Krenaria e sportit tonë, kampionia olimpike e evropiane, Majlinda Kelmendi (52 kg), vazhdon zotërimin në ranglistën botërore të xhudos, përveç kësaj edhe Distria Krasniqi (52 kg) e Nora Gjakova (57 kg), kanë avancuar jashtëzakonisht mirë. Ky është edhe një superlajm i mirë në përgjithësi për sportin e Republikës së Kosovës. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, është krenar për sukseset e garuesve të tij.
“Bota sot”: Majlinda, bindshëm e para në ranglistën Botërore, Distria e treta, Nora e pesta, a është kulmi?
Driton Kuka: Është e jashtëzakonshme, të ketë një shtet i vogël si Kosova tre garues në Top-5-she në Ranglistën Botërore, është mrekulli.
“Bota sot”: A është edhe një motiv shtesë para Kampionatit Botëror që mbahet në muajin gusht të këtij viti?
Driton Kuka: Po, normalisht do të punojmë për sukses në Botëror, por caku ynë është Tokio 2020.
“Bota sot”: Ku do t’i vazhdoni më shumë përgatitjet?
Driton Kuka: Këtë muaj do të jemi në Pejë, do të kemi përgatitje specifike në bjeshkët që rrethojnë qytetin tonë.