Shoqata Humanitare “Medvegja” shembull i organizimit dhe veprimit të mërgatës sonë! - Bota Sot
Shoqata Humanitare “Medvegja” shembull i organizimit dhe veprimit të mërgatës sonë!

Zvicra

Shoqata Humanitare “Medvegja” shembull i organizimit dhe veprimit të mërgatës sonë!

Nga: Avni Azizi Më: 5 korrik 2019 Në ora: 11:45
Shoqata Humanitare “Medvegja”

Mërgata apo Diaspora shqiptare historikisht ka qenë shumë aktive dhe përherë e lidhur me fatin e atdheut duke punuar pa reshtur për të mirën e tij, duke dhënë kontribut të pakursyer në organizimin politik, shoqëror e kulturor, por njëkohësisht edhe në mbështetje financiare, nëpër kohë të rënda...
Bëhen gati, më shumë se tri dekada që kur Shoqata humanitare “Medvegja” ka nisur me aktivitete. Organizimet e tyre filluan në vitet e ’80-ta udhëhequr nga mërgimtarët tanë të përbërë nga 13 anëtarët dhe veprimtarët e parë të saj të cilët ishin Fadil Selmani, Zejnullah Namani, e shumë të tjerë, të cilët valët e jetës i kishin sjellë për të jetuar e punuar në shtetin helvetik gjegjësisht në kantonin Valais...

Me ndryshimin e rrethanave, pikërisht më 26 qershor të vitit 1990, ky organizim regjistrohet e legalizohet si Shoqata Humanitare “Medvegja” ku nga fillimi i saj e deri më sot, vepron pareshtur në shërbim të shumë organizimeve kulturore, humanitare dhe artistike. Veprimtaria e tyre është e bujshme.  Nga zgjedhjet e para kur drejtues i saj për vite më radhë ishte veprimtari Ismet Selmani i cili i priu kësaj shoqate në kohërat më të vështira e deri pas luftës së Kosovës. Kjo shoqatë gjatë tërë kohës së veprimtarisë së saj ka qenë shembull i një organizimi e veprimtarie sesi duhet organizuar e vepruar mërgata jonë. Ndonëse edhe sot, modestia dhe heshtja e udhëheqësve të saj vërshon si ujët e një lumi të heshtur. Pa mëdyshje, se vlen të përmenden shumë organizime kohore të cilat kjo shoqatë i ka realizuar nëpër periudha të ndryshme kohore.

Duke shfletuar dokumentet arkivore të kësaj shoqate ndër të tjera mund të gjejmë aktivitete, organizime, manifestime, dhe gjithçka që japin vulën e një veprimtarie të mirëfilltë të një organizmi të mërgatës sonë. Shoqata “Medvegja” është subjekti i parë i organizuar i shqiptarëve të atyre viseve zvicerane, ku për tri dekada ka vepruar dhe vepron në vazhdimësi... Kjo shoqatë përherë ka orientuar aktivitetin dhe veprimtarinë e saj në dy shtylla të veprimit, në mbajtjen dhe ruajtjen e vlerave dhe lidhjeve të përhershme me atdheun, dhe ndihmën konkrete ndaj tij në ruajtjen e traditës, kulturës, gjuhës dhe vlerave kombëtare në mërgatë.

Ajo që veprimtarinë e saj e ka nisur që nga vitet e ’80 kur ka ndihmuar Minatorët e Trepçës... Për të vazhduar me ndihmën e mbarëvajtjes së informimit në gjuhën shqipe, (i cili atëbotë të okupimit serbë emetohej nga kryeqyteti kroat Zagreb) e deri tek Lufta e fundit në Kosovë. Gjithashtu për të vazhduar, me studentët e Universitetit të Prishtinës, Universitetin e Tetovës, pastaj në aksionin Kosova ndihmon Shqipërinë rasti i Gërdecit, familjet e tragjedisë ajrore të Ohrit, shkolla shqipe në Medvegjë, botime shkollore e shkencore, organizime e manifestime me karakter kombëtar, mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, arsimin në Kosovë, Maqedoninë shqiptare, realizimin e disa projekteve filmike siç ishte ai “Molla e Kuqe” etj...

