Fitimi i lejes së qëndrimit në Zvicër për prindërit që jetojnë në vendlindje - Bota Sot
Fitimi i lejes së qëndrimit në Zvicër për prindërit që jetojnë në vendlindje

Zvicra

Fitimi i lejes së qëndrimit në Zvicër për prindërit që jetojnë në vendlindje

Nga: Lirim Begzati Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 09:54
Ilustrim

Në disa raste dhe nën disa kushte, mundet të arrihet deri te nxjerrja e një leje qëndrimi në Zvicër për prindërit e moshuar që i afrohen moshës së pensionimit apo veç gjinden në pension dhe të cilët jetojnë në vendlindje.

Marrja e kësaj leje është sadopak e vështirë. Kushtet e kërkuara janë tejet të ashpra.

Përfitues potencial i kësaj të drejte janë personat që i kanë mbushur së paku 55 vite. Por, kjo nuk mjafton, pasi që kërkohen edhe shumë të tjera, në mesin e të cilave po i veçojmë:

Duhet të ofrohen garancione të mjaftueshme për sigurimin e shpenzimeve jetësore të personit për të cilin bëhet kërkesa ;
Të prezantohen dëshmi bindëse se në vendin e origjinës nuk ekziston aspak mundësia e përkujdesjes së mjaftueshme ndaj personit për të cilin kërkohet autorizimi i qëndrimit, etj, etj.

Në përgjithësi, bëhet një analizë e hollësishme, jo vetëm e situatës dhe kushteve të personit që e bënë kërkesën, por edhe e gjendjes së personit për të cilin bëhet kërkesa. Për këtë, kërkohen një sërë dokumentesh e informatash.

Disa lehtësi akordohen për të moshuarit të cilët dëshmojnë se në të kaluarën kanë qëndruar brenda një kohe të gjatë në Zvicër (për shembull, ata që kanë punuar brenda disa viteve si punëtorë sezonal, etj).

Shqyrtimi i këtyre dosjeve i nënshtrohet vlerësimit të lirë të autoriteteve vendimmarrëse të cilët, në suazat e kompetencave të tyre, kanë një fushë jashtëzakonisht të lirë veprimi për akordimin (apo jo) e një leje.

Gabim është nëse mendohet se autoritetet kompetente janë të detyruara me ligj që dikujt t’i akordojnë këtë leje. Është e vërtetë se ligji parashikon një mundësi të tillë, por, prapëseprapë, shpresa për fitimin e kësaj leje shpeshherë n’varet nga autoritetet që kanë një liri të madhe për interpretimin e kushteve apo rregullave.

Kantonet e ndryshme zvicerane aplikojnë praktikat dhe politikat e tyre të pranimit të cilat, nganjëherë, në masë të madhe dallojnë njëri nga tjetri.

Në rastet e refuzimeve, rrugët ankesore, për këtë lloj dosjesh, e kanë vështirë të arrijnë ndonjë sukses për anulimin e një vendimi negativ.

Statusi i tillë s’është aq i privilegjuar, jo ashtu siç mendohet nganjëherë ; përfituesit e këtij statusi nuk kanë asnjë të drejtë për pension (në përjashtim të atyre që i kanë paguar kontributet e pensionimit në Zvicër), e përveç tjerash, ata nuk kanë as të drejtë pune (nëse për shembull e fitojnë lejen para moshës së pensionimit). Në parim, nuk kanë as të drejtë për ndonjë ndihmë nga shteti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat