Ministri Shala ka ndarë shpërblimet shtetërore për Majlindën, Norën dhe Kukajn

Xhudo

Ministri Shala ka ndarë shpërblimet shtetërore për Majlindën, Norën dhe Kukajn

Më: 31 maj 2017 Në ora: 12:40
Ministri Shala ndan shpërblimet Majlinda Kelmendit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos që u mbajt në muajin prill në Poloni, në një vlerë të përgjithshme prej 42 mijë euro.

Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, ministri Shala, i ndau shpërblimin prej 20 mijë euro xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila fitoi medaljen e artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg. Xhudistes Nora Gjakova i takoi shpërblimi në vlere prej tetë mijë euro, për fitoren e medaljes së bronztë në kategorinë deri në 57 kg. Ndërkaq, trajneri Driton Kuka, mori shpërblimin dhjetë mijë euro, si trajner i Majlinda Kelmendit dhe katër mijë euro si trajner i xhudistes Gjakova.

Ministri Kujtim Shala u shpreh se shpërblimet që ndan MKRS-ja për sportistët që arrijnë rezultate përpos që janë një lloj mirënjohje për ta, bëhen me motivacionin e nxitjes së të rinjve të merren edhe më shumë me sport dhe të korrin rezultate sa më të mëdha, njëherësh duke na përfaqësuar dhe ngritur emrin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“E kam thënë edhe herë tjera, suksesi i xhudisteve tona, nuk është sukses vetëm në fushën e sportit, por është edhe sukses i shtetit tonë, dhe për këtë i jemi falënderues angazhimit dhe rezultatit të xhudisteve dhe punës së trajnerëve të tyre”, tha ministri.

Ndërkaq, xhudistja Majlinda Kelmendi shprehu falënderimin për shpërblimin dhe tha se do të angazhohet që Kosovës t’i sjellë edhe medalje të tjera. “Tani, bashkë me ekipin jemi të fokusuar për olimpiadën e Tokios, që edhe atje të korrim suksese edhe më të mëdha dhe të sjellim medalje edhe më shumë”, tha ajo.

Nora Gjakova, tregoi se ndjehet e gëzuar që ka arritur të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian pas lëndimit që ka pasur. Gjakova theksoi se “Do të angazhohem maksimalisht, jam duke u përgatitur dhe do të përpiqem që të kthehem me medalje nga olimpiada”.

Kurse trajneri Kuka e falënderoi ministrin Shala dhe punën që po bën MKRS-ja në fushën e sportit. Ai përmendi mënyrën e financimit përmes memorandumeve si shumë pozitive dhe lehtësuese për punën e federatave, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës ligjore që rregullon sportin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat