Gjilani, gati për spektaklin e Kupës së Ballkanit!

Volejboll

Gjilani, gati për spektaklin e Kupës së Ballkanit!

Nga: Kemajl Goca Më: 13 shtator 2018 Në ora: 19:26
KV Drita

Kupa e Ballkanit në volejboll (femrat) është prej ngjarjeve më të mëdha që organizohet në Republikën e Kosovës përkatësisht në qytetin e Gjilanit që ka traditë sportin skofiar dhe ky organizim iu është besuar klubit kampion Drita nga Gjilani. Ky është një sukses i madh jo vetëm për Dritën por një fitore e madhe në përgjithësi për volejbollin tonë, që një ngjarje e tillë organizohet në palestrën e sportit “Bashkim Selishta – Petriti’ në Gjilan. Drita është në grup me ekipin turk Besiktas dhe atë rumun CSM Lugoj. Të premten (me 14 shtator, në orën 20.00) Drita takohet me Besiktasin, kurse me 15 shtator (20.00) me CSM Lugoj dhe me 16 shtator (20.00) ndeshen Besiktasi e CSM Lugoj.

Gjilani është para spektaklit të volejbollit dhe që organizohet për herë të parë në vendin tonë.  Kryetrajneri i Dritës, Lorik Ilazi, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë ngjarje të madhe dhe beson se me ekipin e tij do të dalin me rezultate sa më të mira. Po ashtu pritet edhe një numër i madh i shikuesve sidomos i tifozëve “Intelektualë” në përkrahjen e skuadrës gjilanase.

Image

Lorik Ilazi

“Bota sot”: Drita është organizatore e Ligës Ballkanike, a është një presion për klubin, ndërsa në anën tjetër a ndikon edhe në imazhin pozitiv për volejbollin tonë në përgjithësi?

Lorik Ilazi: Drita ka kërkuar të jetë organizatore e Ligës Ballkanike për ekipe dhe Asociacioni Ballkanik i Volejbollit ka vendosur dhe ka shpërblyer ekipin tonë, duke i besuar organizimin e këtij eventi të rëndësishëm për klube. Organizimi i eventeve të rëndësishme është privilegj për volejbollin e Kosovës.

“Bota sot”: Në grup me Besiktasin nga Turqia dhe CSM Lugoj nga Rumania, një grup i vështirë?

Lorik Ilazi: Për ekipet tona kosovare çdo ekip evropiane që është i organizuar është i vështirë, gjithmonë duke u bazuar në atë se ne jemi të rinj në Evropë dhe jemi në fitimin e eksperiencës dhe zhvillimin e drejtë të rrugës sonë për të ardhmen. Për mu ekipi i Besiktasit është favoriti i grupit.

“Bota sot”: Me çfarë gjasa e sheh Dritën?

Lorik Ilazi: Drita do të mundohet të jap maksimumin e vet dhe të tregoj një spektakël për shikuesit e vet në veçanti ‘Intelektualët’ që janë gjithmonë përkrah ekipit dhe qytetarët gjilanas, që në numër të madh këtë vit kanë shijuar rezultatet e Dritës.

“Bota sot”: A mendoni se palestra do të mbushet me shikues dhe a e keni përkrahjen e ‘Intelektualëve’?

Lorik Ilazi: Ne i thërrasim që të gjithë të jenë në palestër, të dëshmojnë si gjithmonë se Gjilani vërtetë ka kulturë dhe traditë si dhe e don sportin e volejbollit, ku shumë herë ka thyer edhe rekordet e veta me shikueshmëri, numri ka qenë mbi 3000 hiq me larg se para ca muajve. Ne ju garantojmë se do të japim më të mirën dhe do të mundohemi në maksimumet tona.

“Bota sot”: Sa është e përgatitur Drita, ku janë pikat më të forta apo çfarë e dallon?

Lorik Ilazi: Ne kemi filluar përgatitjen me kohe, jemi munduar të përgatitemi sa më mirë edhe pse për ne kjo kohë nuk është koha që na gjen me formën më të mirë duke ditur se vijmë pas pushimit verorë, por këto ndeshje dhe ky event do ta ndihmojë shumë Dritën për parapërgatitje për fillimin e kampionatit 2018/2019 dhe ky event është i vetmi ku Drita nuk ka luajtur dhe kjo është një histori në vete, duke e bërë Dritën ekipin e parë që luan edhe në Kupën Ballkanike, duke e ditur se ka qenë e para që ka luajtur në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e CEV-it. Andaj edhe një herë i ftojë të gjithë që të jenë në përkrahjen tonë sidomos ‘Intelektualët’, që ne të ndihemi të plotësuar dhe të tregojmë vlerat tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat