Minuta e Artë e Nora Gjakovës - Bota Sot
Minuta e Artë e Nora Gjakovës

Xhudo

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Minuta e Artë e Nora Gjakovës

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 09:26
Nora Gjakova

Momenti të cilin e kishte pritur me vite i erdhi shumë shpejt Nora Gjakovës.

Skena ishte vendosur në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe në kuadër të Grand Slam në xhudo, në kategorinë e 57 kilogramëve.

Përballë ruses Anastasia Konkina, ajo doli fituese me një Ippon që e arriti jo më shumë se një minutë gjatë përballjes.

Në një intervistë për Kallxo, pak ditë pasi është kthyer në qytetin e saj në Pejë, Nora tregon përshtypjet nga kjo garë.

“Për mua kjo medalje është medalja e parë për një Grand Slam edhe njëkohësisht kam fituar edhe pikë olimpike të cilat janë shumë të rëndësishme. Për mua ky është një prej viteve më të mira në karrierën time. Prej fillimit të vitit kam pasur suksese, e deri më tani i kam të gjitha medalje të arta deri në këtë vit”, thotë Nora Gjakova.

Megjithatë, ajo thotë se medalja më e rëndësishme e saj deri me tani ka qenë e arta e fituar sivjet në Kampionatin Europian që është mbajtur në Izrael.

Gjakova thotë që viti 2018 ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën e saj, pasi ka dalë kampione edhe në lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës.

Nora tregon se në stërvitjet në klub, secili që ushtron e ka një opsion të vetëm, vetëm të ecë përpara.

“Secili që ushtron këtu e ka një qëllim të caktuar edhe kjo të ndihmon edhe ty njëkohësisht me u mundu me u arrit qëllimet e tua dhe mos me mbetë mbrapa. Në këtë klub që jemi ne ose duhet me ecë përpara ose nuk ka zgjidhje tjetër”, ka treguar ajo.

Ajo gjithashtu ka folur se si motivohen kur kualifikohen në finale dhe për marrëdhëniet me trajnerin Driton Kuka dhe xhudistët e tjerë.

“Me Tonin, kemi marrëdhënie shumë të mira si në stërvitje, ashtu edhe në komunikim edhe në gara, sidomos në këto garat e fundit ku tashmë veçse kemi fituar përvojë dhe komunikojmë shumë më mirë”, thotë ajo.

Xhudo është bërë sporti më i rëndësishëm në Kosovë për shkak të suksesit që xhudistët dhe xhudistët e Driton Kukës i kanë sjellë vendit në gara ndërkombëtare.

Një mediale e artë e Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Rio 2016 e vendosi Kosovën në hartën e shteteve që kanë arritur suksese kulminante në këtë garë.

Por një lëndim i Majlinda Kelmendit e la atë jashtë garës për më shumë se një vit.

Në mungesë të saj, Nora Gjakova e pranon se e ka ndjerë presionin për të arritur sukses.

Kjo edhe i është shpaguar.

“Stërvitjet me mungesën e Majlindës kanë marrë edhe një kaheje tjetër, sepse tashmë trajneri  ka pasur më tepër presion për arsye se nuk e ka pasur një garuese prej të cilës gjithmonë e ka ditur se ka me pasë medalje. Kemi qenë ne garuesit tjerë të cilët ndonjëherë kemi marrë medalje e ndonjëherë jo. Por, e kemi rritur intensitetin e stërvitjeve edhe kjo ka ndikuar që në të njëjtën kohë me u rritë edhe performanca e jonë dhe nga çdo garë pothuajse jemi kthyer me medalje”, tregon për KALLXO.com “Dardanja e Artë”.

Nora thotë se shteti i Kosovës i ka ndihmuar ata në vitet e fundit por, sipas saj, ka ende vend për përkrahje e sidomos nga komunat përkatëse për klubet e xhudos.

“Ne kemi nevojë për përkrahje më të madhe, për arsye se është rritur edhe numri i sportistëve në sportin tonë që synojnë me shku në Lojëra Olimpike e që për shtetin e Kosovës, kjo është njëra ndër arsyet kryesore pse e mbështesin sportin”, tha ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test