Skënderbeu sipas historianëve të Zvicrës dhe përkujtimi i tij - Bota Sot
Skënderbeu sipas historianëve të Zvicrës dhe përkujtimi i tij

Zvicra

Skënderbeu sipas historianëve të Zvicrës dhe përkujtimi i tij

Nga: Baki Ymeri Më: 3 qershor 2019 Në ora: 08:40
Libri i Murat Ajvazit “Skënderbeu në historiografinë zvicerane”

Gjergj Kastrioti gjithmonë ka qenë motiv frymëzimi dhe burim i pashtershëmi atdhedashurisë shqiptare. Vepra e Barletit kushtuar kryetribunit të pavdekshëm të shqiptarizmit, hapi një traditë me rëndësi të veçantë patriotike në ketërsisë shqiptare. Libri i Zt. Murat Ajvazi “Skënderbeu në historiografinë zvicerane” botohet me rastin e 550 vjetorit të kalimit në amshim të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (2018). Monografia respektive është promovuar në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Zvicër, Francë dhe Gjermani. Autori është fitues i Çmimit „Yjet e Arbërit” në Tiranë më 21 Tetor 2017. Aktualisht jeton dhe vepron në Zvicër.

Sipas autorit të kësaj vepre kuptojmë se të dhënat e para për Skënderbeun Zvicër, në gjuhën gjermane (gjermanishtën e vjetër) datojnë nga gjysma e shekullit XVI, botuar në Basel të Zvicrës, nga autori H. Paulos Iovius në librin “Perandorët turq, origjina e tyre, ngritjet, qeveritë, historitë, tregimet deri te fundi i sundimit të Sulltanit otoman, Sylejman”. Ai ndër tjerash shkruante Skënderbeu princi i Arbënisë, ishte i biri i Gjon Kastriotit që sundonte një pjesë të Arbënisë. Gjoni ishte burrë i fortë, shpirtmadh me mjeshtri të madhe luftarake. Meqë duhej të luftonte me sulltanin Osman Muratin, e duke dëgjuar se Sulltan Murati kishte pushtuar Greqinë dhe një pjesë të Arbënisë, aq sa më në fund u rezistoi forcave të tija, bëri paqë me të dhe si peng i dha të birin e tij – Skënderbeun, i cili më përpara ishte i quajtur Gjergj. Sulltan Murati shfaqi një gëzim tejet të madh sapo iu paraqit Skënderbeu i cili ishte një fëmijë tetë vjeçar. Duke parë sulltani një fytyrë të bukur dhe fisnike të një fëmije siç ishte Skënderbeu, ai vendosi të mos e dërgojë në shtëpinë e të atit por ta mbaj në oborrin e tij, kështu që kur të rritej të shërbente si një ushtar i denjë për nevojat e ushtrisë dhe perandorisë së sulltan Muratit.

Sipas Agron Alibalit, Skënderbeu për shqiptarët ishte para së gjithash themeluesi i Shtetit të Dytë të Arbërit. Për thuajse 25 vjet, Gjergj Kastrioti i bashkoi dhe i udhëhoqi principatat arbërore në një qëndresë të suksesshme epike kundrejt fuqisë më të madhe të kohës. Sulltan Mehmed Ngadhnjyesi arriti të marrë Konstantinopojën më 1453-shin, por u thye me turp, sikurse edhe i ati, Sulltan Murati, para Kalasë së Bardhë të Krujës edhe pse erdhi me një mizëri ushtarësh të armatosur deri në dhëmbë. Kastrioti mbrojti pavarësinë e shtetit të Arbërit dhe u përpoq ta konsolidojë atë pa harruar të çlirojë viset e tjera arbërore nën pushtim të huaj. Vetë korrespondenca diplomatike e Skënderbeut me kancelari shtetesh të konsoliduara në Evropë vërteton se edhe Shteti i Arbërit – si vija e parë e mbrojtjes – i kishte të gjitha tiparet e një organizmi të mirëfilltë shtetëror.

Përvjetori i lindjes apo vdekjes së Skënderbeut hap një rrugë të bekuar për ta nderuar këtë figurë aq të madhe, këtë personalitet nga më gjigandët që ka njohur historia e popullit më të shumëvuajtur të Evropës Plakë. Ndryshe nga shqiptarët e Malit të Zi e të Kosovës Lindore që ende vazhdojnë t’i kenë përsipër kthetrat sllave të korbit, ndryshe nga shqiptarët e Çamërisë të degdisur në të katër anët e globit, shqiptarët e Rumanisë, të vendosur në shtetin mik këtu e 450 vjet më parë, duke mos harruar asnjëherë faktin se dikur, para dyndjes së sllavëve në Ballkan, paraardhësit e këtyre dy popujve, dakët dhe ilirët ishin fqinjë të parë, duke ecur gjurmëve të gjithë atyre rilindësve shqiptarë që Bukureshtin dhe Rumaninë e kishin atdhe të dytë nga mund t’i përhapnin pa frikë rrezet e shqiptarizmit gjithandej ku kishte shqiptarë, ndonëse me një mijë e njëqind halle që kanë, vendosën për ta nderuar dhe e nderuan kryeheroin e tyre me një simpozium kushtuar 600-vjetorit të lindjes së tij. Traditën e shqiptarëve të Rumanisë e ndjekin sot ata të Zvicrës, Italisë, Gjermanisë e gjetiu.

Dipas Rahim Ganiut, historia e popullit shqiptar është vazhdimësi e historisë së lavdishme dhe shumë të rëndësishme që nga koha e luftërave pellazgjike-ilire dhe luftërat triumfale të popullit shqiptar nën udhëheqjen heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Edhe më vonë historia shënon edhe shumë beteja të lavdishme shqiptare, kundër okupatorëve të ndryshëm, s’iç janë në fillimim të shekullit 20. që rezultoi me proklamimin e shtetit shqiptar në vitin l912 në krye më plakun e Vlorës Ismail Bej Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isë Boletinin me shok e gjerë ke lufta heroike e Adem Jasharit të këtij titani me gjak iliro-shqiptar, luftë që u zhvillua në prag të shekullit 21, dhe që rezultoi me shpalljen e pavarsisë së Republikës së Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008, si shtet i dytë shqiptarë në Europë e botë që erdhë pas një epopeje të luftës së lavdishme të popullit shqiptar kundër okupatorit sllavo serbë që bëri genocide të paparë mbi popullin shqiptar në Kosovë e më gjërë. Lufta Çlirimtare Kombëtare në krye me heroin titanik Adem Jasharin na e ktheu krenarinë tonë kombëtare, e cila kishte filluar të zbehet pas lodhjes dhe raskapitjes shekullore nga luftrat e njëpasnjëshme të popullit tonë me shumë okupator të egër e barbarë që shkretuan dhe ende po i shkretojnë tokat tona dhe popullin tonë. Pastaj luftën shqiptare në Luginën e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe luftën e shqiptarëve në Maqedoni në vitin 2001 në Karadakun e Likovës – Kumanovës,Radushës së Shkupit dhe Sharrit të Tetovës.

Para Mr. Murat Ajvazi, Ymer Jaka boton librin „Skënderbeu në letërsinë frënge” (Prishtinë 1990). Si të gjitha figurat e mëdha historike, edhe Skënderbeu kishte vazhduar të ushtronte një rrezatim të fuqishëm, edhe pas vdekjes së tij deri në ditët tona. Ai kishte nxitur kërshërinë, jo vetëm të historianëve, por edhe të artistëve, të shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve, etj. Ky personalitet historik, gjatë shekujve kishte pësuar transformime të shumëanshme, duke u shndërruar në mit, ashtu siç ndodh me figurat e shquara historike. Sipas librit të Mr. Murat Ajvazi kuptojmë se bibliografia e Skënderbeut në historiografinë zvicërane, është dëshmia më elokuente e ndikimit që ka ushtruar personaliteti dhe vepra e tij gjatë shekujve. Historianët e Zvicrës i janë qasur një studimi të mirëfilltë e të gjithanshëm të një numri kaq impresionues veprash të shkruara e të botuara për Gjergj Kastriotin në gjuhën gjermane.

Vepra e Zt. Ajvazi nuk është vetëm rezultat i punës së autorit, por edhe rezultat i hulumtimeve të bëra në arkivet dhe bibliotekat kombëtare të Zvicrës. Sipas tij, vepra “Skënderbeu në historiografinë zvicerane” është përpjekje e parë për të zbardhur qëndrimin e historiografisë në fjalë. Kjo do të thotë se ndoshta nuk do të arrijë t’i shtrojë të gjitha të dhënat mbi këtë histori meqenëse do ketë shumë studiues që kanë vënë dritë mbi këto luftëra, por këtë ua lë gjeneratave dhe studiuesve të ri të hulumtojnë dhe zbulojnë për shkrimet dhe veprat e historianëve të vendeve dhe gjuhëve të ndryshme. Rahim Ganiu thekson: Fjalën e fundit mbi vendin e Skënderbeut në histori e kanë thënë shumë dijetarë, filozofë, shkrimtarë, diplomatë dhe mbretër e princa të Europës dhe botës.

Historianët modernë e çmojnë Skënderbeun si një nga udhëheqësit më të mëdhenj ushtarakë të të gjitha kohërave. Ata e njohin si mbret i shqiptarëve që e bëri të pavdekshme emrin e Krujës dhe që i fitoi të gjitha betejat në të gjitha frontet që i patë gjatë çerek shekullit sa e udhëheqi shtetin e lirë shqiptar. Për Skënderbeun siç thot edhe autori i librit në fjalë Mr. Murat Ajvazi, me siguri do të bëhen edhe shumë hulumtime, sepse ai nuk është vetëm titani shqiptar por edhe titan që mbrojti Europën dhe botën e civilizuar. Autorit nga zemra i dëshiroj shëndet, jetë të gjatë e të lumtur dhe shumë suksese e befasi të këndshme për popullin shqiptar dhe botën e civilizuaar. (Bukuresht, 25 Maj 2019)

Burime biobibliografike

sc. Murat Ajvazi u lind më 01.09. 1960 në fshatin Hajkobillë, Komuna e Prishtinës. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë në vitin 1979. Pas përfundimit të shkollës së mesme u regjistrua në degën e Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, të cilën e kreu pa ndërprerje në Qershor të vitit 1983. Në vitin shkollor 1984-85 regjistroi studimet pasuniversitare, në degën e Historisë dhe në afatin e caktuar kohor i dha të gjitha provimet e parapara, ndërsa më 12 Dhjetor1987, e mbrojti me sukses punimin e magjistraturës me titull: „Shtypi kroat ndaj çështjes shqiptare (1881-1912)” dhe mori titullin magjistër i shkencave historike. Është anëtar i Këshillit Botues të revistës „Mirdita”, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, me seli në Gjermani.

Deri më tani ka publikuar këto studime shkencore: “Hiroshima dhe Nagasaki” (Rilindja, 26.08.1983); „Revolucioni i Tetorit 1917 - Flaka që ndezi frymën revolucionare” (Rilindja, 25.10.1983); “Një pasqyrë e lëvizjes punëtore ndërkombëtare” (Rilindja, 15.08.1985); ”Zef Lush Marku” (Buletini i Muzeut të Kosovës, nr. 15-16 1985); “Mirdita Sipas Shtypit Kroat 1875-1881” (Mirdita nr. 12, 2016); “Rrethanat politike në Ballkan-Mirdita sipas shtypit kroat 1881-1900” (Mirdita, nr.13,2016); “Reformat në Turqi-Mirdita sipas shypit kroat 1900-1903” (Mirdita nr. 14 2017), “Rezistenca shqiptare kundër reformave turke dhe fuqive të mëdha”; Mirdita sipas shtypit kroat 1903-1906” (Mirdita nr.15 2017); “Kryengritjet antiosmane shqiptare në Kosovë dhe Krujë”; „Mirdita në shtypin kroat 1906-1908” (Mirdita nr. 16 2017); „Revolucioni Xhonturk dhe rrethanat shoqërore politike në Ballkan”, (Mirdita sipas shtypit kroat 1907-1098, nr. 18 2018); „Kryengritjet e armatosura të viti 1909 dhe pjesmarrja e mirditorëve sipas shtypit kroat” (Mirdita nr.19 2018); “Çështja Shqiptare në Shtypin Kroat 1881-1912” (Prishtinë 2012), “Revolucioni Xhonturk dhe shqiptarët sipas shtypit kroat 1890- 1909” (Prishtinë 2014), “Kryengritjet shqiptare 1909-1910 sipas shtypit kroat” (Prishtinë 2015), “Kryengritjet shqiptare 1911-1912 dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërise, sipas shtypit kroat” (Prishtinë 2016). „Gjergj Kastrioti Skënderbeu në historiografinë zvicrane” (Prishtinë 2018). Monografia është promovuar në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Zvicër, Francë dhe Gjermani. Autori është fitues i Çmimit „Yjet e Arbërit” në Tiranë më 21 Tetor 2017. Aktualisht jeton dhe vepron në Zvicër.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...