Një jetë në shërbim të folklorit shqiptar

Zvicra

Një jetë në shërbim të folklorit shqiptar

Nga: Ismet Rashiti Më: 15 korrik 2019 Në ora: 17:38
Isuf Rashiti dhe Mehmet Hyseni

Stdio e Folklorit Burimor në Zvicër, shtëpi e dytë e rapsodëve, Isuf Rashiti dhe Mehmet Hyseni. Aty bashkohen edhe rapsod tjerë me qëllim të ruajtjes së këngës folklorike, traditës dhe dokeve tradicionale shqiptare. Deri tani, Isuf Rashiti dhe Mehmet Hyseni kanë përgaditur dhe kënduar mëse 200 këngë folklorike.

Ka disa dekada që Isuf Rashiti nga Gjilani jeton me këngën folklorike. Ka lindur në fshatin Kosaqë i Epërm dhe qysh si fëmijë 2-vjeçar, bashk me familjen e tij jeton në Gjilan, ku edhe e mbaron shkollimin. Isufi i vokël dhe entuziast qysh në vitet 70-ta të shekullit të kaluar, dallohet me zërin e tij karakteristik. Gjatë kësaj periudhe, ishte bërë një fimijë i dashur dhe i respektueshëm për të gjithë mësuesit dhe rrethin ku jetonte. Ka qenë shumë aktiv në festat e shkollës dhe të qytetit ku jetonte. Kishte nisur kështu jetën e gjatë të një këngëtari që jo vetëm kishte talent të veqant, por ishte dhe mbeti i përkushtuar me tërë qenien e tij. Gjatë kohës sa ka kënduar në SHKA « Mic Sokoli », është njohur me bashkëshortën e tij, Makfire Hyseni, e cila poashtu këndonte bashk me Isufin. Janë të rrallë këngëtarët si Isuf Rashiti që përmes këngës, shpalosin aq bukur shpirtin atdhetar dhe dashurinë e madhe ndaj kulturës dhe traditës shqiptare. Isufi dhe Makfirja, tashmë janë bërë shembull për komunitetin shqiptarë në Zvicër. Në këtë frymë atdhedashurie, kanë rritur edhe tre fëmijët e tyre si drita : Migjenin, Edonën dhe Fjollën të cilët sado që janë intergruar natyrshëm në vendin ku jetojnë, për asnjë moment nuk kanë harruar kulturën e lashtë shqiptare, gjuhën dhe zakonet e bukura me të cilat krenohen kudo që janë. Kënga dhe ideali i kombëtar, kanë bërë që familja e Isuf Rashitit, gjithnjë të jetoj pran Kosoves, halleve të kësaj nënloke dhe shpirtit liridashës të popullit shqiptar. Isufi dhe Makfirja me këngët e tyre, si të thuash janë bërë inspirim për mërgatën shqiptare. Kënga folklorike, e përcjellur me tingujt e çiftelisë dhe sharkisë të rapsodëve Isuf Rashiti dhe Mehmet Petrovci, kanë jehuar qyshë në vitet më të rënda të popullit shqiptarë. Sado që ishte rrezik dhe mund të burgoseshin nga rexhimi anishqiptar i Millosheviqit, këta dy raspsod gjetën guximin që me këngët e tyre patriotike të mbajnë ndezur fitilin e lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Nga viti 1983, Isuf Rashiti dhe Mehmet Petrovci, kanë qenë pjesë e pandarë e lëvizjes ilegale, në tubime e demonstrata. Pa zërin dhe këngën e tyre nuk mund të mendohej asnjë tubim i bashkatdhetarëve. Ndonëse për një periudhë, për shkaqe objektive kishin pushuar së kënduari së bashku, viteve të fundit sërish, kanë bashkuar tingujt e çiftelisë, zërin dhe shpirtin e tyre artistik. Së bashku këndojnë këngë për lavdinë dhe heroizimin e dëshmorëve shqiptarë. Janë mbi 100 këngë folklorike që janë kënduar me përkushtim e me afsh shpirtërorë nga këta dy rapsod të talentuar. Duhet veçuar këngët e kohëve të fundit për Hysen Tërpezën, Ukshin Hotin, Nënë Terezën, Sherif Frangun, e shumë e shumë tjera. Isufi dhe Mehmeti, tashmë kanë bërë emër në mbarë Zvicrën dhe më gjërë. Këngët e tyre dëgjohen me respekt nga të gjithë mërgimtarët. Rapsodi Isuf Rashiti një kohë ka qenë pjesë e SHKA « Idriz Seferi », ndërsa aktualisht këndon në SHKA « Bashkimi » në Uster. Pothuaj nuk ka festë kombëtare që t’mos jet i pranishëm Isuf Rashiti, ky zë i veqant që dinë aq bukur ti këndoj lirisë, dëshmorëve, rapsodëve shqiptar, Kosovës,Shqipërisë, gjitha trojeve shqiptare. Mbase ky është reportuari i këngëve të tij patriotike të cilat i komponon dhe i këndën herë vetë, e herë bashk me Mehmet Petrovcin. Viteve të fundit, ka themeluar Studion e Folklorit Burimor në të cilën përgaditen e këndohen falas qindra këngë për dëshmorët. Brenda kësaj studio ndodhen veshje dhe instrumente kombëtare shqiptare. Studio është e kompletuar me një teknikë moderne dhe është e hapur për të gjithë rapsodët e mërgatës. Rapsodi gjilanas, Isuf Rashiti është bërë i njohur edhe si digjej. Falë talentit të tij është mjaft i kërkuar edhe në festat e ndryshme familjare, ku gjithnjë krijon atmosferë dhe ambient të mrekullueshëm, duke ruajtur vlerat e mirëfillta të muzikës tradicionale shqiptare. Ata që kanë fatin t’a kenë pranë në festa kombëtare apo familjare, rapsodin, Isuf Rashiti, ndihen të lumtur dhe janë të sigurt se zëri i tij, do t’ia shtoi madhështinë festës. Një zë kumbues që delë nga thellësia e shpirtit si një gurrë që nuk shterrë kurrë.

Rapsodi tjetër që ka bërë emër në botën shqiptare, veqmas në Anamoravë dhe mërgatë, padyshim është Mehmet Hyseni, i njour edhe si Mehmet Petrovci. U lind më 21 maj 1955 në fshatin Novosellë të Bujanocit, aty ku pushteti serb përpiqej t’i shkulte me rrënjë shqiptarët: Traditën, folklorin, gjuhën, arsimin dhe individualitetin kombëtar të shqiptarëve autokton.

Në këto rrethana të vështira, Mehmeti ka mbaruar tri vitet e para të shkollës fillore në fshatin e lindjes, ndërkaq vitet tjera të fillorës i kryen me sukses në fshatin Miresh.

Kushtet e vështira ekonomike dhe situatat e padurueshme politike, nuk arritën t’ia shuajnë etjen për dituri e shkollim të mëtutjeshëm, Mehmet Hysenit. Në këto rrethana e mbaron gjimnazin « Zenel Hajdini » në Gjilan, ku krahas mësimit nuk e ndërprente as këngën popullore e folklorike shqiptare. Ky zë i veqant, me ngjyrë dhe plotë muzikalitet kishte nisur qysh në klasën e tretë të fillorës, për të vazhduar rrugën e gjatë disa dekada të folklorit dhe këngës patriotike shqiptare.

Falë talentit dhe përkushtimit, Mehmet Hyseni qysh si gjimnazist ishte bërë anëtar i SHKA « Zenel Hajdini » të Gjilanit, për të vazhduar pastaj në SHKA « Idriz Seferi » të Zhegrës. Gjatë këtyre viteve, Mehmet Hyseni ishte bërë i njohur me zërin e tij karakteristik dhe tërheqës për të gjitha moshat.

Me këtë entuziazëm dhe dashuri të madhe për këngën shqipe, Mehmet Hyseni vazhdoi edhe si student i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Si anëtar i dalluar i SHKA « Kosova » të Prishtinës, është paraqitur me sukses para publikut në shumë koncerte të cilat padyshim kanë lënë gjurmë dhe kanë mbellur farën e patriotizmit qyshë në ato vite të rënda.

Pas mbarimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, ka nisur punën si mësues në fshatin Dobrosin, ku ka punuar tri vite, për të vazhduar pastaj dy vite tjera në fshatin Zerbincë.

Vitet e 1974-1975, Mehmet Hysenin e gjejnë në vlugun më të mirë të këngës dhe hovit rinor. Gjatë këtyre viteve regjistron këngët e para në Radio Gjilan me të cilat popullarizohet edhe më shumë, duke kënduar këngë për trimat shqiptarë, për heroizmin e tyre dhe historinë e lavdishme të shqiptarëve.

Në vitin 1979 ka shkuar ushtar. Pas kryerjes së ushtrisë ish Jugosllave, është martuar me Shemsije Eminin me të cilën kanë tre fëmijë : Rinonin, Albanin dhe Albinën. Që të tre fëmijët me emra të bukur shqip dhe të përkundur në djepin e këngës së bukur shqipe dhe tingujve të qiftelisë të dridhur nga Mehmet Hyseni, i cili njihet edhe si Mehmet Petrovci.

Në Zvicër fillimisht punon si student gjatë vitit 1979, ndërsa që nga viti 1982, e deri në ditët e sotme jeton, punon dhe vepron në Zvicër. Qysh në ditët e para të vendosjes në Zvicër është angazhuar në shumë klube e shoqata të mërgatës shqiptare, duke mbajtur lart frymën kombëtare dhe duke lehtësuar peshën e rëndë të mallit në meset e mërgimtarëve.

Mehmet Hyseni - Petrovci ka marrë pjsë në shumë koncerte të organizuara nga klubet shqiptare, por veqmas në tubimet atdhetare që organizonte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës.

Gjatë tubimeve para qindra bashkatdhetarëve që organizonte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), është njohr me rapsodin Isuf Rashiti, i cili qysh në ato vite kishte bërë emër në mesin e bashkatdhetarëve në Zvicër. Bashk me Isuf Rashitin në duet dhe me rapsod tjerë, nuk janë ndalur asnjëherë së kënduari, aty ku e ka kërkuar nevoja dhe çështja shqiptare. Sado që gjatë atyre viteve UDB-ja jugosllave përcillte çdo lëvizje të shqiptarëve, Mehmet Hyseni dhe Isuf Rashiti, kënduan hapur pa iu trembur syri këngë për Flamurin, për lirinë dhe Republikën e Kosovës ! Gjatë viteve 80-ta, Mehmet Hyseni, Isuf Rashiti dhe rapsodtjerë tjerë patriotë, me zërin e tyre, i dhanë fuqi, zemër e kurajo Lëvizjes Popullore për Repblikën e Kosovës, duke frymëzuar mërgatën shqiptare me këngët e tyre patriotike, pavarsisht rrezikut që i priste nga spiunët dhe bashkëpunëtorët e UDB-së. 

Pas një pauze bukur të gjatë, i bashkohet me vullnet dhe përkushtim iniciativës dhe investimit të rapsodit, Isuf Rashiti  për themelimin e Studios së Folklorit në Mërgatën Shqiptare, ku prej shumë vitesh këndojnë së bashku për trimat, heronjtë, për shumë burra e gra që ia shtuan lavdinë historisë sonë kombëtare.

Janë mëse 20 këngë folklorike të kënduara nga dueti Mehmet Hyseni  dhe Isuf Rashiti si dhe shumë këngë tjera të përpunuara e të kënduara në grup apo me rapsod tjerë në mërgatë.

Stdio e Folklorit Burimor në Zvicër, tashmë është bërë një vatër e ngrohët shqiptare, ku takohen rapsodët, këndojnë e editojnë këngë të bukura folklorike. Kjo studio është bërë një copë Kosovë, ku këndohet e kuvendohet shqip. Ku ruhen me dashuri doket, zakonet, gjuha dhe kënga e bukur shqipe. Ku shkruhet e këndohet me qifteli historia shqiptare dhe heroizmi i shumë brezave për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat