbisë, edhe pse ishte në epërsi prej 2:0 në sete dhe kur pritej që edhe në setin e tretë të vazhdonte të ishte superiore (ishte në epërsi 13:0 dhe i duheshin edhe dy pikë, për të fituar 3:0), doli në skenë gjyqtari që pamundësoi gjithçka që e dërgonte Kosovën në vendin e tretë.

Në të vërtetë, edhe në dy setet vijues ndodhi e njëjta ngjarje, duke qenë padrejtësia ajo që ia pamundësoi përfaqësueses sonë që të fitojë medaljen e bronztë. Pasi me ndihmën e hapur të gjyqtarëve Serbia barazoi në 2:2, seti pestë, që po ashtu ishte dramatik, u mbyll me rezultat 17:15 për Serbinë, edhe pse Kosova ishte në epërsi 13:0! Volejbollistët e rinj, që po i drejtoja, në turneun e mbajtur në Strumicë të Maqedonisë (28-31 nëntor 1985) fituan kudër Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe ishin jashtëzakonisht konkurrues për një nga tri-katër vendet e para. Më pas, Kosova mundi edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, viteve vijuese dhe me cilësinë që kishte me të drejtë cilësohet ndër përfaqësueset favorite…

Pas shumë vitesh izolimi, që na kushtoi shumë, përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e të rinjve (U22) rinisi paraqitjen në arenën ndërkombëtare dhe ka shumë mundësi që brenda një periudhe afatmesme përsëri të paraqitet denjësisht dhe me fitore… Kosova mori pjesë në Kampionatin Ballkanik, që u mbajt në Bjelinë të BeH (4-9 korrik 2018), dhe pavarësisht mossuksesit, me kalimin e Kosovës besoj shumë se do të rritet në çdo pikëpamje. Mirëpo, për të synuar kulmin, duhet shumë punë.

Para 33 vjetësh cilësinë e solli puna e madhe në klube, e cila, për fat të keq, sot, mungon. Derisa të mos rritet puna në klube, përfaqësueset do të kenë vështirësi, sepse sado që grumbullimet 10-ditëshe janë të mirëseardhura, puna kryesore i takon secilës skuadër ta bëj me përkushtim gjatë gjithë vitit dhe në vazhdimësi. Pa klube të forta, nuk do të kemi as përfaqësuese të fortë në cilëndo grupmoshë qoftë”, shkruan Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat