Kadri Veseli koalicionit LDK- AAK -NISMA : Pse na lëçitet e nuk po pini kafe me ne

Zgjedhjet 2014

Kadri Veseli koalicionit LDK- AAK -NISMA : Pse na lëçitet e nuk po pini kafe me ne

Më: 12 gusht 2014 Në ora: 12:23

Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të japë edhe me shumë shenja sikleti për shkak të injorimit që po i bën koalicioni LDK -AAK-NISMA. Zëvendëskryetari i PDK’së Kadri Veseli situatën e këtij subjekti e ka përshkruar nëpërmjet një shkrimi autorial duke thënë se nuk po i besohet që këto subjekte e kanë lëçitur PDK’në e madje zyrtarët e tyre as nuk po pranojnë të pinë kafe me ata të partisë Hashim Thaçit. Veseli jep sinjale se PDK mund të pajtohet që të mbetet edhe në opozitë.
Partia Demokratike e Kosovës është zënë në një pozitë të vështirë tash e disa javë për shkak të refuzimit të tre partive të Koalicionit LDK AAK NISMA për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike Kosovës. Kjo është artikuluar në një shkrim autorial të Zëvendëskryetarit të PDK’së

“ Nuk mund të besoj se niveli politikë ka rënë aq poshtë sa agjenda politike e bashkimit të disa subjekteve politike mund të jetë: inati, lëçitja dhe qëndrimi totalitar ndaj një subjekti a koalicioni që ka fituar garën zgjedhore demokratike!?” ka shkruar Veseli.

Ai është ankuar edhe për faktin që këto subjekte as nuk kanë pranuar të takohen për të pirë kafe me zyrtarë të PDK’së.

“Prandaj është koha, tash edhe më e arrirë sesa dje, që të mësohemi ndërmjet veti që të jemi më tolerant, më të mirëkuptuar; të ballafaqohemi pa paragjykime dhe pa përjashtime; të komunikojmë me njëri tjetrin edhe atëherë kur fare nuk do të pajtohemi ndërmjet veti; të pimë kafe pune dhe të kemi gjithmonë kurajë për t’i thënë njëri – tjetrit në sy se u morëm vesh për të qenë kështu apo për të mos qenë ashtu në rrugëtimin e ardhshëm politik...” ka shkruar ai.

Më pas ai ka adresuar edhe kritika në adresë të PDK’së duke thënë se politika se skena politike nuk arsye tu ofrojë individëve të pasuksesshëm që të qeverisin me vendin. Nuk dihet nëse Veseli këtu ka goditur kreun e PDK’së Hashim Thacin apo e ka pasur fjalën për ministrat në qeverinë e tij.

“Skena politike e vendit nuk ka përse t’u ofrojë individëve të pasuksesshëm vazhdimisht shanse për të qeverisur vendin. Kjo praktikë duhet të nisë të pushojë duke filluar së pari nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të vazhdojë tutje” ka shkruar ai.

Por, sipas tij, PDK mund edhe të mbetet në opozitë.

“PDK është opsioni real i qeverisjes së ardhshme të vendit brenda legjitimitetit dhe ligjshmërisë demokratike e kushtetuese të vendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve që kanë vendosur me 8 qershor. Por PDK ka dëshmuar edhe dinjitet të lartë opozitar. Ajo nuk ekzaltohet nga pushteti, por as nuk frikësohet nga opozita” ka shkruar ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat