I riu nga Suhareka që ia ka mësyer parlamentit zviceran - Bota Sot
I riu nga Suhareka që ia ka mësyer parlamentit zviceran

Zvicra

I riu nga Suhareka që ia ka mësyer parlamentit zviceran

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 09:53
Arbër Bullakaj

Arbër Bullakaj, nga Suhareka është bërë pjesë e garës elektorale si kandidat nga Partia Socialiste për deputet në parlamentin zviceran.

Gjatë një interviste të realizuar nga Naim Malaj për MEDIAL, Bullakaj rrëfen angazhimin e tij politik, nismat e veçanta dhe çfarë e frymëzoi atë për t’u bërë pjesë e kësaj fushate.

I larguar në moshën 8 vjeçare nga Kosova, Arbër Bullakaj thotë në intervistën për Naim Malaj se “një çështje që më fle në zemër ka të bëjë me nënshtetësinë”.

Angazhimi i Bullakajt në këto zgjedhje ku më 20 tetor votuesit zviceranë do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për në Parlament dhe në Senat (Dhomën e Shteteve), dëshmon faktin se shqiptarët në Zvicër (rreth njëqind mijë me pasaportë zvicerane) nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, një pjesë e tyre kanë zgjedhur t’i futen politikës për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes politike në këtë vend. Nuk janë të paktë ata që sot janë këshilltarë komunalë dhe deputetë në nivel parlamenti kantonal. Por, deri më sot, askush nuk ka arritur të zgjidhet në parlamentin federal. A do të ndryshojë kjo me zgjedhjet e 20 tetorit 2019?

Në vijim të portreteve të kandidatëve shqiptarë në këto zgjedhje, Naim Malaj ka realizuar një intervistë me Arbër Bullakajn, kandidat nga partia socialiste për deputet në parlamentin zviceran.

Një paraqitje e shkurtër e rrugëtimit tuaj, kush është Arbër Bullakaj? Cili është formimi i tij arsimor e profesional? Angazhimi i tij në politikë.

Bullakaj: Jam lindur në Kosovë në Suharekë. Isha vetëm 8 vjeç kur erdha në Zvicër së bashku me familjen time. Babai im ka punuar punë të rënda sezonale. Prindërit më kanë mësuar ta çmoj punën, sado e vështirë të jetë ajo. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë.

Sa i përket arsimimit, në fillim studiova për kontabilitet dhe më pas si menaxhues i projekteve. Isha i ngarkuar me financat në një firmë konsulente ndërkombëtare në disa vende (Zvicër, Austri, Angli dhe Gjermani). Pastaj kam punuar për Departamentin e Financave si dhe në një kompani IT-Consulting (e pranishme në 21 shtete). Ndërsa që prej 8 vitesh kam firmën time këshilluese në zbatimin e softuerëve.

Angazhimi im politik fillon para shtatë vitesh me zgjedhjen time në parlamentin e qytetit Wiler. Isha shqiptari i parë në kantonin Saint-Gallen që po zgjidhesha si këshilltar komunal  nga vota qytetare. Që nga kjo kohë, kam udhëhequr disa fushata dhe nisma rreth migrimit, biznesit dhe taksave. Jam shumë aktiv në kryesinë e partisë dhe jam angazhuar në qytetin Will, për të rinjtë nën moshën 18 vjeç dhe ata pa pasaportë zvicerane, që të kenë të drejtë të paraqesin një iniciativë në parlamentin lokal. Kjo gjë, p.sh. nuk ekziston askund tjetër në Zvicër.

Pjesëmarrja juaj në këto zgjedhje është një dëshmi se shqiptarët në Zvicër nuk janë spektatorë indiferentë të zhvillimeve politike, por ata po bëhen

pjesë aktive dhe e rëndësishme e shoqërisë zvicerane duke u përpjekur që gjithnjë e më shumë të jenë pjesë e vendimmarrjes politike. Çfarë e frymëzoi Arbër Bullakajn që të paraqitet si kandidat në këto zgjedhje?

Bullakaj: Edhe pse i ri në moshë (33 vjeç) unë kam një përvojë politike 12-vjeçare. Jam zgjedhur në parlamentin lokal të qytetit Wiler gjatë një periudhe 7-vjeçare si dhe nënkryetar i partisë socialiste për kantonin St-Gallen prej pesë vitesh. Mendoj se është koha që të jem i pranishëm në politikën kombëtare të Zvicrës. Kjo është e rëndësishme, për faktin që popullata me origjinë të huaj në Zvicër nuk është e përfaqësuar në parlamentin federal, ku parlamentarët janë kryesisht të moshës 50 vjeç.

E gjithë kjo na bën që të mendojmë se kemi nevojë për një frymë të re në parlamentin federal, e cila do ta përfaqësojë Zvicrën ndryshe nga ata parlamentarë në moshë. Bota po ndryshon shpejt, ndërsa politika ka ngecur tek skemat dhe strukturat e vjetra. Kjo është një arsye pse kemi nevojë për njerëz që njohin mirë ekonominë, dixhitalizimin, por edhe migracionin. Kjo do të ishte fusha ime si ekspert.

Cilat janë çështjet që i keni më përzemër për të cilat do të angazhoheni nëse zgjidheni në parlamentin federal?

Bullakaj: Dy nga pesë tematikat e trajtuara gjatë fushatës i kam më përzemër. E para, politika familjare. Paradoksialisht, Zvicra si vend i pasur, sipas një raporti të UNICEF zë vendin e fundit në Europë për sa i përket politikës familjare. Kur u bëra baba, kisha të drejtë vetëm një ditë pushimi, e njëjta gjë edhe kur ndërrova banesën. Kjo çështje duhet ndryshuar, sepse nuk është e denjë për Zvicrën. Duhet bërë një hap i madh përpara për vlerësimin e politikave familjare. Kjo do të thotë paga të barabarta të grave me burrat, më shumë çerdhe për fëmijë. Këto gjëra janë të përballueshme për Zvicrën.

Një çështje tjetër që më fle në zemër ka të bëjë me nënshtetësinë. Zvicra, një vend ku jetojnë shumë kombësi ka ligjin më të ashpër për marrjen e nënshtetësisë së saj. Një ligj përplot kushte e pengesa dhe i shtrenjtë, gati 40’00 franga zvicerane. Unë do të doja të kërkoja që ta ndryshoj këtë, në mënyrë që të ketë sa më shumë njerëz të natyralizuar që përfshihen në demokracinë zvicerane duke u bërë anëtarë të barabartë me të tjerët.

Shqiptarët në Zvicër janë të shumtë që kanë dyshtetësinë dhe si rrjedhojë edhe të drejtën e votës. Së pari, pse qytetarët shqiptaro-zviceranë duhet të votojnë në këto zgjedhje, dhe së dyti, a mund të themi, edhe pse kandidat i një partie politike zvicerane, megjithatë do të jeni një zë i shqiptarëve në parlamentin zviceran?

Bullakaj: Demokracia jonë merr frymë nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve, nëse ata nuk votojnë, ajo dobësohet. Në vende tjera bëhen kryengritje, bile edhe luftëra, sepse njerëzit nuk kanë as të drejtat minimale demokratike. Fatkeqësisht në Zvicër, vetëm 31% e migrantëve me të drejtë vote, votojnë. Kjo do të thotë se gati 70% e tyre nuk votojnë. Kjo, duhet të ndryshojë.

Unë vij nga një brez ku nuk ka rëndësi nga vjen, çfarë beson dhe çfarë ngjyre të lëkurës ke. Jam për një politikë që respekton dhe përfshin të gjithë njerëzit, pa asnjë dallim. Ndër të tjera, unë konstatoj se ne jemi njerëz me origjina të ndryshme, 37% banorëve në Zvicër kanë prejardhje të huaj. Këta njerëz ndihmuan në ndërtimin e Zvicrës dhe për ta pasuruar atë. Ne duhet ta tregojmë këtë hapur. Midis tyre, më shumë se 300.000 shqiptarë punonin çdo ditë në Zvicër, duke bërë gjëra të mëdha, duke jetuar dhe krijuar familje. Ne gjithashtu shënojmë shumë gola për Kombëtaren e Zvicrës dhe po bëhemi gjithnjë e më të suksesshëm ekonomikisht dhe shoqërisht. Jam shumë i kënaqur për këtë zhvillim pozitiv dhe shpresoj që së shpejti do të përfaqësohemi në Parlamentin Federal.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...