Majlinda me armatën e saj, cila e ka frikë automjetin e cila për zemër fasulen? - Bota Sot
Majlinda me armatën e saj, cila e ka frikë automjetin e cila për zemër fasulen?

Xhudo

E premte, 16 nëntor 2018

Majlinda me armatën e saj, cila e ka frikë automjetin e cila për zemër fasulen?

Nga: Kemajl Goca Më: 31 dhjetor 2017 Në ora: 12:18
Driton Kuka, Loriana Kuka, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe një garuese tjetër

Askush si Majlinda Kelmendi! Kampionia olimpike ka pasur një vit interesant sidomos kur u shpall kampione e Evropës me 20 prill në Varshavë të Polonisë. Po ashtu Majlinda ka fituar çmimin e madh “Best Female Judoka 2017”. Gjithsesi se fitorja më e ëmbël e Majlindës (52 kg) ka qenë në finalen e Evropianit, kur e dërrmoi rusen. Majlinda Kelmendi, me stilin e saj, e hodhi në dysheme rusen Alesya Kuznetsova.  Majlinda me armatën e saj, kudo që shkoi ishte krenaria e kombit shqiptar. Majlinda, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, dëshmuan cilësitë në çdo garë. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, së bashku me të vëllain Agronin, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, u angazhuan maksimalisht dhe me punën e tyre, bënë që shteti i Kosovës në çdo ngjarje të madhe të jetë në qendër të vëmendjes.

Majlindën, në shumë raste e cilësojnë sikurse Messi apo Ronaldo, sepse nuk ka trofe që nuk ka në vitrinat e saja, por që në Kampionatin Botëror që u mbajt në Budapest, kësaj here kishte përfunduar në pozitën e pestë, sepse jo gjithmonë sportisti kulminant është në bioritmin e tij. Majlindës i mungoi fati. Mbi të gjitha, viti 2017 ka qenë vit i medaljeve nga xhudistet e xhudistët tanë, që e bënë kalavesh me medalje shtetin tonë.  Çfarë i bëri të ndihen mirë dhe çfarë keq në vitin 2017 xhudistet tona apo cili ushqim iu pëlqente ose cili qytet nëpër botë. Majlinda, Nora, Akili, Distria e Loriana, kanë përjetimet e tyre, madje disa herë kanë hasur edhe në befasi qoftë brenda apo qoftë jashtë vendit. Disa prej tyre e kanë për qejfi udhëtimin me aeroplan e disa edhe ushqimet tradicionale, njëra nga to e ka të preferuar edhe fasulen! Krenaria e kombit shqiptar, Majlinda, është krenare me të gjitha të arritura gjatë këtij viti. “Me përjashtim të Kampionatit Botëror në përgjithësi ka qenë një vit i suksesshëm. Me ka bë mu ndie mirë çmimi që e kam fituar si ‘Best female judoka today’-  për një cikël olimpik nga Federata Botërore e Xhudos”,  thotë Majlinda Kelmendi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Të gjitha moshat pa dallim gjinie kërkojnë autografe nga kampionia olimpike. “Ka edhe të rinj por edhe të moshuar që kanë dëshirë të bëjnë foto ose të kenë autografe dhe në përgjithësi thonë fjalë miradije. Nuk ka diçka që kisha me përmend specifik”, thotë Majlinda. Nora Gjakova (-57 kg) ka pasur një vit të mirë, por qyteti që i shkoi për zemër ka qenë Tokio në Japoni. “Duke qenë që pothuajse gjatë gjithë kohës, duhet të kemi kujdes në ushqim. Ushqimi vetëm më bën të lumtur. Vendi që më së shumti me ka pëlqyer është Tokio, por nuk kam asnjë vend që e urrej apo nuk me pëlqen”, tha Nora, e cila ndihet krenare për sukseset gjatë këtij viti: 

“Në vitin 2017 jam ndje mirë secilën herë që kam qenë pjesë e podiumit nëpër gara, duke veçuar Kampionatin Evropian për seniore dhe Grand Prix në Antalya dhe në Hagë ku kam fituar vendin e parë”, tha Nora. Por xhudistja e jashtëzakonshme tregon se momentin më i keq ka qenë kur humbi gjyshen. “Më së keqi jam ndjerë me humbjen e gjyshes”, tregon Nora. Loriana Kuka (-70 kg), një talente e madhe që po vjen, ka pasur një vit të mirë dhe është ambicioze për vitin 2018. Sa i përket udhëtimeve, sipas saj kudo që shkoi u ndje super.

“Krejt ato udhëtimet që kemi bë në vitin 2017, me kanë bërë mu ndie mirë, se na kanë dhanë mundësinë për me pa vende të ndryshme, me ushtruar me kundërshtarët nëpër krejt botën me pa xhudo të ndryshme”, thotë Loriana. Xhudistja pejane tha se është krenare që është pjesë e kombëtares së Kosovës, më të suksesshmes. “Është kënaqësi për mu, që ekipi i Kosovës më kanë pranuar menjëherë edhe që jam pjesë e ekipit më të suksesshëm. Ky është viti i fundit për juniore, kam dashtë me marrë medalje nëpër kampionate për juniore, por nuk kam mundur me treguar krejt potencialin tim nëpër garat qysh kam dashtë edhe qysh kisha mundur. Kjo me ka bërë të ndihem keq”, tregon Lorina. Faktikisht, Lorianës i pëlqen ushqimi tradicional shqiptar:  “Mu gjithë më kanë pëlqyer ushqimet shqiptare. Më së shumti me pëlqen flija, pite, por fasulja jo aq”.  Akil Gjakova (-73 kg) është sikurse në qiellin e shtatë sidomos që është nënkampion i Evropës për U-23. “Më së miri kam kaluar në Kampionatin Evropian U-23, ku jam shpallur nënkampion Evropian, ndërsa nuk jam ndarë i kënaqur nga Grand Prix në Hagë, në të cilën jam radhitur i 5-ti dhe nuk kam arritur të fitoj medalje pavarësisht që ka qenë një ndër garat ku jam ndeshur më së miri në vitin 2017”, tha Gjakova.   Xhudistit fortë i pëlqen udhëtimi me aeroplan.

“Zakonisht udhëtimet me pëlqejnë sidomos me aeroplan, por çka me tremb nga udhëtimet, është automjeti, nëse ngasësi është i papërvojë edhe i pakujdesshëm. Prej ushqimit nuk më pëlqejnë shumë perimet”, tregon Gjakova. Distria Krasniqi si gjithmonë kur nuk pritej edhe triumfon dhe ngritë në këmbë kombin shqiptar. “Në vitin 2017 kam pasur momente shumë të mira. Medalja e artë në Kampionatin Evropian U-23 dhe medalja e bronztë në Grand Slam-in e Parisit kanë qenë dy momentet që me kanë bërë të ndihem më së miri. Ndërsa një ndër momentet që jam ndje keq ka qenë në Kampionatin Botëror në Budapest, ku nuk kam pasur paraqitje të mirë ashtu si e kam pritur”, thotë Distria.    Xhudistja (-52 kg) pa dyshim se prej ushqimeve që e ka për qejfi pa dyshim është fasulja dhe tregon se kush e motivon me shumë. “Çdo fjalë që më thotë trajneri para garave është motivuese për mua. Nuk ka ndonjë ushqim që nuk më pëlqen, ndërsa fasulja është një ndër të preferuarat e mia”, shprehet Distria.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test