Kajtazi: Përgjegjëse për mungesën e cilësisë së volejbollit janë klubet! - Bota Sot
Kajtazi: Përgjegjëse për mungesën e cilësisë së volejbollit janë klubet!

Volejboll

E hënë, 22 tetor 2018

Kajtazi: Përgjegjëse për mungesën e cilësisë së volejbollit janë klubet!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 gusht 2018 Në ora: 18:31
Kajtazi: Përgjegjëse për mungesën e cilësisë së volejbollit janë klubet!

Klubet e volejbollit mëtojnë të përforcohen në pozitat ku kanë më së shumti nevojë, që të janë sa më të përgatitur për edicionin e ri në Superligën e Kosovës (meshkujt).  Prishtina Volley ka planet e saja dhe ka kohë që e hulumton tregun vendorë, që të përforcohen me lojtarë të dëshmuar. Karakteristikë e klubit nga kryeqyteti është se tërë fokusin e kanë në lojtarë vendorë dhe as që mendojnë të marrin lojtarë nga jashtë. Xhavit Kajtazi, kryetrajner i Prishtina Volley, tha se një numër i lojtarëve më të mirë vendorë mund t’i bashkohen klubit të tij.  “Përgatitjet i fillojmë me 1 shtator.

Po planifikojmë të përforcohemi në disa pozicione ku ishim më të luhatshëm. Po presim të na bashkohen disa lojtarë cilësorë në ekipin tonë. Kemi nevojë për pozitën e korrektorit, që ta rrisim konkurrencën, po ashtu edhe në pozitën e qendrës, dhe të pranuesit. Në pozicione tjera jemi shumë mirë dhe jemi të kënaqur. Afati kalimtar ka filluar me 15 gusht dhe kryhet në fund të muajit, ta shohim se çfarë do të ndodhë dhe a do të arrijmë t’i realizojmë këto dëshira. Klubi ynë është i përqendruar vetëm në prodhim vendor, nuk kemi nevojë për të huajt. Kemi nevojë dhe detyrim t’i  ngrisim lojtarët tanë dhe atyre t’u japim hapësirë, që nga klubet tona të shkojnë në klubet evropiane dhe jo të bëjmë investime koti”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Kajtazi. 

Më tutje shpreh brengën se pak ka investime në sportin skofiar: “Gjendja është sikurse viteve të shkuara, kemi mungesë të mjeteve; kemi kërkuar ndihmë prej donatorëve dhe si duket askush nuk ka interes prej kësaj pune. Po presim thjeshtë ndonjë bamirës për lojën e volejbollit që të paraqitet të na ndihmojnë. E vetmja është mungesa e mjeteve që po paraqitet si barrierë për suksese më të mëdha”. 

Prishtina Volley nuk heq dorë nga lufta për trofe. “Ambiciet tona janë play-off-i, që të jemi sa më lartë dhe nuk heqim dorë edhe nga Kupa e Kosovës. Tash si ekip edhe kemi krijuar përvojë, edhe me këto plotësime që mund të bëhen dhe me rritjen e konkurrencës, do të jemi favoritë kryesorë për titullin e kampionit. Skuadrat tjetra që kanë luftuar për titull e që e kanë fituar tituj sigurisht do të përforcohen. Ne jemi të interesuar për lojtarë vendorë, që t’u japim mundësi për t’u dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare, dhe jo të investuar punë e mjete në lojtarë të huaj, për të fituar titullin dhe asgjë më shumë.

Pa punë nuk ka asgjë, puna e klubeve tona pasqyrohet te rezultatet e përfaqësueses dhe po shihen se çfarë janë ato. Mos të presim mrekulli në arenën ndërkombëtare sepse jemi si sport i një shteti dhe federate të re në Evropë. Shikoni Shqipërinë, mbi 100 vjet shtet dhe ka vështirësi të rritet edhe me skuadra edhe me kombëtare. Duhet t’u japim vullnet njerëzve dhe perspektivë këtyre të rinjve, duke u krijua kushte pune. Vullneti nuk mungon por duhet me iu ndihmuar edhe materialisht. Lojtari i ri kërkon afirmim dhe jo të mbetet anonim”, kritikon Kajtazi.

Ndryshe, Kajtazi është edhe përzgjedhës i kombëtares së Kosovës U-20 (meshkujt) dhe shpreh brengën mungesës së punës së punës në klube. “Fajtorë për këtë gjendje të volejbollit jemi ne klubet. Pak po punohet dhe nuk mund të fajësohet federata. Nëse kemi ekipe të forta kemi edhe përfaqësuese të mirë në arenën ndërkombëtare. Me lojtarë të huaj bëhemi kampion të Kosovës, por nuk arrijmë asgjë, pos shpenzime koti të parasë, pa kurrfarë planifikimi. Përgjegjësia duhet të bartet te klubet, që aty të punohet shumë. Përfaqësimi kombëtar sigurisht se do të ketë pasqyrë shumë më të mirë, madje edhe në arritjen e rezultateve pozitive, thotë Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test