Kuka: Shpresoj e besoj që suksesi këtë vit të kulmojë me medalje Olimpike 

Xhudo

Kuka: Shpresoj e besoj që suksesi këtë vit të kulmojë me medalje Olimpike 

Nga: Kemajl Goca Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 15:48
Driton dhe Agron Kuka

Sporti i xhudos është krenaria e kombit shqiptar! Xhudoja ka sjellë të gjitha medaljet dhe trofetë e mundshme nga rrafshi ndërkombëtar, duke iu falënderuar punës së madhe të vëllezërve Kuka, Agronit dhe Dritonit.

Agroni është president i Federatës së Xhudos së Kosovës dhe Dritoni - përzgjedhës i Kosovës, kanë bërë dhe po bëjnë një punë të madhe, duke ndërtuar një brez të jashtëzakonshëm të xhudisteve dhe të xhudistëve. Majlinda Kelmendi (-52 kg), trimëresha jonë që solli medaljen e artë olimpike në vitin 2016 nga Rio, pastaj janë garueset tjera që fituan medalje e medalje të nivelit më të lartë ndërkombëtarë, si Nora Gjakova (-57 kg), Distria Krasniqi (-48 kg e herë -52 kg), Akil Gjakova (-73 kg) e Loriana Kuka (-78 kg).

Së fundi xhudoja shkëlqeu në Grand Slam në Paris, ku ishin të pranishëm mbi 20 mijë shikues, një atmosferë drithëruese, Distria Krasniqi doli e  artë në kategorinë -52 kg dhe Nora Gjakova e bronztë në -57 kg, duke mahnitur botën sportive dhe sjellë edhe dy medalje nga një garë e madhe siç është Grand Slam, duke bërë që të mburret popullin e Kosovës dhe kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët. Agron Kuka tha se xhudistët janë në formë shumë të mirë dhe është i gëzuar edhe për sukseset që po i sjellin shtetit tonë

“Bota sot”: Xhudo e ka nisur furishëm vitin 2020, është një tregues se ky vit do të jetë vit edhe më i bereqetshëm?
Agron Kuka:
 Për xhudon kosovare kjo është gara e dytë që po marrim pjesë dhe si nga Grand Prix e Tel Aviv edhe tani nga Parisi po kthehemi me medalje. Shpresoj e besoj që suksesi këtë vit të kulmojë me medalje Olimpike që edhe është qëllimi ynë për këtë vit.
 
“Bota sot”:  Xhudistet janë në formën më të mirë, secila po jep maksimumin, duket se për normë olimpike nuk është problem më. Çfarë iu duhet më shumë?

Agron Kuka: Xhudistët tanë elitarë tani janë të gjithë brenda normës olimpike dhe lufta vazhdon deri me 31 maj për renditje sa më të lartë. Unë vetëm lutem që të kenë fat dhe mos të pësojnë ndonjë lëndim, tjerat gjithat janë sipas planit.

“Bota sot”: A do të rikthehet së shpejti Akil Gjakova kur dihet se është i lënduar, a do të jetë gati për Tokio?
Agron Kuka:  
Akili është ende duke u rehabilituar edhe pas kthimit nga Izraeli, ka avancuar dukshëm dhe shpresoj që gjatë muajit mars do të rikthehet.

“Bota sot”:  Sot patët një takim me kryetarin e IJF-së, Marius Vizer, çfarë biseduat dhe cilat janë planet?
Agron Kuka:
Sot këtu në Paris pata edhe një takim me mikun tonë Presidentin e IJF z. Marius Vizer me të cilin i biseduam disa gjëra  duke filluar nga mbështetja për ndërtimin e qendrës nacionale të xhudos që do ta fillojmë së shpejti dhe për vizitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat