Kujdesi që duhet treguar para hapjes së një biznesi në Zvicër

Zvicra

Kujdesi që duhet treguar para hapjes së një biznesi në Zvicër

Nga: Lirim Begzati Më: 13 tetor 2019 Në ora: 23:04
Foto ilustrim

Sipas rregullave zvicerane të lirive tregtare, nuk është aq vështirë me filluar një biznes (apo me hapur një shoqëri tregtare).

Vetëm profesionet e ashtuquajtura të « mbrojtura » dhe të rregulluara me ligj gëzojnë një status të posaçëm dhe s’mundet me i ushtruar gjithkush. Janë në pyetje posaçërisht profesionet që kërkojnë një licencë specifike shtetërore (siç janë për shembull, profesioni i mjekut, inxhinierit, noterit, elektricistit, e shumë të tjera).

Për bizneset e shumta që ushtrohen, për shembull, në sektorë të ndryshëm të ndërtimtarisë dhe zanateve, në shumicën e kantoneve zvicerane, nuk kërkohet aspak diplomë e posaçme apo shkollim adekuat.

Megjithatë, është me rëndësi që para se të iniciohet një projekt biznesi, të merren informata të duhura për të drejtën e ushtrimit të tyre, për kushtet, dokumentet e nevojshme, aspektet financiare (detyrimi i mbajtjes së kontabilitetit, pagesa e TVSH), procedurën e hapjes dhe për të gjitha formalitetet e kërkuara sipas ligjit.

Format më të përhapura të bizneseve janë këto si vijojnë :

Ndërrmarrja individuale (« Entrepriseindividuelle » (fr.), « Einzelunternehmen » (gj.)) ;
Ø Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar-SHPK (« Société à responsabilitélimitée-SARL » (fr.), « Gesellschaft mit beschränkterHaftung-GMBH » (gj.)) ;

Shoqëria anonime ose aksionare - SHA (« Sociétéanonyme-SA » (fr.), « Aktiengesellschaft-AG » (gj.)).

Kush do të ishte forma juridike më e përshtatshme për biznesin tonë ?

Format e përmendura nuk i përshtaten çdo lloji aktiviteti tregtar. Kështu që duhet zgjedhur formën e duhur, varësisht prej projektit të biznesit që dëshirojmë ta ushtrojmë.

Ekzistojnë disa fusha të tregtisë të cilat nuk karakterizohen me rreziqe të larta financiare apo të përgjegjësive. Atëherë, konkretizimi i projektit të biznesit mund të realizohet përmes ndërmarrjes individuale. Është kjo forma më pak e ndërlikuar.

Ndërsa, për bizneset kur dikush i futet një aktiviteti me dikën tjetër (ortak), atëherë është e preferueshme të kalohet nëpërmjet SHPK. Shpeshherë është e këshillueshme kjo formë.

Përparësia më e madhe e SHPK vërehet edhe atëherë kur ballafaqohemi me humbje apo kur është shkaktuar një dëm ndaj personave të tretë. Përgjegjësia për borxhet dhe dëmin e bërë bartet kryesisht tek kapitali ekzistues i SHPK (e jo tek kapitali individual i udhëheqësit të SHPK). Po kështu, ortakët janë të mbrojtur më mirë.

Shoqëritë anonime këshillohen gjithsesi në rastet e fillimit të ndonjë biznesi me një dimension përgjegjësie shumë më të lartë sesa shoqëritë tjera tregtare.

Për të gjitha format ekzistuese, edhe rregullat për sigurimin e shoqërive tregtare, pagesat e tatimeve, të TVSH, dhe shumë detyrimeve të tjera, dallojnë varësisht prej formës së zgjedhur të biznesit.

Forma më e përhapur e ndërmarrjeve tregtare mbetet pra SHPK. Kapitali minimal që duhet investuar është 20'000.- franga. Mbi 92 mijë SHPK janë të regjistruara aktualisht në Zvicër.

A është i detyrueshëm regjistrimi në regjistrin tregtar dhe kush është vlera e tij ?

Ajo që iu jep një status të njohur shoqërive të ndryshme tregtare është regjistrimi i tyre në regjistrin tregtar (« Registreducommerce » (fr.), « Handelsregister » (gj.)).

Varësisht nga forma juridike e biznesit të zgjedhur, regjistrimi s’është çdo herë i detyrueshëm. Janë të parashikuara disa kushte për këtë çështje. Vetëm shoqëritë tregtare (individuale) që realizojnë të ardhura mbi 100'000 franga në vitë i nënshtrohen këtij detyrimi. Kurse për të tjerët regjistrimi është i padetyrueshëm.

Regjistrimi këshillohet edhe atëherë kur nuk do të ishte i detyrueshëm. Kjo sqarohet me faktin se regjistri është një dokument publik që i përcjellë informatat themelore për biznesin e ushtruar dhe mund të konsultohet nga secili person i interesuar, duke ofruar kështu edhe një transparencë sa më të lartë, aq e nevojshme kjo për aktivitetet tregtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat