Iranit i ndalohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të xhudos - Bota Sot
Iranit i ndalohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të xhudos

Xhudo

Iranit i ndalohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të xhudos

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 21:38
Xhudisti iranian, Saeid Mollaei.

Iranit iu ndalua pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të xhudos, për shkak të refuzimit të këtij vendi për t'u përballur me konkurrentët izraelitë.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka lëshuar një ndalesë të përkohshme muajin e kaluar, derisa ka qenë duke hetuar raportet se Irani ka urdhëruar një xhudist që qëllimisht të braktisë një ndeshje në Kampionatin Botëror, për të shmangur përballjen me një konkurrent izraelit në raundin tjetër.

"Pas ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë Kampionatit Botëror të Xhudos, Tokio 2019, është vendosur pezullimi përfundimtar i Federatës së Iranit nga të gjitha garat", tha të martën Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Xhudisti iranian, Saeid Mollaei, ka thënë se presidentët e Federatës së Xhudos dhe të Komiteti Olimpik në Iran e kanë udhëzuar të tërhiqej nga Kampionati Botëror.

Federata iraniane ka mohuar se ka bërë presion.

Megjithatë, komisioni disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, i cili e shqyrtoi çështjen, tha se veprimet e Iranit "përbëjnë shkelje serioze dhe të rëndë të statutit të Federatës Botërore, të interesave të tij legjitime, parimeve dhe objektivave të tij".

Ndalesa do të zgjasë derisa "Federata e Xhudos e Iranit të japë garanci të fuqishme dhe të dëshmojë se e respekton statutin e Federatës Botërore, si dhe të pranojë që atletët e saj të luftojnë kundër atletëve izraelitë".

Mollaei aktualisht fshihet në Gjermani.

Irani nuk e njeh Izraelin dhe skuadrat sportive iraniane nuk kanë garuar kundër izraelitëve që disa dekada.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat