Hapet në Zvicër ekspozita “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës”

Zvicra

Hapet në Zvicër ekspozita “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës”

Nga: Bota Sot Më: 28 maj 2019 Në ora: 23:31
Hapja e Ekspozitës “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”

Fjala e Haki Latifit në hapjen e Ekspozitës “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës” në qytetin Burgdorf/BE  në Zvicër 

Fjalimi i plotë Haki Latifit: 

Fjala hyrëse dhe përshëndetëse në Promovimin e ekspozitës me titull “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës” , me autor : Dr.Sadik Krasniqi dhe Mr.Besnik Besnik Rraci dhe
Dy librave e Kolonel Ahmet Krasniqi; të ditarit "Shtatëmbëdhjetë shtatori" dhe të librit me analiza ushtarake "Shqiptarët në luftën kroate" mbajtur , më 26 maj në Burgdorf të Zvicrës

I nderuar Z. Skender Zogaj,
I nderuar z. Fadil Kajtazi,
I nderuar z. Sadik Krasniqi,
I nderuar z. Besnik Rraci,
E nderuara zonja Sabine Sutter-Suter;
Të nderuar miq, përfaqsues të mediave vizuele dhe të shkruara, bashkatdhetar e bashkëveprimtar të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe të Ish Ministrit të Mbrojtjës, Kolonel Ahmet Krasniqi.
Zonja e zotrinj;
Më lejoni që t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë promovim solemn kulturor të organizuar nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf.
E them me gjithë zemër se pjesëmarrja juaj në këto promovime e rritë tej mase nderimin për kryesinë e Nëndegës së LDK-së në Burgdorf.
Njëherit, është kënaqësi e veçantë të jemi sot pjesë e këtyre dy veprimtarive kulturo-historike dhe letrare- publicistike, që i kushtohet veprës së dy personaliteteve të shquara të botës shqiptare, siq janë Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe Kolonel Ahmet Krasniqi.
Rrallëherë e kam ndier veten më të përmbushur me dashuri e nderim njerëzor se sot, i rrethuar me kaq miq të sinqertë e të shtrenjtë, pa të cilët do të ishim shumëherë më të varfër shpirtërisht. Kjo ekspozitë me titull “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës”, me autor: Dr.Sadik Krasniqi dhe Mr.Besnik Besnik Rraci, tregon më së miri se Ai ishte fuqishëm i përkrahur nga populli pa dallim moshash, gjinishë, profesionesh apo prejardhjesh, duke u bërë prijësi i një rezistence të paparë paqësore, dhe duke u bërë zëri ynë liridashës.
Kjo ekspozitë tregon qartë se forca e tij ishte forca e popullit që i besonte dhe e mbështeste me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat që përballej.
Rrugëtimi ynë me Presidentin Rugova për shtetformim, është fakti më i fuqishëm se çdo gjë arrihet me përkushtim dhe dashuri për njëri-tjetrin. Por, kujtoj se barra e brezit tonë, sot është edhe ndërtimi i një shteti shembull ashtu siç ka aspiruar Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Njëherit, më lejoni të përshëndes dhe në emrin tuaj, veprimtarin, gazetarin, shkrimtarin, publicistin, z. Skender Zogaj dhe t'i uroj që t'u japë lexuesve libra të tjerë si dhe vëllime të tjera me krijimtari letrare duke e përgëzuar e falenderuar për redaktimin dhe përgaditjen e
Dy librave të Kolonel Ahmet Krasniqi ; të ditarit nga burgu "Shtatëmbëdhjetë shtatori" dhe të librit me analiza ushtarake "Shqiptarët në luftën kroate".
Është një falenderim i veçant për punën madhështore dhe përkushtimin e pa lodhur që ka bërë, e që për mendimin tim është dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptar kudo ne botë. Njëherit hedhja dritë e aktivitetit kombëtar të strategut të luftës Kolonel Ahmet Krasniqi, i anatemuar nga fundërrinat e errëta të grupeve majtiste që ishin kundër tij, dhe përgaditja e këtyre librave e bënë Z. Skender Zogaj dhe të gjithë neve krenar ndërsa të ndjerin Kolonelin e bënë të pavdekshëm. Në Ditarin nga burgu, lexuesi e gjen një pjesë të jetës së Kolonelit, që është shumë i veçantë, sikurse është urtësia, sinqeriteti, humaniteti, guximi, ashpërsia, atdhedashuria dhe profesionalizimi i oficierit madhor Ahmet Krasniqi, që me miratimin e Presidentit Ibrahim Rugova , emërohet Ministër i Mbrojtjës i Republikës së Kosovës. Dhe për herë të parë në historinë 100 vjeçare të konfliktit serbo-shqiptar, Ushtria e Serbisë u ndesh me formacion të rregullt ushtarak shqiptar.
Të nderuar miq!
Njëherit, më lejoni t‘i theksoj edhe lidhjet e ngushta institucionale që kanë ekzistuar gjatë luftës me Ministrinë e Mbrojtjës së Republikës së Kosovës, ku Nëndega e LDK-së në Burgdorf dhe nëndegë si motra në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër, ku përveç obligimeve dhe kontributeve financiare ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë mbështetur me ndihma plotësuese materiale dhe logjistike FARK-un dhe UÇK- në.
Për këto aktivitete dëshmojnë Falenderimet dhe Mirënjohja e dërguar dhe e nënshkruar nga vet ish Ministri , 3 javë para se të vritet Koloneli nga dora tradhtare më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë.
Në të cilën, kjo vrasje, pati dhe ende do të ketë pasoja të rënda për Kosovën dhe për shqiptarinë. Me këtë vrasje armiqët tanë shekullor dhe forcat kundrainstiticionale të Kosovës, që me vetëdije dhe pavetëdije u bënë vegla në duar të kriminelve të Beogradit.
Fatkeqësisht edhe sot jetojmë një kohë jo të lulëzimit të idealizmit. Disa prej atyre që u radhiten në luftërat për liri e drejtësi janë shndërruar në përbindësha, që vetëm për vete, për familjen e tyre dhe klanin e tyre mendojnë e punojnë. Ndërsa Kolonel Ahmet Krasniqi me këtë libër e jo vetëm me këtë libër, dëshmon se i përket një brezi idealistësh, të cilët e deshtën dhe e duan vendin, lirinë dhe atdheun.
Për ne është nder i madh sot që promovojmë dhe t'i kemi këto libra dhe të njihemi me veprimtarin e një atdhetari të denjë siq ishte Kolonel Ahmet Krasniqi. Ku merita e veçant i takon z. Zogaj , në të cilën ka aktivizuar dhe jetësuar veprimtarin e një atdhetari , që ka mbetë në mëshirën e kohës, njerëzve ziliqar, dhe jo mirëdashës.
Në këto dy libra të Kolonelit, është një rrëfim për veten dhe të tjerët. Më shumë se një libër, janë një aktakuzë e hapur për një kohë të egër ku gjakimi për liri, ndalohej dhe vritej nga politika e egër antishqiptare!
Kjo është një fillim i mbarë i borgjit për Kolonelin dhe përmbushje e një boshllëku nga mungesa e librave të kësaj natyre.
Këso realitete mendoj se, duhet pasqyruar vazhdimisht sepse jo vetëm nuk duhet harruar por duhet kombinuar me aktiven e ditëve të sotme. E duke qenë se politika është njëdomosdoshmëri në kohët tona, pikërisht ajo historia e luftës për liri dhe luftëtarëve duhet të jetë e fiksuar në celuloidin e trurit të çdo njerit shqiptar dhe më gjerë.
Sepse, çdo mendim, libër, ditar dhe histori e shkruar nga njerzit meritor për veprat e veta dhe të njerzve që kontribuan për lirinë e Kosovës, është thesar dhe terapi e shëndetshëme për kombin.
Andaj një minutë e kaluar në këtë atmosferë me ju së bashku të dashtun pjesmarrës dhe më ato rrëfime legjendash të gjalla që i përjetuam, është më e vlefshme se „njëmijë e një vjet në pallate e në kolltuqe" ...
Emri dhe vepra e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe e Kolonel Ahmet Krasniqit do të jenë të shkruar me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar.
Lavdi jetës dhe vepres së Presidentit Ibrahim Rugova Kolonel Ahmet Krasniqit!
Dhe në fund, unë ju falënderoj nga zemra për kohën që keni gjetur për të marrë pjesë në këto dy aktivitete kulturore të organizuar nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf.
Zoti ju bekoft!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat