Një mbrëmje e paharrueshme me Çun Lajçin “Bubulinë, ti letër e pashkruar” në Langethal

Zvicra

Një mbrëmje e paharrueshme me Çun Lajçin “Bubulinë, ti letër e pashkruar” në Langethal

Nga: Skënder Nikoliqi Më: 29 janar 2019 Në ora: 19:05
Pamje nga aktiviteti në Zvicër

Nga dita në ditë ngjarjet kulturore po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë në mërgatë, sidomos kur ato organizohen me një angazhim e përkushtim të veçantë dhe në forma të larmishme e tërheqëse. Kështu ndodhi edhe më 26 Janar 2019, në një lokalitet në periferi të Langenthallit, në Zvicër, në promovimin e librit të Çun Lajçit, kushtuar vajzës së tij, me titull: “Bubulinë, ti letër e pashkrume”. Pjesëmarrja qe e gjërë dhe interesimi i madh edhe për arsye të pranisë në këtë ceremoni  të aktorit tonë të mirënjohur të Kosovës e të mbarë kulturës kombëtare shqiptare, Çun Lajçi, i cili në vazhdimësi gëzon një dashuri dhe respekt të veçantë në mesin e mërgimtarëve, edhe në Zvicër. Promovimi i librit të tij u përjetua nga të gjithë të pranishmit jo vetëm si një ceremoni e zakonshme libri, por edhe me një ndjenje dhembjeje të përbashkët, për vdekjen e parakohshme të vajzës së tij, Bubulinës (po ashtu aktore). Siç tashmë është bërë e njohur, babai i ka kushtuar një cikël të tërë poezish të përjetuara dhe shkruara me emocione të papërshkrueshme dhe që i përmblodhi në këtë libër.

Image
Image
Image

Organizatorë të promovimit të këtij libri ishin Lidhja Shqiptare në Botë, e kryesuar nga Nazmi Jakurti dhe Shoqata GjakovëBasel, e kryesuar nga Skender Nikoliqi. Pas prezantimeve dhe fjalëve hapëse e përshëndetëse  për librin, doktoresha Xhezide Lumi lexoi recensionin e përgatitur  nga shkrimtari Adem Gashi. Emocionet e asaj vetë prekën fort, deri në përlotje të sinqerta të syve, edhe shumë nga të të pranishmit.

Në vijim, për këtë libër, autorin dhe të pranishmit  përshëndeti zonja Shukrije Ramadani, konsulle në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih. Duhet theksuar se kërkesat për blerjen e librit ishin tejet më të shumta se sa kopjet që kishte sjellë Çuni nga Kosova. Ai ua bëri edhe më të paharrueshme këtë ceremoni atyreve që patën fatin të merrnin librin, duke ua firmosur librat me dorën që i dridhej nga dhimbja dhe emocionet. Me këtë rast disa prej të pranishëmëve patën kënqësinë të njiheshin nga afër me Çun Lajçin, të shkëmbenin me atë

mendime e t’i bënin pyetje për librin, e tj. Në mbyllje të kësaj ceremonie, organizatorët falënderuan drejtuesin dhe pronarin e qendrës së njohur Bowling Center,” Bösiger” në Langenthal, Naim Maksutin, që ofroi falas lokalin për këtë organizim.

Tani po ju përcjellim një përbledhje të shkurtër nga recensioni për librin “Bubulinë, ti letër e pashkrume”,  përgatitur nga shkrimtari Adem Gashi..                                                                                                                 

“…Që në nismë më erdhi ndërmend Umberto Eko, kur i drejtohej lexuesit me kërkesën që me çdo mënyrë t’ia lexonte tridhjetë deri në pesëdhjetë faqet e para të librit prej qindra faqeve. Pastaj u thoshte: lëreni po mundet! Unë po ju them ndryshe: lexojeni vetëm lirikën e parë të librit për Bubulinën, pastaj lëreni po mundët! Kështu bëra edhe vetë. Duke lexuar këto “Letra të palexuara...” m’u kujtua edhe pikëllimi i Hygoit për të bijën, m’u kujtua vaji i Podrimjes për të birin. Po Çuni ç’bëri për Bubulinën? Bëri recitalin e gjëmshëm të dhembjes e të dhimbjes për ashtin e mishin, për trupin e shpirtin, për... Ç’të thuhet më shumë, veçse deri aty ku nuk mban më burri – baba.

