Kombëtarja kuqezi humbet sfidën me Kroacinë

Volejboll

Kombëtarja kuqezi humbet sfidën me Kroacinë

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 10:53
Kombëtarja kuqezi humbet sfidën me Kroacinë

Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj është mundur 3:1 nga Kroacia në takimin e vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian, ndeshje e luajtur në Zagreb. Edhe pse kuqezinjtë fituan një set, të tretin dhe tentuan të rihapnin ndeshjen, nuk ia arritën qëllimit të përmbysnin shifrat dhe në fund vendasit korrën një fitore të merituar. Loja e Shqipërisë erdhi në rritje nga seti në set, por kur arriti kulmin e saj me fitimin e setit të tretë. ajo krejt papritur ra. Për kuqezinjtë e trajnerit Jani Melka kjo është humbja e dytë në tri takime të luajtura në Grupin D, teksa Shqipëria numëron edhe një humbje me Portugalinë (3-0) dhe një fitore me Austrinë (3-2 në Tiranë).

Ndeshja nis mirë për kombëtaren vendase, që në setin e parë shkëputet që në fillim dhe ka komandën e lojës në dorë, duke fituar me lehtësi 25-15. Kuqezinjtë e ngrenë disi ritmin e lojës në setin e dytë, por jo mjaftueshëm sa për të fituar, ndonëse duelohet deri në fund. Kroacia fiton 25-21, por loja merr një tjetër rrjedhë në setin e tretë. Shqipëria luan më mirë, mbron, organizon e sulmon me kujdes, duke fituar 25-19 dhe rihap ndeshjen për një moment. Por vetëm kaq, pasi vendasit mobilizohen dhe nuk tolerojnë më, rikthehen superiorë në fushë dhe fitojnë setin e katërt 25-14 e krejt takimin 3:1.

Të dielën (26 gusht, ora 20:00), kombëtarja kuqezi do të luajë sërish ndaj Kroacisë, këtë herë në Tiranë (në sallën sportive “Feti Borova”), ndeshjen që çel fazën e dytë të këtyre eliminatoreve të Europianit.

Kroaci – Shqipëri, 3-1 (25-15, 25-21, 19-25, 25-14).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat