Nis përsëri viti i ri shkollor për të mësuar gjuhën shqipe - Bota Sot
Nis përsëri viti i ri shkollor për të mësuar gjuhën shqipe

Zvicra

Nis përsëri viti i ri shkollor për të mësuar gjuhën shqipe

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 14 shtator 2019 Në ora: 23:20
Foto ilustrim

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër filloi vitin e ri shkollor (2019- 2020), vazhdon përpjekjet e saj dhe mundohet të mbajë gjallë dëshirën e fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe.

Si çdo vit tashmë, nxënës, mësues, prindër, miq e dashamirës, mblidhemi tok dhe me ambicie për fryte të mëtejshme nxitim pjesëmarrjen e fëmijëve në këtë cikël të përvitshëm mësimor për të mësuar shqip.

Mësimi shqip filloi diku më 15 gusht (Basel), e diku më 2 shtator, në kantonet: Arau, Bern, Basel, Cyrih, Friburg, Glarus, Jura, Gjenevë, Neoshatel, St. Galen, Thurgau, Vaud etj. Me stafin e mësueseve mjaft të përkushtuara: Afërdita Canaj, Lumnije Emini, Hyrije Kurteshi, Idaije Jashari, Elfete Hasi, Merita Azemi, Fitnete Balaj, Florije Xhema, Afërdita Veliu, Remzije Shabani, Halime Vishi, Elfete Hyseni, Anita Asani, Mirela Xoxi e shumë të tjera.

Urojmë që nxënësit dhe mësuesit tanë të kalojnë një vit sa më të suksesshëm, të ndihemi sa më pranë atdheut tonë të dashur Shqipërisë Kosovës ... duke folur dhe duke shkruar në gjuhën e të parëve tanë, duke shkruar me alfabetin tonë të pasur, saktë e bukur gjuhën e nënës.

Për zhvillimin e mësimit shqip do ta ndjekim shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes kombëtare, dhe nuk do të lodhemi duke punuar për vendin tonë, për gjuhën tonë, për shkollën shqipe dhe kulturën shqiptare, për ta zhvilluar edhe më tej dhe për ta ruajtur si një pasuri e jona kombëtare.

Glarusi është qyteti ku ka filluar për herë të parë shkolla shqipe e pavarur në Zvicër (shtator 1990) me mësuesen largpamëse Drita Krasniqi dhe këtë shtator fillimi i vitit shkollor përkon me 29 vjetorin e këtij misioni fisnik. Kështu dalëngadalë po duken themelet e ndërtuara nga mësuesit e gjuhës shqipe për kaq vite jo rrallë herë pa shumë mund, por me më shumë dashuri.

Një nga synimet kryesore të programit dhe statusit të Shkollës shqipe është zhvillimi dhe ruajtja e gjuhës, traditës dhe kulturës të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Qëllimi parësor i mësimit shqip është që fëmijët të kenë rastin të kultivojnë dhe të zhvillojnë më tej gjuhën shqipe, të përmirësojnë atë në të folur dhe në të shkruar si dhe të zgjerojnë njohuritë mbi atdheun dhe kulturën shqiptare.

Nga pikëpamja shkencore gjuha amtare luan rol qendror në procesin e përvetësimit të gjuhës te çdo njeri. Çdo fëmijë sa më mirë e di gjuhën e vet amtare aq më shpejt e mëson të dytën. Përveç kësaj fëmijët që ndjekin mësimin shqip e krijojnë një dygjuhësi të lehtë, gjithashtu një potencial i rëndësishëm shoqëror që duhet vlerësuar.

Një shqetësim është që numri i nxënësve që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe kohëve të fundit është zvogëluar. Shumë prindër shqiptarë nuk e vlerësojnë gjuhën shqipe dhe nuk i dërgojnë fëmijët në mësimin shqip. Arsyeja e parë është “ne në shtëpi flasim shqip, fëmija im di të flas shqip.” Një mendim plotësisht i gabuar, nuk mësohet gjuha pa shkollë. Të lexuarit dhe të shkruarit nuk mësohet në familje. Sikur të ishte i drejtë ky mendim zviceranët nuk do të hapnin fare shkolla për mësimin e gjuhës gjermane apo frënge.

E shoh të udhës ta zgjeroj kronikën, të ndalim në shkollën shqipe në Jura, ku punoj. Sivjet u regjistruan16 fëmijë të rinj, 11 me prindër shqiptarë dhe 5 me njërin nga prindërit shqiptarë. Dita e parë ishte shumë e gëzueshme, një ditë e cila shpalosi aq bukur mbresat që fëmijëve iu lanë pushimet në Atdhe, shëtitjet në vendet e tyre të dashura, njohjet e reja që kishin bërë, lojërat e reja që kishin mësuar.

Në fytyrat e fëmijëve shihej gëzimi sidomos tek ata që vinin për herë të parë. Ata duken të qetë e të urtë ngaqë mjedisi është i panjohur, por në sytë e tyre rrezaton një dritë lumturie se së shpejti do të fillojnë të mësojnë si lexohet dhe shkruhet në gjuhën amtare.

Më të druajtur ndiheshin fëmijët dygjuhësh me njërin prind shqiptar. Shumë nga ata ëndërrojnë kur do të flasin lirshëm e sa më parë shqip me të dashurit që jetojnë në Shqipëri, Kosovë apo gjetiu.

Më të buzëqeshur ishin fëmijët e klasave që kishin bërë mësim më parë në gjuhën amtare dhe sivjet do të zhvillojnë mësime në nivel më të përparuar. Si të tillë ata e ndjejnë veten më të sigurt dhe shumë të interesuar për të filluar sa më shpejt mësime nga historia dhe gjeografia e vendit tonë të dashur. Të gjithë së bashku shoqëruam Eliesën duke recituar.

Shqipëri o nëna ime

Ndonëse jam i mërguar

Dashurinë tende,

Zemra kurrë s’e ka harruar...

Delemont, 14.09. 2019 Nexhmije Mehmetaj

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...