Peja shpreson t’i kundërvihet fituesit të Kupës së Francës

Volejboll

Peja shpreson t’i kundërvihet fituesit të Kupës së Francës

Nga: Kemajl Goca Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 18:55
KV Peja

Ekipi francez GFC Ajaccio ka zbarkuar në Kosovë, ku nesër do të ballafaqohet me kampionin e Kosovës, Pejën, në kuadër të ndeshjes kualifikuese të 1/32 së finales së CEV Cup në volejboll. Pejanët janë përgatitur mjaft mirë dhe me pretendime që të dalin sa më mirë nga kjo sfidë. GFC Ajaccio nuk po kalon formë të mirë në kampionatin francez, si dëshmi janë edhe pesë ndeshjet e saja të para, ku kanë dy fitore e tri humbje, duke u renditur në vend të tetë me 6 pikë.

Volejbollisti më i mirë në vendin tonë, Bardhyl Hajdaraj, ka deklaruar se pavarësisht kalojnë apo jo në formë të mirë GFC Ajaccio, për ekipin e tij janë të fortë.  Klubi pejan ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë sfidë që luhet nesër në orën 18.00 dhe presin sa më shumë shikues, që do të janë edhe lojtari i shtatë i tyre! “Kemi shumë pak njohuri për rivalin.

Është fitues i Kupës së Francës edhe nuk i kemi pa duke luajt. Janë skuadër e fortë për nivelin tonë”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Hajdaraj. A mendoni se Peja mund të jetë rival i denjë, kur dihet se GFC Ajaccio nuk po kalon formë të mirë në Kampionatin e Francës? “Sigurisht do të mundohemi ta bëjmë lojën tonë, kemi marr edhe përforcime në kampionatin tonë, dy lojtarë shumë cilësor, si Adriatik Kajtazi dhe Shkëlqim Ismajli dhe me ndihmën e tyre shpresoj të jemi rival i denjë. Sa për ecurinë e dobët të francezëve atje, nuk di çka të them por nuk reflekton ndoshta në Kupë të CEV-it”, përgjigjet volejbollisti.

Hajdaraj shprehet se skuadra e tij nuk është më e fortë se edicionin e kaluar: “Peja nuk është më e fortë por me konkurrues mund të jemi tani për tani me transferët e lartpërmendura”. Hajdaraj shpreson  se do të ketë sa më shumë shikues në palestrën “Karagaçi” në Pejë. 

“Natyrisht që presim shumë tifoz dhe të gjithë volejbollistët dhe volejbollistet e Kosovës të jenë krah i djathtë i Pejës dhe të gjithë sportdashësit e vendit”, theksoi ai.  Rezultati i favorshëm ndaj Ajaccios do të ishte edhe një motiv shtesë në çdo segment për kampionin tonë. Pejanët shpresojnë t’i kundërvihen rivalit.

Megjithatë, Hajdaraj mendon ndryshe: “Problemi me viza na kufizon ndeshjen e dytë dhe kështu që nuk besoj në këtë gjë”. KV Peja nuk është në ritmin e rezultateve në kampionatin vendorë e cila nga 5 ndeshje ka tri fitore e 2 humbje dhe zënë vendin e katërt me 9 pikë të mbledhura. “Peja ende nuk ka bërë blerjet e saj në kampionat por dihet strategjia e Pejës, në vazhdim të kampionatit ne do të përforcohemi dhe më shumë edhe do të jemi ekip për t’u mundur”, nënvizoi Hajdaraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat