Ju nuk gënjeni, ju jeni ari i kombit shqiptar - Bota Sot
Ju nuk gënjeni, ju jeni ari i kombit shqiptar

Xhudo

E premte, 16 nëntor 2018

Ju nuk gënjeni, ju jeni ari i kombit shqiptar

Nga: Kemajl Goca Më: 29 tetor 2018 Në ora: 15:58
Ilustrim

Në vitet e pasluftës Driton Kuka kishte filluar një mision të vështirë por as ai nuk kishte besë në vete, se pas më shumë se 16 viteve Kosovës do t'i sjellë medaljen e artë olimpike me xhudisten Majlinda Kelmendi. Në kushte të vështira, herë pluhur e herë baltë Kuka ka vazhduar punën në kontinuitet në përgatitjen jo vetëm të një garueses për garat e nivelit botëror. Rrugëtimi ishte i rëndë por ai besonte se diçka mund të nxjerr.

Kuka vet ka qenë xhudist i përmasave botërore dhe e dinte se si duhet qasur punës me garues aq me tepër cili është edhe regjimi për të avancuar në maje. E para, ai përballej me një furtunë të pashembullt nga disa sporte tjera luftarake, duke e zbehur apo minimizuar rolin apo sukseset e garuesve të tij. Kosova ishte në fazën e tranzicionit pothuajse asnjë federatë e pranuar me përjashtim të federatës së pingpongut në vitin 2002, Kosova u bë rrush me medalje ndërkombëtare nga disa sporte luftarake, mjerisht të paregjistruar askund në federatat ndërkombëtare.

E dyta, Kuka duhej të luftonte në dy fronte: e para të bëj garues të nivelit të garave ndërkombëtare; e dyta, ta bind shtetin, institucionet sportive se po arrin suksese dhe nuk po gënjen. Ishin fundvitet 2009 e 2010 opinioni dyshonte se vërtet Kuka ka suksese me Majlindën, aq më keq kishte njerëz të caktuar në disa federata e ndonjë edhe në DSK e ndonjë edhe më ministri të sportit, se medaljet që i sjellë Kuka janë të rangut të sporteve tjera luftarake, thjeshtë të niveleve të turneve modeste.

Vështirë të bindet opinioni sepse mendonin se Kuka është në rrugën e shumicës së sporteve luftarake, që po sjellin medalje me thasë nga turnetë e mëhallës dhe thjeshtë po gënjen. Luftë e fëlliqur apo një luftë speciale, që po e godiste dhe Kukajn duke i ulur sukseset e tija. Në vitin 2012 Majlinda përfaqëson shtetin shqiptar me ngjyrat kuqezi në Lojërat Olimpike – “Londra 2012” dhe ajo tronditet nga një garuese e Mongolisë, eliminohet në rrethin e dytë. Kjo përforcoi edhe më shumë bindjen të disa federatat, te disa individë, se atë çfarë e kanë thënë,  po ju dalin të vërteta dhe gënjeshtrat e Kukajt po dalin në fushë.

Majlinda dhe trajneri Kuka, nuk ndalen, vazhdojnë punën, nuk merren me askënd dhe as që e lodhin kokën se cilat nga sportet bien medalje me thasë nga turnetë e pavlerë. Kjo humbje i mobilizoi edhe më shumë dhe pas një kohe të shkurt Majlinda fitoi titullin e botës dhe të Evropës. Gjigantët televizive botërore, si CNN, Euronews, gazetat e mëdha si Guardian etj. thurni elozhe për një emër të madh që po vjen nga një shtet i vogël siç është Kosova, nga një qytet piktoresk Peja dhe që kishte qenë i pushtuar pothuajse për një dekadë nga Serbia.

Në vendin tonë disa gjenin kohë edhe të talleshin dhe thoshin: Kukajt kanë para dhe po investojnë në shtypin e huaj, që ta rrisin disi reputacionin, por ai nuk ka sportist për medalje olimpike. Kulmi arrihet në Rio kur Majlinda fiton medaljen e artë olimpike dhe për 8 vjet shtet Kosovën e bën me medaljen e parë historike olimpike. Lufta speciale e dashakëqijve bie poshtë por disa individ të caktuar nga federatat e disa individë tjerë, gjejnë fytyrë dhe i hipin autobusit për në aeroportin ‘Adem Jashari’ dhe e presim Majlindën që po kthehet nga Brazili në gusht të vitit 2016. Disa prej tyre dolën dhe bën edhe selfie, pa u skuqur fare se çfarë kishin thënë para disa viteve për Majlindën, që kishin vënë në dyshim cilësitë e saja. Dritoni e fitoi edhe luftën tjetër e bindi opinioni se nuk po gënjen, e bindi me suksese dhe jo me llafe. Dhe nisi misionin tjetër e shumë profesional, për kategorizimin e sporteve, që ta zhvesh Kosovën nga antivlerat. Shumë zhurmë sepse dikujt si konvenonte kategorizimi. Për sherr ka vite që teknologjia ka avancuar dhe internet zeza i qet në fushë të gjitha. Nuk do shumë filozofi dhe i gjeni sukseset e secilit sportist në faqet e federatave ndërkombëtare dhe sa kampionë të vërtet i kemi të Evropës e të botës. Koha e medaljeve me thes nga disa sporte tjera po fikët, ka mbaruar dhe po humbin shkëlqimin e rrejshëm të dikurshëm të viteve të pasluftës.

Gjithçka bie nga viti 2013 e këndej, secili e din se si bëhesh kampionë dhe gënjeshtrat u sosen dhe u varrosen. Gënjeshtrat bien përtokë, xhudoja ju tregoi se kush janë kampionët zyrtarë. Kuka me një program afatgjatë, tani ka ndezur edhe në Grand Slam të Abu Dhabit, me një medalje të artë (Nora Gjakova -57 kg) dhe tri të argjendta (Majlinda Kelmendi-52 kg, Distria Krasniqi -48 kg dhe Akil Gjakova -73 kg), senzacion.

Pa alkool e pa jetë nate, pa duhan e me një regjim të rreptë sportiv, arritën në maje të sportit botëror.  Kuka ka zgjedhur punën, jo konferencat për shtyp, ato i mbanë vetëm kur ka arsye të fortë dhe nuk lejon garuesit e tij që të lazdrohen, kjo filozofi duhet ndjekur nga sportet tjera tona, sepse sportisti nuk përgatitet brenda natës, as duke qëndruar kafiterive e as diskotekave.

Nga balta në maje të botës dhe nga ana tjetër mposhti luftën speciale. Vërtet ka qenë luftë nervash për Kukajn, nganjëherë e urrente veten, shumë herë kishte rënë edhe në depresion të thellë, sepse sukseseve të tija nuk u bindej fortë edhe shteti në një periudhë të caktuar, sepse aludonin si do sportet që kanë prurë medalje me thasë.

Shumë lehtë Kuka ka mundur të bie në depresioni e ta humbë rrugën e sukseseve, por kishte durimin dhe sot është në maje. Jo që i bindi, por sot të tjerët që nuk i besonin para shumë viteve, mundohen të jenë sa më afër tij bile edhe të gatshëm t’ia bartin valixhen. Kampioni që fitoi të gjitha sfidat dhe sot ka projekte madhore, mbase flenë edhe i qetë dhe ka nisur misionin për ‘Tokio 2020’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test