Majlinda Kelmendi: Statuja duhet të vendosej në Prishtinë

Xhudo

Majlinda Kelmendi: Statuja duhet të vendosej në Prishtinë

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 09:37
Majlinda Kelmendi

Shtatorja e kampiones Olimpike nga Kosova, Majlinda Kelmendi, do të përurohet sot në vendlindjen e saj, në Pejë.

Sportistja më e mirë në Kosovë e zgjedhur nga Komiteti Olimpik për vitin 2019, u shpreh se është shumë e nderuar që Federata Botërore e Xhudos e ka zgjedhur për ti ndërtuar statujë, pasi që sipas saj në botë ka shumë xhudistë të mirë.

Kelmendi: Shumë pak njerëz të gjallë kanë statuja

“Jam shumë e lumtur, jam shumë krenare, nuk e di se sa njerëzve të gjallë ju kanë bërë statuja kështu që jam shumë e lumtur që unë jam njëra prej tyre. Më gëzon shumë fakti që më kanë përzgjedhur mua Federata Botërore se e dimë në botë sa ka xhudistë të mirë, kështu që me më përzgjedhë mua është seriozisht nder jashtëzakonisht i madh”, u shpreh fillimisht Kelmendi.

Sa i përket ve ndit se ku do të vendoset kjo statujë, Kelmendi tha se nuk është problem për të. Sipas saj më mirë kishte me qenë që kjo statujë të vendosej në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë mirëpo edhe në Pejë, përkrahësit e saj nëse dëshirojnë do të shkojnë ta shohin atë.

Kelmendi: Vendi më i përshtatshëm do të ishte në Prishtinë

“Nuk po dua me qenë vetjake, kështu që po mendoj që kish me qenë më mirë në Prishtinë por prapë se prapë unë e di që njerëzit në Kosovë më duan shumë, më përkrahin shumë dhe nëse dëshirojnë me me pa, do të vijnë edhe në Pejë me më pa”, deklaroi Kelmendi.

Përurimin e shtatores do ta bëjë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili gjithashtu ka qenë i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës mbrëmë, aty ku Majlinda Kelmendi u zgjodh për herë të tretë sportistja më e mirë në Kosovë.

Kujtojmë që Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat