Integrimi i të huajve në Zvicër, Krasniqi-Malaj: Proces dinamik që përfshin gjithë shoqërinë

Zvicra

Integrimi i të huajve në Zvicër, Krasniqi-Malaj: Proces dinamik që përfshin gjithë shoqërinë

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 17:46
Albana Krasniqi-Malaj

Politikat e emigracionit dhe sfidat e integrimit të të huajve në shoqërinë zvicerane ishin në fokus të bisedës që zhvilloi në studion e edicionit qendror të lajmeve të televizionit zviceran, RTS, Albana Krasniqi-Malaj. Presidente e Universitetit Popullor të Gjenevës dhe anëtare e Komisionit Federal për Imigracionin, ajo ishte ftuar të jepte mendimin e saj se sa e vështirë është për qytetarët e huaj të integrohen në shoqërinë zvicerane.

E pyetur në studion e RTS në lidhje me vështirësitë që ndesh një i huaj për të gjetur një vend, për të bërë projekte, anëtarja e Komisionit Federal për Imigracionin, Albana Krasniqi-Malaj tha se për pjesën më të madhe të personave që vijnë të kërkojnë punë në Zvicër, nuk është e lehtë.

“Një studim tregon se rrugët nuk janë gjithmonë të hapura për të huajt, është gjithmonë e vështirë të gjesh një punë, të zësh një vend në shoqëri. Vëmë re që shumë njerëz që vijnë për të punuar në Zvicër, shumica e tyre, kanë të ardhura të ulëta dhe kushte jetese shumë më pak të favorshme sesa ata që kanë lindur në Zvicër, ose që jetojnë atje prej shumë kohësh. Është e rëndësishme t’u japim prioritet gjërave në jetë. Sporti, shërbimet dentare vijnë në plan të dytë. Ka shumë probleme të tjera më të rëndësishme. Duhet gjetur një punë, duhet gjetur shtëpi dhe duhet të zgjidhësh problemet që lidhen me edukimin e fëmijëve, të kuptosh se si funksionon sistemi”, tha ajo.

Krasniqi-Malaj tha se integrimi nuk është një element që realizohet lehtësisht. E pyetur për rastet kur njerëzit pësojnë një mbyllje në rrethin e tyre për shkak të vështirësive, nëse kërkohet forcimi i bashkëpunimit komunitar, ajo vuri në dukje se integrimi është një proces që përfshin gjithë shoqërinë dhe që zgjat.

“Është një proces social, dinamik që përfshin të gjithë shoqërinë, jo vetëm emigrantët, por edhe vendin që i pret. Kur emigrantët vijnë me idenë të gjejnë punë, të krijojnë miqësi,  një vend në shoqëri, të marrin pjesë në një shoqatë apo klub futbolli dhe gjenden përballë refuzimit të atyre që kanë lindur këtu, kjo i shtyn që të kërkojnë lidhje më të ngushta me komunitetet e tyre ku ata ndjehen më mirë dhe më të sigurt”, theksoi Krasniqi-Malaj.

Që nga vitet ‘80, Zvicra ka përparuar shumë nga pikëpamja legjislative në drejtim të përmirësimit të kushteve për pritjen e imigrantëve. Albana Krasniqi-Malaj vuri në dukje se në Zvicër, politikat e integrimit janë më të vonshme, ashtu si në vendet e tjera të Evropës.

“Siç e vë në dukje studimi, në këtë kohë filluan valët e para migratore. Ata që erdhën në Zvicër në këtë kohë kanë pasur shumë më shumë vështirësi për të gjetur një punë, për të zënë një vend në shoqëri, për t’u integruar, sepse mungonin politikat në lidhje me imigracionin. Në Zvicër, politikat e integrimit janë më të vonshme, ashtu si në vendet e tjera të Evropës”, tha ajo.

“Fakti që ligji për të huajt është miratuar nga Parlamenti në vitin 2004, ndërkohë që ligji i mëparshëm daton në vitin 1931, tregon se politikat publike ishin pak të fokusuara te pritja e të huajve, të cilët nuk mund të bënin shumë gjëra, por siç e dini, ishin të detyruar të punonin si punëtorë sezonalë. Ata nuk kishin të drejtë të merrnin familjen, të ndërronin punë të ndryshme, të ndërronin kantonet. Nuk bëhej fjalë për integrim, por vetëm për qendra pritjeje nëpërmjet të cilave ata mund të lëviznin diku tjetër dhe të bënin gjëra të tjera”, përfundoi anëtarja e Komisionit Federal për Imigracionin, Albana Krasniqi-Malaj e ftuar në edicionin qendror të lajmeve të televizionit zviceran, RTS. /atsh/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat