Kuka: Gëzimi për ne - të kthehemi me medalje nga Kampionati Botëror - Bota Sot
Kuka: Gëzimi për ne - të kthehemi me medalje nga Kampionati Botëror

Xhudo

Kuka: Gëzimi për ne - të kthehemi me medalje nga Kampionati Botëror

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shtator 2018 Në ora: 18:11
Kuka: Gëzimi për ne - të kthehemi me medalje nga Kampionati Botëror

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se për garuesit e kombëtares së Kosovës është short i vështirë, por shpreson se do të kthehen me medalje nga Kampionati Botëror i xhudos, që mbahet në Baku të Azerbajxhanit. Kampionati fillon (sot) me 20 shtator dhe përfundon me 27 shtator. Kuka tregon se Distria Krasniqi (48 kg) do të garojë me 20 shtator, kurse Nora Gjakova (57 kg) dhe Akil Gjakova (73 kg) dalin në arenë me 22 shtator dhe Loriana Kuka me 25 shtator (e martë).

 “Shorti nuk është i volitshëm edhe pse kemi pritur së paku ndonjëri prej tyre të ketë me shumë fat në short. Të gjithë e kanë shortin e vështirë, pavarësisht prej kësaj, shpresoj në përgatitjen dhe përformancën e mirë të tyre. Përgatitjet kanë ecur sipas programit për këtë garë në gjashtë mujorin e fundit”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Kuka. Në rrethin e parë Distria Krasniqi ndeshet me Jasqueline Solis nga Guatemala.  “Distria e ka shortin më të vështirë, luftën e parë nuk do të ketë pengesë, por në luftën e dytë po, pasi që takohet me ukrainasen Daria Belodid”, thotë ai.  Nora Gjakova është kualifikuar në rrethin e dytë e cila pret fituesen mes Soumiya Iuorai nga Maroku dhe Abzetta Zouleiha Dabonne nga Bregu i Fildishtë.

“Nora Gjakova edhe pse luftën e parë e kaloi pa luftë, në luftën e dytë pret marokenia apo atë nga Bregu i Fildishtë, që mendoj se nuk do të ketë telashe, pastaj fillojnë luftërat e forta dhe për të hyrë në tetë më të mira, në zonën e medaljeve. Nora ka grup të fortë, pasi aty është austriakja Sabrina Filzmoser, francezja Priscilla Gneto, kanadezja Christa Deguchi. Të gjitha garueset e Norës janë me potencial të madh dhe me eksperiencë”, tregon Kuka. Në kategorinë 73 kg, në xhiron e dytë Akil Gjakova do të përballet me Magner Mendes nga Cape Verdde. “Nëse flasim për Akilin, e dimë se e ka kategorinë shumë të fortë. Shpresoj edhe Akili në luftën e parë nuk do të ketë pengesë, pastaj do të ketë luftëra të vështira, ku e ka në grup kampionin botëror, japonezin Soichi Hashimoto.

Shpresoj për gjithë garuesit së paku të kenë plasman. Natyrisht gëzimi për gjithë ne është që të kthehemi me medalje”, shprehet kryetari i Federatës. Në kategorinë 78 kg Loriana Kuka sfidohet nga Klara Aopotekar e Sllovenisë. Për Lorianën nuk është një kundërshtare e panjohur, këtë e thotë edhe Kuka: “Loriana luftën e parë e ka me sllovenen, garuese me eksperiencë dhe medaliste evropiane, edhe pse luftën e fundit Loriana ka ngadhënjyer ndaj Aopotekar, prapëseprapë ajo është garuese me eksperiencë. Pastaj nëse kalon sllovenen, njëra prej tyre është medalistja botërore, anglezja Natalie Powell ose Myriam Sarah Mazouz nga Gaboni. Shpresoj të kenë fat garueset tanë, ditën e tyre, për tjerat dhe sa i përket përgatitjes psikike dhe fizike të gjitha janë të përgatitur në mënyrën e duhur, le te mbetet në fatin e garuesve që të kthehemi me medalje”. Distria Krasniqi, përzgjedhësi Driton Kuka dhe kryetari Agron Kuka, kanë mbërri në Baku, ndërsa të enjten i bashkohen edhe garuesit tjerë. Sa i përket atmosferës është mirë në Baku.

“Atmosfera është mirë dhe qetë. Distria është e qetë, e cila siç dihet nga 52 kg ka zbritur në kategorinë 48 kg. Prandaj, të adaptohesh në një kategori tjetër duhet pak kohë. Si e shoh unë Distrinë është shumë e qetë dhe e koncentruar. Përgatitjet janë bërë me fokus të veçantë për ukrainasen, kur e dimë se Distria nuk ka qenë njëra nga bartëset e grupit dhe kemi dyshuar se do të ketë njërën nga garueset që janë bartëse, andaj fati e ka dashur të ndeshet mu garuesen ukrainase”, përfundoi Kuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test