Gjatë luftës së Kosovës dhe me rënien e komandantit legjendarë Adem Jashari, shoqata “Medvegja” për një kohë shumë të shkurtër kishte grumbulluar mjete financiare në shumën prej 150.000 CHF për fondin 3 përqindëshit dhe 55.000 CHF për fondin “Vendlindja thërret” Në të njëjtën kohë kishte formuar Komisionin Aktiv Humanitar në përbërje prej 5 anëtarëve të prirë nga Fadil Selmani, komision ky që bëri grumbullimin e mjeteve materiale, pastaj atyre të ushqimeve e veshmbathjeve të ndryshme, produkteve higjienike, materialeve shëndetësore dhe shumë pajisjeve tjera të nevojshme për popullatën e sapodalë nga lufta e Kosovës. 

Kjo shoqatë gjatë kësaj kohe kishte edhe zyrat dhe qendrën informuese në qytetin Martigny përmes së cilës ishin dërguar edhe konvoje të ndryshme humanitare. Vlen të përmendet se kjo shoqatë ishte nga të parat që kishte dërguar ndihmat e para në rajonin e Drenicës së djegur nga pushtuesit serbë. Kontributi i madh i kësaj shoqate kalon vlerat e disa miliona eurove derdhur për atdheun dhe kombin.  Pas luftërave çlirimtare shoqata ka ndihmuar financiarisht edhe shumë projekte si ato për ngritjet e lapidarëve të dëshmorëve të kombit gjithandej atdheut siç janë edhe ajo e 28 dëshmorëve të kombit të UCPMB-së të cilën pushteti serb e kishte hequr me dhunë.

Janë ndihmuar Institucionet tona legale shqiptare, si arsimi, shkenca, mjetet e informimit, familje dhe individë të rrezikuar dhe skamnorë dhe qëllimi i vetëm i kësaj shoqate ishte bamirësia dhe çlirimi njëherë e përgjithmonë nga shtypja serbe. Pastaj kjo shoqatë ka ndihmuar riatdhesimin dhe organizimin e varrimeve të shumë bashkë mërgimtarëve tanë të cilët kanë humbur jetën jashtë atdheut. Po ashtu ka ndihmuar në ndërtimin e shumë objekteve shkollore, kulteve të besimit...dhe krijimin e kushteve për banorët e rajonit të Medvegjës ndaj të cilëve në vazhdimësi është ushtruar dhe ushtrohet shpërngulja e heshtur nga serbët.

Luginë e gjithandej, por edhe shumë familje të varfra anekënd vendit ku ndihma e tyre shpesh është bërë rreze e shpresës dhe e dritës për shumë familje në vështirësi. Shoqata humanitare “Medvegja” me aktivitetet dhe zemërgjerësinë e mërgimtarëve tanë ka grumbulluar mjete dedikuar humanizmit njerëzor që kapin shuma të mëdha të mjeteve. Por, nuk janë vetëm këto organizime që duhet përmendur, kjo Shoqatë gjithashtu me mjetet e saja financiare, gjithashtu ka ndihmuar edhe gjitha viset e atdheut, nga Saranda deri në Medvegjë.

Një rast që flet shumë...

Pos aktiviteteve dhe humanizmit të kësaj shoqate ajo në një mënyrë ka luajtur edhe rolin e ambasadorit për të sensibilizuar opinionin helvetik rreth shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 8 shkurt 2008 shoqata të njëjtën ditë kishte mbajtur një manifestim popullor në qytetin Fully ku nga selia e saj edhe drejtpërdrejtë përcillej kjo ngjarje. Më pas parakalimi i qytetarëve shqiptar me vetura dhe veshje kombëtare ishte diçka e paharruar për popullin zviceran të kësaj ane.  Në këtë manifestim historik i pranishëm kishte qenë edhe deputeti i Zvicrës z. Leonard Bender i cili po ashtu  ishte edhe nënkryetar i partisë liberale Zvicerane, parti kjo e cila ishte në pushtet në atëbotë. Zotëri Bender gjatë atij manifestimi i kishte thënë veprimtarit Fadil Selmani dhe kryetarit të asaj kohe të shoqatës zotëri Zenel Neziri se kishte një befasi për ata. Dhe pasi që në këtë manifestim ndodhem me familje më lejoni të largohem vetëm për gjysmë ore dhe të kthehem prapë. Z. Bender pasi kishte dërguar familjen në shtëpi ishte kthyer dhe kishte nxjerrë nga xhepi komunikatën në të cilën në emër të Partisë Liberale Zvicerane dhe kryetarit të saj z. Flavio Koti (ministër federal) ishin prononcuar pro njohjes së pavarësisë së Kosovës. Siç ishte mësuar më vonë z. Bender ishte edhe anëtari i nëntë i Komisionit Federal për politikë të brendshme të Zvicrës dhe kur ky komision në një mbledhje me dyer të mbyllura kishte debatuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, zotëri Bender duke paralizuar ish Senatorin Dik Marti i cili ishte kundër dhe më vonë do shihej edhe roli destruktiv i tij kishte arritur që ky komision me nëntë vota të votonte pro njohjes së Kosovës shtet. Shoqata “Medvegja” kishte një rolë shumë të rëndësishëm rreth çështjes kombëtare e në veçanti asaj të Kosovës për vite e dekada me radhë...

Vizita dhe pritje madhështore të personaliteteve të ndryshme nga shoqata “Medvegja”

Gjatë veprimtarisë së saj shoqata “Medvegja” është vizituar nga shumë personalitete të jetës politike, kulturore e publike. Duke filluar nga Krye parlamentari i parë i Parlamentit Demikratik Shqiptar z. Pjetër Arbnori e deri tek këshilltari Nacional Zvicran Kristof Darbëlej (Cristophe Darbellay) Shoqata ka shpallur edhe shumë anëtar nderi nga vendlindja duke përfshirë edhe Parlamentarin Darbelej e deri tek stërnipi i Ismail Qemajlit z. Darling Vlora. Ndërsa akademiku tashmë i ndjerë Idriz Ajeti është shpallur personaliteti i shekullit nga shoqata “Medvegja” në 92 vjetorin e tij të lindjes.

Gjithashtu kjo shoqatë ishte edhe bashkë organizuese e pritjeve dhe dy vizitave historike, të ish Presidentit të Shqipërisë zotëri Bujar Nishani më 7 mars 2017 në Bujanoc e Preshevë dhe vizitës të Presidentit aktual zotëri Ilir Meta më 26 e 27 nëntor 2017 në Banjë të Sjarinës dhe Tupallën e akademik Idriz Ajetit e Ramadan Xhema, Zenzl e Hashim Hajdinit, Familjes Selmani e dhjetëra qindra familjeve tjera patriotike e kombëtare...

Por, nuk është vetëm e kaluara krenare dhe pjesë e ndritur e kësaj Shoqate. Është edhe e sotmja, është edhe veprimtaria e tyre e cila edhe në ditët tona vazhdon të mbajë gjallë frymën kombëtare të bashkë mërgimtarëve tanë veçanërisht atyre të cilët jetojnë në këtë pjesë të shtetit helvetik dhe më gjerë.  

Udhëheqësit dhe anëtarët e këtij asociacion i cili sot, tubon shumë anëtarë duke filluar nga  mosha të ndryshme janë të angazhuar në ruajtjen e traditave dhe zhvillim të kulturës shqiptare, madje  duke e prezantuar atë edhe para të tjerëve. Entuziastët dhe veprimtarët e kësaj Shoqate shprehen të kënaqur me punën dhe të arriturat e deri tanishme. Për një dëshmi e dukshme e organizimeve dhe sukseseve të këtij asociacioni janë vet organizimet dhe tubimet e zhvilluara.

Nëse është e pamundur të ndryshosh shoqërinë dhe personalitetin brenda natës, është e mundur të krijohen parakushte për një ndryshim rrënjësor në hapësirën e shoqërisë. Shoqata “Medvegja” me punën dhe veprimtarinë e saj i ka dhënë shoqërisë frytet më të ëmbla të cilat piqen nga organizimet e përbashkëta njerëzore, me shembuj pragmatik ka treguar se nëse secili nga ne bën një hap të duhur, hapi i tërë shoqërisë është i sigurt dhe përparimtar.

Aktivitet humanitare dhe kulturore të cilat i zhvillon Shoqata “Medvegja” janë të ndryshme dhe të shumëllojshme. Referenca e tyre është që të transmetojnë vlerat dhe synimet e të rinjve të mërgatës shqiptare në Zvicër gjegjësisht në kantonin Valais dhe më gjerë. Po ashtu synime primare kanë mbajtjen e lidhjeve të mërgatës  me origjinën e tyre, kulturën dhe vlerat tradicionale shqiptare. Në të vërtetë, në një perspektivë të integrimit të suksesshëm, është thelbësore që të njohim rrënjët e origjinës dhe traditave tona shprehen udhëheqësit e kësaj shoqate.

Përmes këngëve,  valleve popullore, sportit dhe aktiviteteve të ndryshme ata mëtojnë të bëjnë pjesë për të njohur edhe kulturat e kombeve tjera... pastaj për të njohur publikun e gjerë dhe për të këmbyer përvoja artistike e kulturore.

Shoqata Humanitare “Medvegja” aktualisht, është e organizuar nga drejtuesit e saj dhe anëtarët e kryesisë aktuale në përbërje të së cilës ndodhen veprimtarët e dalluar siç janë: Fadil Selmani, Sabit Abazi, Zymer Hajrullahu, Sylejman Musliu, Shqipe Neziri, Mevlan Thaqi, Fadil Baftiu, Samir Neziri, Blerim Beha, Kujtim Salihu etj.

Nën drejtimin e kryetarit aktual Zejnullah Namani. Në përbërjen e kësaj Shoqate vepron edhe Shoqëria Kulturore-Artistike “Medvegja” me grupin e fëmijëve, valltarëve, rapsodëve, të udhëhequr nga Sylejman Musliu Kryetar. Një aktivitet të palodhur në këtë shoqëri ka treguar edhe Avni Neziri (djali i të ndjerit veprimtarit të dalluar Musa Neziri) i cili njëkohësisht ishte edhe bashkëthemelues i Shoqërisë. Po ashtu nëpër shumë manifestime shquhet edhe Zenel Nezir i cili është edhe kryetar nderi. Kjo Shoqëri kulturore e artistike bën dhjet vite aktivitete e organizime të mirëfillta kulturore dhe kudo që është paraqitur shfaqjet e tyre janë mirëpritur me entuziazëm nga të pranishmit  

Anëtarët dhe drejtuesit e Shoqërisë Kulturore – Artistike janë të shumtë por, do të veçojmë disa nga ata të cilët me përkushtimin e tyre bëjnë që kjo Shoqëri të jetë e suksesshme në çdo shfaqje para publikut dhe të mirëpritet. Drejtimi i kësaj Shoqërie përbëhet nga:, Sadik Baftiu, Mevlan Thaqi, Avni Neziri, Kujtim Salihu, Shqipe Neziri, Sofije Nimani, Samir, Nezri, Marigona Kadriu, Valbona Thaqi, Lirije Nimani, Liza Musliu, Emine Neziri, Ninilona Neziri, Anisa Abazi, Anita Dragusha, Donika Thaqi, Lorina Nimani, Fiona Selmani, Melisa Abazi, Ledina Abazi, Lora Dragusha,Yllka Thaqi, Medina Abazi, Bleona Kadriu, Ardian Arifi, Eliza Arifi, Bleona Baftiu, Leona Zuka, Elina Kurti, Ema Kurti, Elina Istoku, Imer Rexhepi etj.

Po ashtu në kuadër të Shoqatës bën pjesë edhe Komisioni Sportiv i prirë nga Xhevat Neziri në përbërje të Naim Jakupi, Kushtrim Rama, Samir Neziri, Zog Nimani etj... Ky komision çdo vit bën organizimin e turnirit në futboll të vogël ku marrin pjesë shumë ekipe të ndryshme zvicerane dhe ato nga komunitetet e huaja.

Gjithashtu në kuadër të shoqatës është i organizuar Komisioni i ushqimeve të ndryshme tradicionale dhe ai i pijeve...Në përbërje të këtij komisioni janë veprimtarët Riza Mehmeti, Miftar Ajeti, Sali Ajeti, Bashkim Kadriu, Mevlan Thaqi etj...  Ky komision në çdo organizim prezanton gastronominë dhe specialitete të shumta nga kuzhina autoktone shqiptare.

Manifestimi tradicional i 24 me radhë i organizuar nga Shoqata “Medvegja”

Me datë 16 gjegjësisht 17 qershor në qytetin Fully të kantonit Valais, ashtu si çdo vit më parë, edhe këtë vit nën organizimin e Shoqatës Humanitare “Medvegja” u organizua tubimi tradicional me bashkë mërgimtarët tanë. Ndonëse kushtet atmosferike atë ditë ndikuan që ky manifestim të mos mbahet në fushën e hapur siç ishte organizuar vite më parë, megjithatë salla sportive ishte e vogël për ti mbledhur gjithë të interesuarit të cilët kishin ardhur për ta ndjekur këtë shfaqje kulturore.

Në nderim të këtij manifestimi të pranishëm ishin mysafir të shumtë, udhëheqës të jetës kulturore e politike nga kantoni zviceran i Valais dhe po ashtu edhe personalitete nga atdheu ynë.

Tubimi fillon me vallen e ekzekutuar nga Shoqëria Kulturore – Artistike “Medvegja” dhe më pas në skenë paraqitet kryetari aktual i Shoqatës Humanitare “Medvegja” zotëri Zejnullah Nimani i cili duke dhënë një historik nga formimi i shoqatës e deri më sot, thekson se domosdoshmëria e bashkimit gjithëpërfshirës të gjithë bashkë mërgimtarëve tanë si dhe koordinimi i forcave dhe harmonizimi i tyre i mirëfilltë, pa mëdyshje janë siguria dhe ruajtja e vlerave jo vetëm të rinisë por edhe gjithë mërgimtarëve tanë në tërësi. Ne do vazhdojmë në synimet tona. Rina jonë dhe fëmijët duhet përherë ti mbajnë lidhjet shpirtërore me atdheun shprehet zotëri Nimani...

Në këtë tubim me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti i Parlamentit të Kosovës zotëri Milaim Zeka i cili duke përmendur kontributet e kësaj Shoqate thotë se ne shqiptarët krenohemi me mërgatën tonë, ndonëse një pjesë e klasës sonë politike po ua nxinë fytyrën atyre...

Duke e përshëndetur tubimin kryetari i Komunës Fully tha se komuniteti shqiptar, është shembull i integrimit, dhe punës në kantonin tonë dhe tërë shtetin zviceran në përgjithësi...

Këtë tubim edhe më madhështor e bën edhe tingujt e folklorit dhe melosit tonë. Rapsodët të dhe këngët nga folklori ynë i pasur ku përmes këngës dhe çiftelisë zëri dhe malli për atdheun sikur ngrohu zemrat e gjithë atyre që ishin prezent në këtë mbrëmje të organizuar nga shoqata “Medvegja” Po ashtu një argëtim të këndshëm me valle e këngë interpretuan e edhe solistët e mirënjohur “Lori” dhe “Duli” ku bënë që mbrëmja të vazhdoj deri në orët e pasmesnatës.

Të nesërmen u zhvillua turniri tradicional në futboll të vogël ku morën pjesë disa ekipe të futbollit.  Në këtë turnir tradicional pas lojërave eliminuese vendi i parë i takoj ekipit “Gajzer”, sponsorizuar nga Auto Styling Conthey, vendi i dytë Ed Palestino Mirsad Kasa, ndërsa vendi i tretë Sdei It. Ndërsa portieri më i mirë u zgjodh Flamur Haradini gjithashtu u zgjodh edhe lojtari më i mirë. Veprimtari Fadil Selmani duke ua ndarë mirënjohjet sportistëve dhe ekipeve të dalluara falënderoi edhe Remzi Morinën për kontributin e tij në ndihmën shumëvjeçare rreth organizimit të këtij turniri në futboll. Duke e shpallur të mbyllur këtë manifestim në fund u potencua se organizimet e tilla kulturore janë mese të domosdoshme. Është koha e fundit të bashkohen gjitha forcat progresive të mërgatës sonë. Të bashkohen intelektualët e mirëfilltë nga të gjitha anët dhe potenciali i tyre të vihet në shërbim të njerëzve, proceseve, mërgimtarëve dhe trojeve tona...

Duke u përmbyllur ky manifestim edhe një herë u dëshmua se falë punës dhe organizimeve edhe të pamundurën mund ta bëjmë të mundur. Shoqata Humanitare “Medvegja” është shembulli më i mirë i gjithë organizimeve tona të mërgatës sesi duhet organizuar dhe drejtuar komunitetin tonë i cili ndodhet jashtë trojeve të atdheut. Duke u bazuar në bëmat dhe veprimtarinë e bujshme të shoqatës “Medvegja” pa kurrfarë hezitimi mund të thuhet se kjo shoqatë me punën e saj peshon rëndë në tërë Lëvizjen tonë Kombëtare Shqiptare dhe meriton mirënjohjen dhe nderimet nga dy shtetet tona ekzistuese.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...