Leximi më solli edhe një ngasje shoqërimi idesh me “Letrat fëmijës së palindur” të Oriana Falaçit. Po, derisa Oriana shkroi prologun e ngrysur deri në shkallë fataliteti, Lajçi shkroi rekuiemin për të bijën me pjesë shpirti, mishi e gjaku si trajtë rrnese, gjëllimi e ekzistence krejtësisht artistike.

Janë këtu 34 njësi poetike si ekuivalentë të moshës së të bijës që në variant prozodie dyfishohen  dhe bëhen gjashtëdhjetekatër variacione të një kantate të gjëmshme.

Unë po dua t’ju flas për figurën e oksimoronit në poezinë e Çunit. Po e nis me poezinë Bubë, moj gogël:

Edhe Gala u ba e bardhë

Edhe Çunit i ra floku

Edhe Latit iu trashë zani

Gjithçka shkoi e s’kthehet ma

Ta thotë ty bacaloku

Iku vera Bubë moj gogël

Edhe qyqja s’po knon ma

U shterr gurra mbi katund

Ti u rrite e mbete e vogël

Unë u plaka e mbeta Çun

Pa më thoni, çka mund të hiqja këtu, ku mund të shkurtoja gjë pa prishur harmoninë e kësaj poezie? E, një lirike të këtillë, prandaj i themi e arrirë, vetëm kur as mund t’i shtosh gjë as mund t’i heqësh gjë.

Po prek shkurtas, me këtë metodologjinë e destruktimit, të analizës pra, vetëm edhe dy a tri gjëra që ma thotë mendja se meritojnë vëmendje.

E para, topika ose gjeografia e bërjes së kësaj poezie. Shtrirja e saj vjen në plan global nga Australia në Izrael, nga Amerika në Zerlandë të re, nga Bosnja e Kroacia në Zvicër (Gjenevë), nga Vlora e Tirana në... Rugovë. Ah, Rugova është trungu gjenealogjik, Lisi i Jetës i autorit dhe personazhit lirik;

E dyta, kronosi ose koha e ngjizjes së kësaj poezi. Së paku nga shënimet e atykëtushme në fund të tyre rezulton se shkrimet vijnë me fillimin e këtij mileniumit tonë të ri, që do të thotë përreth dy dekada.

Më vjen befasues fakti sesi autori gjatë gjithë këtij intervali ka ruajtur harmoninë dhe njësinë kompakte të ndjenjës, emocionit dhe të mbushjes shpirtërore krejt natyrshëm, pa asnjë sforcim mekanik e formal.

Dhe, e treta, performansa e gjuhës së kësaj lirike. Çun Lajçi origjinal e autokton në idiomin e tij nëndialektal deri në fund, me një begati frazeologjie që s’i shihet fundi e skaji.

Meqë duhet t’i jap një fund këtyre mbresave të mia, po marrë hua nga Çuni:

Po Bubë.

Edhe sot hijen tande n’korridor e pashë dhe u largova i mbërthyem n’lot.

Kur e mora çertifikatën e vdekjes e kuptova ma n’fund se ti s’je ma dhe kurrë s’kam me t’takua Kurrizit t’Dardanisë tue i shkrua Malit n’Ashkelon.

Hej, sa gëzim pata atë ditë maji kur nga gjinekologjia me fletëlindjën tande vrapova drejt komunës me regjistrua emnin e parë n’Kosovë BUBULINË, të cilin emën ta fali poeti i madh Mirko Gashi, e sot i ulun n’oborrin e spitaleve po shkruej për Ty e mua, Latin e Galën.

Mos t’harroj me t’thanë se nga Izraeli t’erdhi Dr. Waismann-i dhe bashkë me mamin t’erdhi n’Drelaj, e te varri yt u ul e qau...

Edhe pak:

Natën e mirë ti grumbull dheu, që heshtë me emnin e bukur Bubulinë.

Pusho përgjithmonë n’letrat e mia t’palexueme!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat